E drejta e Pronës

Çështja e të drejtave të pronës konsiderohet sot ende si një problem madhor në lidhje me zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht të klimës së investimeve. Reforma e të drejtave të pronës është një çështje me ndikim të madh në konsolidimin e zbatimit të ligjit dhe të nxitjes së investimeve dhe zhvillimit ekonomik. Pasiguria mbi pronën mbetet një nga pengesat kryesore për zhvillimin e sektorit privat, dhe një pengesë e madhe për investorët e huaj. Mbrojtja e të drejtave të pronës nevojitet të forcohet më tej, duke përfshirë rishikimin e strategjisë 2012 për reformën në fushën e pronës dhe forcimin e sigurisë së pronësisë ligjore.

Dixhitalizimi i informacionit të ofruar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk ka përfunduar ende. Tregu i pasurive të patundshme është duke u përballur vazhdimisht me sfida të ndryshme të cilat në një numër të konsiderueshëm vijnë si rrjedhojë e mungesës së një sistemi të qartë funksional i të drejtave mbi pronën e patundshme. Sistemi i pronave të patundshme nuk është ende i koordinuar me databazat e institucioneve të tjera publike.

Në anën tjetër, shumë çështje të pazgjidhura mbi pronësinë e tokës janë në pritje për t’u proçeduar nga autoritetet gjyqësore shqiptare, ndërsa numri i çështjeve që i janë drejtuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut është në rritje. Në përkeqësim është gjithashtu edhe treguesi i lehtësisë së regjistrimit të një prone. Në Shqipëri, duhen 22 ditë për të regjistruar një titull prone, dhe ndërsa kjo kohëgjatje mbetet e pandryshur krahasuar me një vit më parë, kosto e regjistrimit të një prone është rritur dukshëm nga 9.9 për qind e çmimit të pronës për vitin e kaluar në 10.2 për qind për këtë vit.

 

Çfarë ka trajtuar Këshilli i Investimeve?

Problematikat e pronësisë si një nga pengesat më kryesore për stimulimin e investimeve në vend dhe përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit, janë evidentuar në pothuaj të gjitha temat e analizuara nga Sekretariati dhe të diskutuara në KI, si informaliteti në ekonomi, Incentivat e Investimeve, Aksesi në Financë, Ankimimi Administrativ, Portali e-Lejet, Informaliteti në Turizëm, etj,

Gjatë vitit 2019, Këshilli i Investimeve u përpoq të trajtonte disa herë më specifikisht problematikat e pronësisë. Në maj 2019, Sekretariat përgatiti një analizë “Mbi Investimet dhe Sigurinë Juridike të Pronës.” Analiza u krye në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat e biznesit, ekspertë të fushës, si edhe me institucionet përgjegjëse të cilat kontribuan në mënyrë aktive për të mundësuar evidentimin e problematikave më kryesore të pronësisë në këndvështrimin e biznesit dhe dhënien e sugjerimeve për prioritizimin e ndërhyrjeve në koherencë edhe me zhvillimin e sektorëve strategjikë të vendit. Për më shumë informacion mbi materialet dhe rekomandimet e mbledhjes, kliko këtu.

Ndërkohë, në tetor 2019, Sekretariati përgatiti një dokument për diskutim “Mbi Pontencialet e Investimeve dhe Sektorët Prioritarë”, ku sërish u trajtuan një mori problematikash në lidhje me pronën. Për më shumë informacion mbi materialet dhe rekomandimet e mbledhjes, kliko këtu.

Shkurtimisht, është theksuar që a) nuk ka ende një regjistër unik të plotë dhe të konsoliduar të pronave të paluajtshme, i cili ndikoi në mënyrë të veçantë në vendimin e investitorëve potencialë në bujqësi dhe turizëm, b) megjithëse është parashikuar me legjislacion krijimi i Fondit për Mbështetje Strategjike të Fondit të Pasurive të Paluajtshme, deri më sot nuk ka ende një regjistër gjithëpërfshirës të këtyre pronave, statusit dhe kategorisë së tyre, c) kufizimet në lidhje me të drejtën e pronësisë janë gjithashtu një problematikë e identifikuar nga BE, investitorët dhe ekpertët e huaj gjatë fazave të konsultimit për projektligjin e ri të investime, si një kufizim formal për investitorët e huaj.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)