Grupi Punës për Energjinë

Konteksti:

Aktualisht, Qeveria Shqiptare ka në fokus të veçantë tërheqjen e investimeve vendase dhe të huaja. Energjia mbetet një nga sektorët prioritarë të vendit dhe aktualisht sektori është në process plotësimi të kuadrit ligjor në sektorin e energjisë së rinovueshme, si edhe po procedohet me përmbushjen e kërkesave te Sekretariatit Teknik të Energjisë, fazë tranzitore e rëndësishme, përsa i përket kërkesave rregullatore që vijnë në rritje. Buxheti i shtetit përfshin respektimin e incentivave konkrete për nxitjen e investimeve në energji. Dhënia e burimeve natyrore (hidrokarburet) nuk mund të jetë më e fragmentuar sikurse bërë deri më sot. Shqipëria është bërë tërheqëse për kompani të mëdhaja (si p.sh. SHELL) të cilat e fusin Shqipërinë jo vetëm në tregun rajonal, por edhe në atë botëror. Ndonëse investimet e mëdha janë në përfundim, vendi është në prag të investimeve të mëdha në infrastrukturë, si p.sh. aeroporti i Vlorës, aeroporti i Sarandës, etj. Brenda 3-vjeçarit të ardhshëm, investimet në infrastrukturë do të jenë të mëdha. Burimet natyrore dhe energjia janë pasuri të rëndësishme dhe do të vazhdojnë të luajnë një rol kryesor në PBB-në e vendit. Sidoqoftë, zhvillimi i tyre duhet të marrë parasysh qëndrueshmërinë e mjedisit, si dhe ndikimin në potencialin e sektorëve të tjerë të ekonomisë, siç është turizmi.

***

Më 4 tetor 2019, Këshilli i Investimeve nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj dhe me pjesëmarrjen e posaçme të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku zhvilloi mbledhjen: “Mbi Potencialet e Investimeve dhe Sektorët Prioritarë”. Nga kjo mbledhje u sugjerua vijimi i diskutimeve në nivel teknik në kuadrin e grupeve të përbashkëta të punës midis MFE dhe MIE.

 

Objektivi

Një nga objektivat kryesore të këtij grupi pune është të vlerësojë potencialet për investime në sektorin e energjisë dhe të propozojë një plan të koordinuar pune me të gjitha palët e përfshira me qëllimin përfundimtar të krijimit të kushteve të favorshme për investime në sektorin e energjisë. Gjithashtu, ky grup teknik do të lehtësojë dhe propozojë procedurat e nevojshme ligjore dhe rregullatore që synojnë të vlerësojnë, përgatisin dhe zbatojnë veprimet e nevojshme konkrete për zhvillimin e sektorit të energjisë.

Mbledhja e I-rë

Në vijim të Urdhërit të Përbashkët te Punës midis MFE dhe MIE,  me objekt vleresimin e potencialeve per investime në sektorin e energjisë, mbledhja e parë në nivel teknik u mbajt më 25 shkurt 2020 me pjesëmarrjen e 9 përfaqësuesve, në ambjentet e MFE. Ndër detyrat kryesore të grupit të punës është edhe ndjekja e masave konkrete në vijim të zbatimit të Strategjise së Energjisë 2018-2030, përfshirë edhe debatin mbi një strategji afatgjate mbarëkombëtare me një vizion të qartë, mbi sektorët prioritarë me potenciale per investime.

Pikat diskutimit ku u fokusua mbledhja e parë ishin:

  1. Prezantimi i objektit, metodologjisë, anëtarëve dhe produktit të grupit të punës
  2. Cilat janë zhvillimet aktuale ligjore dhe rregullatore për sektorin/nënsektorët dhe çfarë mund të presin investitorët, kapacitetet reale për investime të nën-sektorëve prioritarë në ENERGJI/BURIME NATYRORE.
  3. Cilat mund të jenë masat konkrete në vijim për të tërhequr investitorë dhe financime
Mbledhje e parë e Grupit të Punës për Sektorin e Energjisë. Tiranë, 25 shkurt 2020

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)