Debat mbi stimulimin e investimeve dhe burimet e rritjes ekonomike

Shtator 24, 2019

Stimulimi i Investimeve dhe Sektorët Prioritarë” është tema e radhës që pritet të diskutohet në tryezën e Këshillit të Investimeve (KI) në fillim të muajit tetor. Analiza e Sekretariatit do të synojë nxitjen e debatit mbi opsionet e rritjes së qëndrueshme të investimeve dhe burimeve potenciale. Analiza do të ketë në fokus dinamikat e fundit të rritjes ekonomike të vendit si dhe perceptimet reale të sektorit privat. Në konsideratë janë marrë raportet dhe studimet më të fundit të BERZH, BB, FMN, EU, ndërsa statistikat janë konsultuar me Bankën e Shqipërisë dhe INSTAT. Gjatë muajit shtator, Sekretariati ka zhvilluar mbledhje individuale me rreth 40 aktorë, nga të cilët 17 janë CEO të bizneseve të profileve të ndryshme (telekomunikacion, industri, agro-përpunim, etj.) në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Korçë.

Ditën e martë (24 shtator 2019), Sekretariati diskutoi gjetjet dhe rekomandimet paraprake në një mbledhje në nivel teknik me përfaqësues të shoqatave dhe dhomave të tregtisë dhe industrisë. Në fokus të diskutimeve ishin:

i) Vizioni mbi sektorët prioritarë me të cilët Shqipëria mund të konkurrojë;

ii) Sfidat e së ardhmes, cilësia e fuqisë punëtore, mungesa e të dhënave/analizave/impaktit konkret të strategjive kombëtare dhe planeve të veprimit;

iii) Sugjerime mbi ndërhyrjet prioritare që mund të nxisin investimet dhe të diversifikojnë burimet e rritjes ekonomike.

Gjatë mbledhjes, Sekretariati informoi pjesëmarrësit se është duke punuar për ngritjen e një grupi pune “Mbi Investimet”, i cili pritet të trajtojë më specifikisht problematika të caktuara në këtë fushë.

Tema për stimulimin e investimeve është pjesë e axhendës së KI-së për vitin 2019.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)