Vizioni për të kaluar krizën

Opinion-eksperti

 

 Vizioni për të kaluar krizën

 

Nga Dr. Diana Leka (Angoni)

Drejtore e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve*

 

Ekosistemi i Sipërmarrjes, modeli i bashkëpunimit Triple Helix – dhe kriza globale sanitare e shkaktuar nga COV-19 kerkojnë  një moment reflektimi por edhe urgjence mbi nevojën e  bashkëveprimit të integruar dhe sistemik mes qeverisë-universiteteve-biznesit. Të pasurit e një vizioni të qartë, angazhimi serioz  dhe transmetimi i mesazheve të matura mbi  ndërhyrjet  sistemike të nevojshme rrit elasticitetin që ekonomia të përballojë më mirë goditje të tilla si COV19 apo edhe të tjera dhe mbetet faktor i rëndësishëm për përmirësimin në kohë të sistemit socio-ekonomik të vendit.

 

Rëndësia e triple helix në ekosistemin sipërmarrës

Thënë thjesht, modeli triple helix përfshin tre aktorë: (1) universitetet, (2) qeverinë dhe (3) sipërmarrësit ndërkohë që ekosistemi lidhet me bashkëveprimin mes politikës, institucioneve publike dhe sipërmarrësve dhe sot ky ndërveprim merr një rëndësi shumë të madhe. Literatura sugjeron se të pasurit e një vizioni të qartë, nderveprimi ne kohe brenda ekosistemit dhe transmetimi i mesazheve koherente dhe në mënyrë te qendrueshme rrisin elasticitetin ndaj goditjeve të tilla si COV19.

Kjo është gjithashtu edhe një “niche” ku punon Këshilli Investimeve (KI), i cili në modelin e tij të funksionimit ka nderveprimin ne trekendeshin Qeveri-Biznes-Donatore. Këshilli i Investimeve punon me një qasje nga poshtë lart dhe ndihmon në dhënien e mesazheve kyçe ndaj vendimmarrjes për problematika të qënësishme të klimës së investimeve në vend. Konkretisht, që në vitin 2017, u evidentua nga bashkëpunimi me bizneset, se universitetet duhet të jenë partnerë në këtë platformë si aktorë të rëndësishëm të zinxhirit të tregut të punës dhe inovacionit. Ndaj me sugjerimin e anëtarëve teë binzesit në KI, menjëherë u formalizua bashkëpunimi me anë të memorandumeve të bashkëpunimit si p.sh. me Universitetin “Epoka” dhe sot ky bashkëpunim është duke u konsoliduar më tej.

Pika e dytë: Si të maksimizojmë potencialin e vendit për tërheqjen e investimeve dhe nevojave të sipërmarjes përmes stimulimit të ndërveprimit sistemik të aktorëve biznes-qeveri-universitete?

Në vitin 2017 ne punuam në aspektin sesi sipërmarrësit (në sektorin BPO – nënkontraktim tek të tretët) e konsideronin ekzistencën e potencialit për investimeve në tregun shqiptar dhe mund të gjenin opsione për incentiva drejt kapitalit njerëzor në Shqipëri duke pasur parasysh se tregu i BPO konsiderohej mjaft joshës.

Në atë kohë takuam në Tiranë kompani të tilla si BBC Apple, Google, kompani të famshme që punojnë në sektorin e shërbimeve IT. Ato vinin në dukje potencialin e vendit dhe të burimeve njerëzore lokale, por edhe sfidat duke nënvizuar se sipërmarrja ishte optimiste, por kishte nevojë për ndihmë nga sistemi për të maksimizuar potencialin dhe pyetja në atë kohë ishte: Si të maksimizojmë/optimizojmë këtë potencial me nevojat e sipërmarrësve? Ne kuptuam nga analiza e  të dhënave lokale dhe ndërveprimi me bizneset, se zgjidhja e  çështjeve të tregut duhet të fillojë nga arsimi nëse gjykonim nga perspektiva e zinxhirit të furnizimit në veçanti. Ndaj edhe  u dhanë sugjerime që lidheshin  me universitetet, qeverinë apo edhe sipërmarrjen. Në atë kohë duke u thelluar më shumë evidentuam se në disa sektorë vendi ishte  konkurrues, por nuk mund të arrinim konkurrentët tanë pikërisht prej hendekut (sasior ose cilësor) në kapitalin njerëzor. Për shembull, në atë kohë ne konstatuam se zyrat e karrierës në disa fakultetete ekzistonin (e ekonomisë dhe në atë të shkencave sociale), por nuk kishte një bashkëpunim sistemik mes bizneseve dhe universiteteve.

