Challenges of the Economy’s Competitiveness (Albanian)
- March 4, 2024
Përtej shifrave, duhet të flasim për sfidat e konkurrueshmërisë së ekonomisë, me fokus produktivitetin e punës dhe të kapitalit, p.sh., a duhet të hapim debatin nëse puna duhet të taksohet në të njëjtat nivele si fitimet nga investime në tregjet financiare?!
Cilat duhet të jenë parimet bazë dhe prioritetet e politikave në kushtet kur modeli i funksionimit të shoqërisë për hir të shpejtësisë së zhvillimeve demografike, gjeopolitike e teknologjike nuk është më si më parë?!
Rritja ekonomike, sipas vlerësimeve të qeverisë shqiptare, pritet të jetë rreth 3.7% në vitin 2023. Edhe për periudhën afatmesme 2024-2026, sipas të dhënave të fundit zyrtare në vend, rritja ekonomike parashikohet të jetë mesatarisht rreth 3.9% në vit.
Përtej shifrave të rritjes, znj. Diana Leka, drejtore e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve (KIS), një platformë dialogu publik-privat, thotë se megjithatë, inflacioni, mbiçmimi i Lekut, paqëndrueshmëria fiskale dhe institucionale, informaliteti – i cili kufizon ndikimin e politikave fiskale në rastet e ndërhyrjeve specifike që të mund të japin efektin e tyre, hyrja në fuqi e ligjit të ri të të ardhurave, konsiderohen nga sektori privat si problematika të qenësishme, të cilat mund të ndikojnë në ecurinë e aktivitetit të tyre.
Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2023?
Pas një recesioni të fortë prej 3.3% në vitin 2020, ekonomia përjetoi një rikuperim të fuqishëm në vitin 2021, me një normë rritjeje prej 8.9%, duke vazhduar trendin pozitiv gjatë gjithë vitit 2022, me një normë prej 4.9%, duke u shfaqur si një nga ekonomitë më të fuqishme të rajonit.
Rritja ekonomike, sipas vlerësimeve të qeverisë shqiptare, pritet të jetë rreth 3.7% në vitin 2023, e ndikuar nga zhvillimet e brendshme të ekonomisë dhe pritshmëritë për ekonominë globale, veçanërisht atë të Bashkimit Europian.
Institucionet ndërkombëtare ndërkohë kanë pritshmëri më të ulëta në lidhje me 2023, ku BERZH vlerëson një rritje më të ulët, në rreth 2,5% (Transition Report, Janary 2024), BB 3,6% (Regular Economic Report, Fall 2023) dhe FMN 3,6% (Economic Outlook, October 2023).
Megjithatë, vlen të theksohet se ekonomia shqiptare ka performuar gjithmonë e më mirë sesa parashikimet/vlerësimet e bëra për të. Bazuar në vlerësimet më të fundit të INSTAT, ekonomia është rritur mesatarisht 3,24% në 9 muajt e parë të vitit, kryesisht nga aktivitetet e ndërtimit dhe shërbimeve, veçanërisht turizmi.
Bazuar në të dhënat e Barometrit të Turizmit Botëror, publikuar nga UNWTO, Shqipëria mbante vendin e tretë në mbarë botën për sa i përket rritjes së sektorit të turizmit në shtatë muajt e parë të vitit 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Numri i turistëve në Shqipëri u rrit me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të para-pandeminë në vitin 2019.
Ky është një moment për të cilin duhet reflektuar, vepruar me maturi dhe mençuri për sa i përket shfrytëzimit të qëndrueshëm dhe përfitimit real, po të kemi parasysh edhe incentivat fiskale të sektorit, por jo vetëm. E rëndësishme është të mbahet parasysh informaliteti me specifikat e veta dhe tipi i turistit që viziton vendin tonë, duke monitoruar se sa realisht sjell/paguan çdo turist në vend. Bazuar tek i njëjti burim, kontributi i turizmit në PBB është rritur me 2% në 2023 krahasuar me vitin 2019, edhe pse numri i të punësuarve në këtë sektor nuk ka shënuar të njëjtën rritje (vetëm 0.2%).
