Search
Close this search box.

Sfidat e Shqipërisë për Investimet

Flet znj. Diana Leka, Drejtore e Sekretariatit të Këshillit Shqiptar të Investimeve

Në gjysmën e dytë të këtij viti, pritet që të ketë një gjallërim të investimeve private, i ndikuar dhe nga stabiliteti i pritshëm politik pas zgjedhjeve.

Por, sfida të mëdha shtrihen përpara. Në një intervistë për Buletinin e FIAA-s të muajit qershor, znj. Diana Leka, Drejtore e Sekretariatit të Këshillit Shqiptar të Investimeve, ka pohuar se një nga shtyllat kryesore ku nevojitet të fokusohemi ka të bëjë me atë se në cilën fushë do të kemi kryesisht rritje apo investime në periudhën e ardhshme, si dhe cilat mund të jenë politikat përkatëse, duke pasur parasysh edhe kontekstin rajonal.

Cili është roli që ka pasur Këshilli i Investimeve në përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe si e vlerësoni klimën e investimeve aktualisht në Shqipëri?

Këshilli i Investimeve ka punuar në mënyrë specifike për përmirësimin e inspektimit tatimor, lehtësimin e procedurave doganore, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, si dhe mbi informalitetin. Ka disa përmirësime në lehtësimin e shërbimeve dhe dokumentacionit në lidhje me pagesën e taksave, lehtësimin e lejeve të ndërtimit, komunikimin dhe transparencën me tatimpaguesit, hapat për mbylljen e një biznesi, nënshkrimin elektronik, përpjekjet e ndërmarra në lidhje me rimbursimin e TVSH-së për eksportuesit apo regjimin e përpunimit aktiv (RPA), përmirësimin e transparencës ndaj tatimpaguesve, akses më të madh online të regjistrave të tokës dhe pronave, etj. Disa raporte të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Doing Business, kanë shënuar gjithashtu rezultate pozitive mbi çështjet e mësipërme.

Ndërsa, në nivelin e politikave makro – reformat strukturore të filluara mbi energjinë, pensionet, kreditë e këqija, pronësinë e tokës, rregullat fiskale dhe transparencën e menaxhimit të parave publike, reformën territoriale, duhet të përshpejtohen më tej për të arritur potencialin e madh që Shqipëria mund të ofrojë për të konkurruar në rajon dhe globalisht.

Si e prisni mjedisin gjatë gjysmës së dytë të 2017-s?

Stabiliteti i ligjeve dhe institucioneve do ta bëjnë gjysmën e dytë të 2017-s vërtet premtuese për vendimet “në pritje” të investimeve private. Parashikueshmëria është tepër e rëndësishme për aktivitetin e biznesit dhe investimet. Si një vend me ekonomi të vogël, ndonëse me pozicionim gjeografik strategjik, stabiliteti mbetet tepër i rëndësishëm në të gjitha aspektet, por më specifikisht për sa i përket ligjeve dhe institucioneve.

Cilat janë disa nga sfidat e pritshme për investime në Shqipëri?

Një nga shtyllat kryesore ku nevojitet të fokusohemi ka të bëjë me atë se në cilën fushë do të kemi kryesisht rritje apo investime në periudhën e ardhshme, si dhe cilat mund të jenë politikat përkatëse, duke pasur parasysh edhe kontekstin rajonal.
Nivelet e produktivitetit, veçanërisht të produktivitetit të punës, mbeten të ulëta, ndoshta kjo për shkak të cilësisë së klimës së investimeve dhe gjendjes aktuale të “konkurrencës së pandershme”. Sfidat e ardhshme, përveç reformës ligjore, kanë të bëjnë me politikat proaktive mbi:

  1. Informalitetin dhe mungesën e financimit, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në konkurrencë. Ne kemi punuar mbi këto çështje vitin e kaluar dhe besoj se një plan i mirëpërcaktuar dhe i konsoliduar me terma afatshkurtër dhe të mesëm është i nevojshëm për të trajtuar këto çështje. Ka ende mangësi në të dhënat e disagreguara, të cilat pengojnë përcaktimin sasior të gjetjeve që të mundësojnë opsione për politika për shembull në bujqësi, tregti dhe shërbime, të cilët janë sektorët kryesorë që kontribuojnë në rritje/punësim.
  2. Investimin në përmirësimin e kapitalit njerëzor dhe cilësinë e arsimit, duke u fokusuar më shumë në aftësitë të cilat do të mundësonin aksesin e lehtë në tregun aktual të punës dhe ekonominë e njohurive të reja – për shembull Këshilli i Investimeve punoi në shkurt 2017 dhe rekomandoi fokusimin e arsimit në zgjidhjen e problemeve, gjuhët e huaja, aftësitë Microsoft dhe komunikim. Investimet në K&ZH janë në një nivel shumë të ulët, ndërkohë që inovacioni gjithëpërfshirës dhe kërkimi e zhvillimi janë parakushte për krijimin e aftësive të reja dhe përshtatjen e atyre ekzistueseve.
  3. Lehtësimi i aksesit të biznesit të ri si p.sh., startup, në pengesat që ata hasin kur hyjnë në treg. Si çdo model tjetër biznesi, startup-et përballen me barrë administrative si një biznes i zakonshëm. Politika të orientuara dhe të posaçme do të ndihmonin për t’i mbështetur ata, veçanërisht në aksesin në financim dhe hyrjen në tregje. Shqipëria dhe vendet lindore janë të përmendura në mediat kryesore ndërkombëtare për “shfaqjen e ambicieve teknologjike”. Konkurrenca rajonale është duke u bërë tepër agresive dhe politika proaktive dhe fleksibile duhet të jenë në krye të axhendës.
  4. Përmirësimi i infrastrukturës si p.sh. në energji, logjistikë dhe kosto e tregtisë, dhe në infrastrukturës së TIK, duke konsideruar investime publike për t’u fokusuar më shumë në “konektivitet” dhe duke krijuar kushte për investime private, ndërkohë që investimet private mund të jenë më të shumta në bujqësi, turizëm, automobila, etj.

