E drejta e Pronës

Çështja e të drejtave të pronës konsiderohet sot ende si një problem madhor në lidhje me zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht të klimës së investimeve. Reforma e të drejtave të pronës është një çështje me ndikim të madh në konsolidimin e zbatimit të ligjit dhe të nxitjes së investimeve dhe zhvillimit ekonomik. Pasiguria mbi pronën mbetet një nga pengesat kryesore për zhvillimin e sektorit privat, dhe një pengesë e madhe për investorët e huaj. Mbrojtja e të drejtave të pronës nevojitet të forcohet më tej, duke përfshirë rishikimin e strategjisë 2012 për reformën në fushën e pronës dhe forcimin e sigurisë së pronësisë ligjore.

Dixhitalizimi i informacionit të ofruar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk ka përfunduar ende. Tregu i pasurive të patundshme është duke u përballur vazhdimisht me sfida të ndryshme të cilat në një numër të konsiderueshëm vijnë si rrjedhojë e mungesës së një sistemi të qartë funksional i të drejtave mbi pronën e patundshme. Sistemi i pronave të patundshme nuk është ende i koordinuar me databazat e institucioneve të tjera publike.

Në anën tjetër, shumë çështje të pazgjidhura mbi pronësinë e tokës janë në pritje për t’u proçeduar nga autoritetet gjyqësore shqiptare, ndërsa numri i çështjeve që i janë drejtuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut është në rritje. Në përkeqësim është gjithashtu edhe treguesi i lehtësisë së regjistrimit të një prone. Në Shqipëri, duhen 22 ditë për të regjistruar një titull prone, dhe ndërsa kjo kohëgjatje mbetet e pandryshur krahasuar me një vit më parë, kosto e regjistrimit të një prone është rritur dukshëm nga 9.9 për qind e çmimit të pronës për vitin e kaluar në 10.2 për qind për këtë vit.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, BERZH dhe Nisma e Evropës Qendrore (CEI).