Për më tepër, zhvillimet në tregun e punës kanë qenë gjithashtu pozitive deri më tani. Të dhënat e fundit të INSTAT-it, bazuar në Anketën Tremujore të Forcave të Punës (AFP) në tremujorin e tretë 2023, tregojnë se shkalla zyrtare e papunësisë për grupmoshat 15-64 vjeç është 11%, krahasuar me 10.8% për të njëjtin tremujor një vit më parë.
Në nëntëmujorin e parë të vitit 2023, Investimet e Huaja Direkte (IHD) shënuan një vlerë prej +1088 milionë eurosh, me rritje prej +10,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, kryesisht të përqendruara në aktivitetet e pasurive të paluajtshme, sektori i hidrokarbureve, ndërmjetësimit financiar, si dhe sektori i energjisë.
Gjatë 2023, eksportet e vendit ranë me 10% në vlerë krahasuar me një vit më parë, kryesisht nga zhvlerësimi i lartë i Euros, i cili ka sjellë problematika për eksportuesit shqiptarë, duke i bërë ata shumë më pak konkurrues dhe sidomos sektorin fason, i cili nëse do të duhet të mbijetojë, do të duhet të mendojë kalimin drejt një veprimtarie me vlerë më të shtuar.
Inflacioni ka reflektuar ndikimin e fundit të goditjeve të ofertës së jashtme për shkak të konfliktit në Ukrainë, duke u bërë një nga çështjet kryesore makroekonomike për ekonominë tonë, si në shumë vende të tjera në mbarë botën. Inflacioni në Shqipëri arriti vlerën më të lartë në tetor 2022, me 8,3%, i nxitur kryesisht nga kostot e ushqimit dhe transportit. Inflacioni mesatar për vitin 2023 është rreth 4.8%, mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%.
Duke pasur një regjim të lirë të kursit të këmbimit, monedha vendase (Leku) ka qëndruar mjaft stabël ndaj valutave kryesore (Euro, etj.) rreth nivelit 120 lekë/euro gjatë viteve 2019-2021, periudhë e cila përkon me pandeminë, por është mbiçmuar në dy vitet e fundit, me një trend të shpejtë duke u tregtuar me 119 lekë/euro në 2022 dhe 109 lekë/euro gjatë 2023.
Si e prisni ecurinë e ekonomisë së vendit në vitin 2024? Cilët janë faktorët që do të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht?
Bazuar në sa më lart, ekonomia shqiptare ka shfaqur ecuri pozitive dhe të kënaqshme gjatë vitit 2023 dhe të mirëkrahasuar me vendet e rajonit.
Megjithatë, inflacioni, mbiçmimi i Lekut, paqëndrueshmëria fiskale dhe institucionale, informaliteti – i cili kufizon ndikimin e politikave fiskale në rastet e ndërhyrjeve specifike që të mund të japin efektin e tyre, hyrja në fuqi e ligjit të ri të të ardhurave, konsiderohen nga sektori privat si problematika të qenësishme, që mund të ndikojnë në ecurinë e aktivitetit të tyre.
Ndërsa mungesa sasiore dhe cilësore e fuqisë punëtore rikonfirmohet edhe për 2024, tashmë e evidentuar e prioritizuar në analizat e KI që nga 2017 për sektorë specifikë.
Për periudhën afatmesme 2024-2026, sipas të dhënave të fundit zyrtare në vend, rritja ekonomike parashikohet të jetë mesatarisht rreth 3.9% në vit, ku rritja për vitin 2024 parashikohet në nivelin 3,8%. Institucionet ndërkombëtare tregohen më konservatore në parashikimet e tyre për vitin 2024. Sipas BERZH, rritja në 2024 do të jetë 3,3%, FMN parashikon rritje 3,3% ndërsa BB parashikon rritje 3,2%.
Bazuar në Treguesin e Ndjesisë Ekonomike, i cili u rrit gjatë fundvitit 2023, duke qëndruar mbi mesataren afatgjatë, mund të themi se ekonomia po jep sinjale pozitive, kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e ndërtimit, shërbimeve dhe më pak nga ai i industrisë, ndërkohë që tregtia dhe besimi i konsumatorëve nuk kanë ndryshuar.