Natyrisht shpejtësia dhe pjekuria e reformës së drejtësisë ndjekur nga profesionalizmi dhe imazhi i administratës publike janë parakushte që mund të lehtësojnë apo të pengojnë çdo reformë në vend.

Çfarë do të diskutojë Këshilli në gjysmën e dytë të 2017-s?

Do diskutohet mbi thjeshtimin e inspektimeve për të ulur barrën administrative për biznesin. Inspektimet shtetërore janë komponente të rëndësishme të sistemit rregullator dhe shumë të rëndësishme për shoqërinë, bizneset dhe qytetarët. Megjithatë, inspektimet mund të krijojnë kosto të tepërta dhe barrë administrative për bizneset, duke dekurajuar sipërmarrjen. Numri i lartë dhe mbivendosja e shpeshtë e inspektimeve të ndryshme sikurse edhe efikasiteti në praktikë, mbeten ende një shqetësim për sektorin privat, të raportuar gjithashtu edhe pranë Sekretariatit. Prandaj, analiza e procedurave të inspektimit dhe bashkëveprimi me bizneset dhe autoritetet përkatëse do të jenë pjesë e axhendës së Këshillit të Investimeve për gjysmën e dytë të 2017-s.

Pika e dytë lidhet me lejet e ndërtimit dhe portali e-lejet në kuadër të reformës territoriale.
Qeveria ka nxjerrë një faqe interneti mbi lejet e ndërtimit, duke synuar lehtësimin e procedurave për biznesin dhe individët për marrjen e këtyre lejeve. Sekretariati i KI ka mbledhur disa opinione paraprake nga bizneset mbi zbatimin e lejeve të ndërtimit, veçanërisht në lidhje me tokat bujqësore dhe industriale. Bazuar nga sa më sipër, qëllimi ynë është që, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore dhe aktorëve përkatës, të konsiderohet impakti i reformave të tilla mbi investimet dhe zhvillimin ekonomik.

Çfarë mendoni se mund të bëhet më tej për të përmirësuar kushtet e të bërit biznes?

Shteti i së drejtës. Shqipëria ka një sërë ligjesh në përputhje me standardet e BE-së, por ka vështirësi në zbatimin e tyre. Në çdo politikë të re kombëtare investimesh, duhet të konsiderohet çfarë është me të vërtetë e rëndësishme për sektorin privat që “të vendosë të investojë”, madhësia e vendit, specifikat për çfarë vendi ynë mbetet “unik”, përputhja me “axhendën e konektivitetit” në kuadër të procesit të Berlinit. Vitin e kaluar, Këshilli i Investimeve punoi mbi incentivat për investime në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit dhe u konkludua se “harta e incentivave” është e ndryshme nga vendet e tjera të Ballkanit. Zhvillimi i instrumenteve përkatës dhe të pranuara mund të ndihmojë në konvergjencën rajonale përmes harmonizimit të politikave dhe përputhjes me standardet e KE-së. Ajo gjithashtu do të trajtojë rregullat e ndryshme teknike që pengojnë tregtinë brenda rajonit.

Nga aspekti rajonal, është e rëndësishme të përmirësohet eficenca në zbatimin e projekteve të filluara brenda limiteve të borxhit të brendshëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me projektet e infrastrukturës.

Përgatitja e projekteve që mund të konsiderohen si projekte “cilësore” të cilat mund të sjellin vërtet një impakt për vendin, dhe mbi të gjitha konsultimi paraprak i ligjeve apo politikave të reja me sektorin privat do të ndihmonte në gjetjen e zgjidhjeve më të mira të përbashkëta dhe komunikim më të mirë. Këshilli i Investimeve dhe Sekretariati do të ishin një instrument shumë i dobishëm në këtë aspekt.

 

Publikuar në Revistën Monitor, 27 qershor 2017.

Taxi Reykjavik real estate saranda