Më duhet të citoj një biznes që nënvizonte: “Biznesi evidenton cilësinë e tregut të punës nga perspektiva e zinxhirit të furnizimit por nuk e zgjidh dot vetëm problemin, i cili kushtëzohet  nga bashkëpunimi  universitet-qeveri-biznes”. Ndaj momenti tani është me rëndësi të madhe që t’i japim formë dhe fokus këtij drejtimi – mbajtja e një marrëdhënie sistematike mes universitetit-qeverisë dhe sipërmarrjes.

Mund të sjellim në vëmendje nga 2015-a kaq shumë iniciativa që konvergojnë me këtë ide. Tani duhet ta konsolidojmë dhe ky është sugjerimi ynë. Pa konsolidimin e këtij ndërveprimi nuk mund të ecim përpara dhe përballimi i krizave si kjo aktuale do ketë kosto të mëdha.

Shembulli i dytë është kur punuam me incentivat për investimet. Konstatuam se në vitin 2004 projekti i TAP-it ishte aprovuar nga parlamenti me votat e 140 deputetëve duke reflektuar ndërgjegjësimin politik dhe rëndësinë e projektit për vendin. Gjithsesi aprovimi i këtij projekti unik nuk u shoqërua me ndërhyrjet e tjera të nevojshme siç është përgatitja më parë e tregut të punës sipas sektorëve specifikë respektivë. Ndërkohë që në 2017 ne konstatuam përmes bizneseve se për sektorë specifikë, përfshirë gazin dhe elektricitetin, po importohej fuqi punëtore nga Turqia për të mundësuar plotësimin e nevojave në këto nënsektorë specifikë duke qenë se tregu lokal nuk mund të ofronte një forcë pune të kualifikuar. Mendoj se ky është një shembull konkret që tregon nevojën për ndërlidhje/ndërveprim aktiv mes biznesit, qeverisë dhe universitetit. Kështu gjërat mund të bëhen eficente, të konvergojnë dhe në një farë mënyre të ndihmojnë që ekosistemi të kontribuojë vërtet në kohë në klimën e investimeve të vendit. Rekomandime të arsyeshme u mundësuan në atë kohë për universitetin, shoqatat e biznesit dhe qeverinë [1] të cilat ne i monitorojmë dhe sistematikisht raportojmë në Këshill.

Momenti

Ndaj le ta konsiderojmë këtë moment si një reflektim dhe me maturi të punohet  për të konsoliduar ekosistemin e nevojën për bashkëpunim sistemik mes universiteteve, sipërmarrësve dhe qeverisë.

 

Një moment unik. Pse tani?

 

COVID-19 na detyroi që të hidhnim vështrimin mbi të dhënat shkencore dhe të diskutojmë, duke kaluar më pas tek rekomandimet shkencore. Do të thoja tani si kurrë më parë jemi të detyruar të komentojmë mbi atë se çfarë do të thotë shkenca jo vetëm lokalisht por edhe globalisht. Më shumë se kurrë, bashkëpunimi i ngushtë, i qartë dhe komunikimi i duhur ndjekur nga një reagim i shpejtë për atë që është konstatuar përmes shkencës duke konsideruar edhe impaktin social dhe buxhetin e qeverisë, bëhet kaq e rëndësishme. Ndaj le ta konsiderojmë këtë moment si një reflektim për të konsoliduar ekosistemin e sipermarjes nëpërmjet stimulimit të bashkëpunimit sistemik midis universiteteve, sipërmarrësve dhe qeverisë.

Në veçanti. Ne nisëm një anketë në 28 mars (në 24 mars qeveria mori vendimin për gjendjen e jashtëzakonshme) deri në 6 maj duke synuar që të ndikojmë debatin me disa të dhëna lokale  dhe kur themi ndikojmë nuk e kemi fjalën vetëm në teori, por bazuar në shifra[2].