Përtej shifrave, mendoj se duhet të flasim për sfidat e konkurrueshmërisë së ekonomisë, me fokus produktivitetin e punës dhe të kapitalit, p.sh., a duhet të hapim debatin nëse puna duhet të taksohet në të njëjtat nivele si fitimet nga investime në tregjet financiare?! Cilat duhet të jenë parimet bazë dhe prioritetet e politikave në kushtet kur modeli i funksionimit të shoqërisë për hir të shpejtësisë së zhvillimeve demografike, gjeopolitike e teknologjike nuk është më si më parë?!
Ndërkohë që sot flitet për ridimensionim të modelit të shfrytëzimit të lëndëve të para në kuadrin e zinxhirit të vlerës (dhe interesave gjeopolitike) p.sh. atyre minerare (ku ne kemi edhe nivelin më të lartë të investimeve të huaja) a duhet të debatojmë mbi opsionet e sofistikimit të biznesit dhe rritjes së vlerës së shtuar në vend?!
Kujtoj që me investimet e përfunduara, apo në proces në sistemin energjetik apo fotovoltaik kemi hyrë në një fazë të re e jemi pozicionuar në një standard tjetër rajonal por a do të përfitojë biznesi vendas (kryesisht MSME-të) nga ky potencial?
Ndërkohë, debatin në lidhje me produktivitetin e punës, tashmë të nisur nga KI që nga 2017, apo mbrojtjen e sektorëve me rëndësi gjeopolitike duhet ta vendosim në qendër të debatit të klimës së investimeve, si element thelbësor të ekonomisë për të dakordësuar përgjigje të mirëmenduara ndaj sfidave të biznesit në kushtet e hapjes së vendit.
Në kuadrin e politikave për përmirësimin e klimës së investimeve, do të vlerësonim ripriotizimin apo harmonizimin e ndërhyrjeve/reformave strukturore që mund të ndikojnë në zbutjen e sfidave unike kombëtare që lidhen me:
Cilësinë e arsimit të përgjithshëm, nivelin e uljes dhe reduktimit të lindjeve dhe opsionet e politikave sociale që mund të ndihmojnë në këtë drejtim, riprofilizimin e profesioneve në kuadrin e AI dhe inovacionit, duke qenë se operacione të caktuara të përsëritura do të reduktohen dhe profesione të reja mund të rilindin apo duhet të përshtaten.
Ndërkohë, përtej transparencës dhe cilësisë së llogaridhënies ndaj taksapaguesve, mbetet prioritare çdo masë në drejtim të stimulimit të investimeve në sektorë parësorë apo tërheqjes së IHD-ve që sjellin vlerë të shtuar në vend, veçanërisht në kuadër të rivitalizimit të zonave teknologjike dhe zhvillimit ekonomik (TEDA).+
Gjatë punës suaj, cilat keni konstatuar si shqetësimet kryesore të biznesit dhe cilat janë rekomandimet tuaja për zgjidhjen e tyre?
Gjatë vitit 2023, shqetësimet kryesore të biznesit kanë qenë të lidhura kryesisht me qëndrueshmërinë e politikave fiskale, sfidat e konkurrueshmërisë të NVM, eficienca energjetike në ndërtim dhe transport, dixhitalizimi i shërbimeve dhe cilësia e ofrimit të shërbimeve publike të dixhitalizuara për bizneset, si dhe tërheqja e investimeve të huaja të qëndrueshme në vend.
Por ndryshimi i vazhdueshëm i legjislacionit, sidomos atij fiskal, krijon pasiguri dhe vazhdon të jetë një shqetësim i vazhdueshëm për biznesin.
Këtu vlen të sillet në vëmendje mungesa e koordinimit në kohë midis miratimit të masave ligjore dhe infrastrukturës operative dhe institucionale që bën të mundur zbatimin efektiv dhe pa keqkuptime të kuadrit rregullator.
Konkretisht, miratimi i ligjit 29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i cili u shoqërua gjatë 2023 me shumë diskutime dhe polemika mbi procesin e konsultimit publik dhe objektivat që synon të arrijë, pa hyrë ende në fuqi u ndryshua me akt-normativ, për shkak të pamundësisë së administratës tatimore për të implementuar në sistemin elektronik formularët e rinj të deklarimit, edhe pse nga strukturat përkatëse ishte premtuar që në mesin e 2023 çdo gjë ishte gati.
