Energjia

Shqipëria është renditur shumë ulët në treguesin e lehtësisë së lidhjes me rrjetin e energjisë elektrike për bizneset e rinj. Sipas Bankës Botërore, në Shqipëri kërkohen gjashtë procedura dhe 177 ditë kohë për lidhjen e energjisë elektrike (afërsisht gjashtë muaj). Në krahasim me vitin e kaluar, ky tregues ka ardhur në përkeqësim për shkak se kostoja e lidhjes me rrjetin është rritur ndjeshëm. Sipas BB, në vitin e kaluar, pagesa për lidhje të re me rrjetin e energjisë qe e barabartë me 474 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto për Frymë ndërsa këtë vit, kostoja është rritur në 492 për qind.

Burimet ujore janë një pasuri kombëtare për Shqipërinë. Rreth 98 përqind e energjisë së Shqipërisë prodhohet nga hidrocentralet. Lumi Drin prodhon rreth 90% të energjisë përdorur nga industria vendase dhe familjet në Shqipëri. Varësia e madhe në hidrocentrale sjell sfida. Aktualisht, Shqipëria mbështetet pothuajse tërësisht në prodhimin e hidrocentraleve për të përmbushur nevojat e saj në rritje për energji (ku përfshihet 98 për qind e prodhimit total për energji), duke e bërë atë mjaft të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike. Qeveria duhet të diversifikojë sistemin e energjisë duke përkrahur zhvillimin e pasurive për prodhimin e energjive të rinovueshme (të tilla si diellore, hidrocentrale të vogla, me erë dhe biomasa) dhe termocentralet nëpërmjet investimeve të reja. Ndryshimet klimatike ka të ngjarë të kenë një efekt negative në prodhimin e hidrocentraleve: deri në vitin 2050,   prodhimi mesatar vjetor I energjisë nga hidrocentralet e mëdha mund të ulet me rreth 15% dhe nga hidrocentralet e vogla me rreth 20%. Në shkurt 2015, Qeveria hartoi një Plan Financiar Rekuperimi për Sektorin e Energjisë, zbatimi i të cilit mbështetet nga Banka Botërore.

Gjatë viteve të fundit ka patur investime të rëndësishme në sektorin e energjisë nga investitorë vendas dhe të huaj nëpërmjet kontratave me konçesione për ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve elektrikë. Sfida kryesore për investime të tilla është që të inkorporohet energjia e prodhuar me sistemin kombëtar nëpërmjet një modeli të qëndrueshëm tregu i cili optimizon interesin privat dhe publik. Kuadri i forcuar legjislativ dhe njohuritë teknike bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare do të tërheqin investime në sektorin e hidrocentraleve dhe energjisë me erë sikurse edhe të asistojnë Shqipërinë të përmbushë detyrimet e saj sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë për zhvillimin e energjisë së rinovueshme.

Sfida kryesore për vendin është të bëhet i vetë mjaftueshëm (i pavarur), për të qenë në gjendje të përmbushë të gjitha nevojat e tij për energji, duke përmirësuar rrjetin e transmisionit dhe shpërndarjes dhe të ulë humbjet në rrjetin e shpërndarjes. Së fundmi, qëllimi afat-mesëm është që Shqipëria të bëhet një lojtar i rëndësishëm në tregun e energjisë rajonale duke eksportuar kapacitetet e tepërta.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)