Synimi kryesor ishte që të ndihmonim audiencën duke vendosur pyetjet e duhura dhe bazuar në të, debati të ndihmonte realisht politikëbërjen mbështetur tek evidencat lokale dhe profili i bizneseve tona ku 95 për qind janë biznese të vogla dhe të mesme. Kjo në kushtet kur e dinim gjithashtu se reagimi i qeverisë ndaj COVID-19 duhet të konsideronte këtë pjesë të biznesit si prioritet. Përmes një ankete të ndarë në katër shtylla: 1.Sfidat kryesore të biznesit gjatë pandemisë COVID-19. 2.Perceptimet e biznesit ndaj masave të ndërmarra nga qeveria në përballimin e COVID-19. 3.Masat që vetë biznesi ndërmori  për të siguruar vijimësinë e punës, pamundësinë e të shkuarit në punë dhe ekzistenca e strategjisë së riskut. 4. Shkalla e përdorimit të shërbimeve online nga ana e kompanive gjatë COVID-19 dhe më tëj. Kjo fundit në fakt u evidentua  si nje  instrument që u përdor mjaft nga bizneset gjatë pandemisë COVID-19.

 

Hapi i dytë, Sekretariati përgatiti një përmbledhje të shkurtër dhe të shpejtë të ndryshimeve ligjore të lidhura me vendimmarrjet e qeverisë gjatë krizës sanitare, duke e përditësuar në mënyrë sistematike, me synimin për të mbështetur informimin në kohë të biznesit, veçanërisht atij të vogël duke qënë se, bazuar në eksperiencën tonë, ai nuk mund të përthithte gjithë këto ndryshime kaq të shpeshta në një kohë kaq të shkurtër. Për shembull aplikimi dhe marrja e pagave për punonjësit apo mundësi të tjera likujditeti përmes skemave të garancisë së kredisë.

Ndaj menjëherë nisëm anketën bazuar në të dhënat tona tashmë 5 vjeçare si edhe sintetizuam përmbledhjet ligjore për të shpejtuar ndërgjegjësimin dhe informimin në kohë mbi atë se çfarë po ofrohej nga Qeveria.

Së fundmi bazuar në sa më lart:

  1. Besimi tek aktorët që mbështesin ndërtimin e ekosistemit të sipërmarrjes është sot i një rëndësie unike. Por sigurisht besimi nuk mund të ndërtohet në një ditë dhe nuk vjen menjëherë, por është çështje e modelit dhe bashkëpunimit sistematik dhe rezultateve konkrete[3].
  2. Debati cilësor në kohë, bazuar në evidenca dhe analiza ndihmon transparencën, kontributin e ekosistemeve dhe përmirëson klimën e investimeve në vend.

Do të vazhdoja këtu me një pyetje dhe një opinion mbi atë se çfarë mund të bëjmë më tej, në kuptimin që të stimulojmë kontributin e universiteteve në vendimmarrjen e vendit. Sa i takon kësaj, ne në Këshillin e Investimeve kemi eksperiencën tonë të pesë viteve së bashku me partnerët dhe jemi këtu për të ndihmuar përmes modelit dhe integrimit të aktorëve për një vizion të qartë për të dhënë rezultate konkrete.

 

*përshtatur nga një bisedë me studentët e Universitetit Epoka

 

Bashkëveprimi

Besimi tek aktorët që mbështeten tek ndërtimi i një ekosistemi të besueshëm sipërmarrjeje është sot i një rëndësie të veçantë. Besimi nuk mund të ndërtohet në një ditë dhe nuk vjen menjëherë, por është çështje e bashkëpunimit në zinxhir edukim – qeverisje – biznes dhe në menyrë sistematike me fokus  dhenien e  rezultateve konkrete.

[1] www.investment.com.al

[2] www.investment.com.al

[3] Për shembull në Këshillin Shqiptar të Investimeve ne sot kemi rreth 40 për qind të rekomandimeve të aprovuara nga qeveria, rreth 15 për qind në process dhe 35 për qind totalisht të dakordësuara. Pyetja është koha: “A do të shpejtojmë këtë herë në miratimin e rekomandimeve dhe bashkëpunimin e të gjithëve për të mos pritur, duke ecur para në mënyrë që të arrijmë rezultate në kohë?”

 

Shkarko në pdf.