Sikurse kemi nënvizuar edhe më parë, zbatimi efektiv i kuadrit rregullator dhe rritja e përputhshmërisë së biznesit (këtu sigurisht nuk e kam fjalën për korporatat, por MSME që përfaqësojnë 99% të bizneseve në vend) me të kërkon si parakushte një marrëdhënie transparente dhe kohë të mjaftueshme për testimin e sistemeve që kemi ende të pakonsoliduara, veçanërisht tani që ka hyrë në funksionim edhe fiskalizimi.
Nga ana tjetër mbeten aktuale edhe disa problematika të natyrës sistemike, sikurse janë ato që lidhen me sigurinë juridike të pronës. Shërbimet e ofruara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, nëpërmjet platformës e-Albania janë vlerësuar si ndër më problematiket për biznesin. Kjo ka rezultuar si nga rezultatet e Anketave të Sekretariatit, ashtu edhe gjatë takimeve të zhvilluara me biznese dhe ekspertë, të cilët kanë sjellë jo vetëm perceptimin e biznesit, por edhe atë individual.
Ankesat e ngritura nuk lidhen vetëm me aspektet e digjitalizimit të shërbimeve të ofruara dhe funksionalitetin e tyre në platformë. Ato kanë të bëjnë me thelbin e shërbimit dhe të drejtën e pronësisë dhe qasjen e drejtorive rajonale të ASHK-së për t’u dhënë përgjigje aplikimeve të bëra nëpërmjet platformës e-Albania, pavarësisht se për pjesën më të madhe të aplikimeve, paguhen tarifat kadastrale dhe komisionet bankare të cilat arrijnë edhe 20% të tarifës.
Problematikat e evidentuara përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në:
(a) moskthimin e përgjigjeve për aplikimet e bëra sipas kartelave të informacionit dhe afateve ligjore në e-Albania;
(b) kthimin e përgjigjeve të paqarta dhe me referenca ligjore konfuze, shpesh duke iu referuar vetëm numrit të ligjit 111/2018 “Për Kadastrën” apo ligjit 20/2020 “Për Përfundimin e Proceseve Kalimtare të Pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe jo neneve konkrete;
(c) kërkesave për plotësimin e dokumenteve shtesë, të cilat disponohen ose janë lëshuar më parë nga vetë Kadastra, ose që mund të merren nga institucionet e tjera;
(d) moskonfirmimin e kopjeve të kartelave të pronësisë zyrave noteriale, sipas afateve ligjore, duke penguar transaksionet e pronësisë dhe ato bankare.
KI, në formatin e saj, mbetet një platformë e pavarur, dhe bazuar në anketimet dhe gjetjet kryesore gjatë punës sonë në vitin 2023, më specifikisht mund të theksojmë se:
–Pagat e ulëta perceptohen si një faktor dominues i pakënaqësisë dhe dekurajimit për punonjësit/punëkërkuesit në tregun vendor të punës në sektorin privat, sipas të dhënave të mbledhura nga Sekretariati në një pyetësor me 262 të rinj, me rreth një të pestën e të punësuarve/punëkërkuesit, duke e përmendur atë si sfidën kryesore të tregut të punës.
Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, për aktivitetet ekonomike të industrisë, ndërtimit dhe shërbimeve, kostoja mesatare e punës në orë për punonjës në njësitë me kohë të plotë në Shqipëri është më e ulët se në vendet anëtare dhe kandidate të BE-së.
Paga mbetet problematikë në tregun e punës – Një përqindje e konsiderueshme e kompanive (34%) kanë më shumë se 50% të punonjësve me pagë minimale (Anketim i Sekretariatit). Pavarësisht rritjes së kostove, rreth 50% e kompanive mbështesin në parim rritjen e mëtejshme të pagës minimale, kryesisht në shërbime, tregti dhe turizëm. Rreth një e treta e kompanive mendojnë se kjo do të ndihmojë në frenimin e largimit të fuqisë punëtore në vend, kryesisht në turizëm, tregti dhe industri.
-Shqipëria renditet ulët në produktivitetin e punës dhe ka nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar për të rritur produktivitetin. Kultura e punës dhe kualifikimet e papërshtatshme midis punëkërkuesve mbeten shqetësimet më të përsëritura për punëdhënësit
–Ka një konsensus të gjerë mes sektorit privat për sa i përket efektivitetit dhe komoditetit të të bërit biznes falë dixhitalizimit të shërbimeve publike në dispozicion të bizneseve. Ndërsa digjitalizimi i shërbimeve publike vlerësohet gjerësisht, ka ende shqetësim në lidhje me efikasitetin, aksesin, transparencën dhe reagimin në kohë si të administratës qendrore, ashtu edhe asaj lokale.
Digjitalizimi i shërbimeve publike është mirëpritur nga biznesi dhe sektori percepton ulje të barrës administrative, si rezultat i digjitalizimit të shërbimeve publike, si dhe Reduktim të praktikave korruptive si rezultat i minimizimit të kontaktit njerëzor.
Megjithatë, nga diskutimet kualitative me grupe të fokusuara, një “barrë tjetër administrative” e brendshme e kompanisë duket se po lind, sidomos për kompanitë e vogla dhe të mesme – përshtatja me digjitalizimin në mënyrë që këto kompani t’i përthithin dhe t’i përdorin si duhet shërbimet online.
Kjo është e lidhur me nivelin e digjitalizimit të brendshëm të kompanive dhe me rritjen e njohurive digjitale të punonjësve të tyre (aftësimi teknologjik, apo pagesa të shtuara për angazhimin e ekspertëve të fushës). Menaxhimi elektronik i dokumenteve, arkivimi, përdorimi i nënshkrimit elektronik (jo vetëm në mënyrë rastësore) madje deri edhe përdorimi bazik i platformave online janë sfida për NVM-të.
–Kompanitë janë të gatshme të përdorin pagesat online gjatë përftimit të shërbimeve publike në platformat online, por kanë rezerva në drejtim të elementeve të sigurisë së të dhënave të tyre. Pagesat online për përfitimin e shërbimeve publike digjitale konsiderohen të pazhvilluara dhe me mungesa.
Mbrojtja e identitetit online konsiderohet si sfiduese bazuar në perceptimet e sektorit privat. Pavarësisht zhvillimeve dhe arritjeve publike në krijimin e platformave të sigurta dhe të pajisura me elementet përkatëse në lidhje me mbrojtjen e të dhënave online të përdoruesve të tyre, sërish siguria ngelet elementi më problematik bazuar në perceptimet e sektorit privat dhe përdoruesit kanë nevojë për ndërgjegjësim në këtë drejtim.
Ky perceptim i “sigurisë” dhe “konfidencialitetit” është shumë i rëndësishëm të trajtohet, pasi ka të bëjë drejtpërsëdrejti me besimin tek institucionet dhe me të “bërit biznes në mënyrë të ndershme dhe të drejtë”.
Perceptimi mund të “inflacionohet” edhe nga fakti që shpeshherë nuk është e qartë se çfarë informacioni është konfidencial dhe çfarë publik, kur vjen puna te biznesi/pronarët/punonjësit.
–Nga ana tjetër, mbështetja digjitale ose shërbimi ndaj klientit i ofruar përmes kanaleve digjitale si email, chat, aplikacionet celulare, mediat sociale, etj., konsiderohet i pamjaftueshëm dhe cenon efikasitetin e shërbimeve digjitale të ofruara të cilat shpesh vlerësohen se nuk merren në kohën e duhur.
Në analizat tona, rezulton se ka ende mjaft subjekte që do të parapëlqenin një shërbim me telefon/kontakt në lidhje me problematikat e veçanta që lidhen si me QKB apo Tatimet.
Ka dallime të theksuara mes ofrimit të shërbimeve në nivel qendror dhe lokal. Aktualisht pushteti vendor konsiderohet i paintegruar në platformat e shërbimeve online dhe bizneset i perceptojnë platformat ekzistuese lokale si bazë dhe në mungesë shërbimesh.
Në fund të vitit 2023, Shqipëria u hoq nga lista gri e FATF/MONEYVAL, për shkak të plotësimit të disa rekomandimeve. Ky zhvillim pritet të sjellë shumë implikime pozitive në lidhje me reputacionin e vendit dhe të ulë kostot e transaksioneve financiare vendase dhe ndërkombëtare, nëpërmjet bankave.
Ndërkohë, Qeveria nisi planin e saj për një rritje të konsiderueshme të pagave në sektorin publik, duke synuar rritjen e konkurrencës në sektorin e tregut dhe nxitjen e rritjes së pagave edhe në sektorin publik. Sipas këtij plani, paga mesatare e e pritshme në vend parashikohet të rritet me 67% në vitin 2024, krahasuar me vitin 2022, që besoj do të ndikojë edhe nivelin e pagave në sektorin privat.
Gjatë vitit 2023, Sekretariati i Këshillit të Investimeve ka dhënë input të konsiderueshëm, duke ofruar të dhëna mbi strategjitë dhe dokumentet e rëndësishme në politikëbërje, si:
(1) raportimi në Komisionin e BE-së si pjesë e takimit dypalësh Shqipëri-BE, për shqyrtimin analitik të kapitullit të grupit të parë, “Bazat” ku platforma e KI u paraqit si një model eficient dialogu publik-privat
(2) sugjerimi për përfshirje në Strategjinë e Specializimit të zgjuar, i 59 rekomandimeve të KI.
(3) prioritizimi i 23 rekomandimeve për t’u përfshirë në Strategjinë për Decentralizimin dhe Vetëqeverisjen Lokale 2023-2030.
(4) kontribut në finalizimin e angazhimeve të Planit Kombëtar mbi Partneritetin e Qeverisjes së Hapur – OGP.
(5) evidentuar 34 rekomandime për t’u përfshirë në Programin e Reformës Ekonomike 2024-2026 sipas reformave kryesore strukturore të propozuara.
Dëshiroj të theksoj se nga analiza e progresit të rekomandimeve të KI, ka pasur disa dinamika pozitive, që rezultuan në progresin e 44 rekomandimeve të KI:
Evidentohet progres i qëndrueshëm në drejtim të inkurajimit të përpjekjeve në turizëm, nëpërmjet një qasjeje të harmonizuar p.sh., me miratimin nga Këshilli i Ministrave të planeve specifike të detajuara të Zonave të Rëndësisë Kombëtare, në kuadër të planeve urbanistike ekonomike; një promovim të përmirësuar ndërkombëtar të ofertës turistike, nëpërmjet nismave të ndryshme që synojnë rritjen e vizibilitetit të sektorit të turizmit në Shqipëri në shkallë globale; përmirësime në qeverisjen e sektorit të turizmit, duke nxitur bashkëpunimin edhe në nivel lokal; ndërkohë që stimulohen përpjekje për formalizimin e aktiviteteve të promovuara nga platformat e prenotimeve online.
Ndërsa për sektorin e bujqësisë do të veçonim disa nisma ligjore të ndërmarra për të rritur saktësinë e hartave të tokës dhe për të qartësuar të drejtat e pronësisë në zona me rëndësi ekonomike përmes autorizimit të task forcave ndërinstitucionale të koordinojnë proceset e shfrytëzimit; stimulimi i aktiviteteve agropërpunuese me vlerë të shtuar sidomos për bizneset e përfshira në sektorin e fruta-perimeve dhe për më tepër, apo Portalin e Fermerit në prill 2023, që u ofron fermerëve informacion në kohë reale të tregut, duke nxitur një lidhje më të mirë me mbledhësit dhe shpërndarësit dhe duke kontribuar në efikasitetin e zinxhirit të vlerës bujqësore.
Janë ndërmarrë gjithashtu disa ndërhyrje legjislative në sektorin e Energjisë, që synojnë të rrisin efikasitetin, qëndrueshmërinë dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, të promovojnë një treg konkurrues të energjisë, të lehtësojnë aksesin në informacion dhe të nxisë adoptimin e gjerë të energjisë së rinovueshme në Shqipëri.