Incentivat e Investimeve

Sipas Raportit “Regular Economic” (Banka Botërore, 2016), ekonomitë e Ballkanit Perëndimor konsiderohen ende ekonomi në tranzicion, të cilat kanë përjetuar një rritje të fluksit të investimeve të huaja direkte (IHD) për 2006 – 2014. Pesha mesatare e fluksit ndaj PBB-së, ka qenë e konsiderueshme kryesisht për Malin e Zi me 14%, për Shqipërinë me 8.2% dhe Serbinë me 7.7%.  Ndërkohë, rajoni shikohet me shumë interes nga investitorët e huaj për avantazhet që mbart si: 1) perspektiva europiane; 2) stabiliteti makroekonomik; 3) vendndodhja gjeografike; 4) taksa të favorshme: 5) ekonomi të ndryshme; 6) kosto e lirë e punës e kombinuar me 7) një popullsi relativisht të arsimuar (Peter Sanfey, 2016).

Sidoqoftë, pasojat e krizës globale u reflektuan në Vendet e Ballkanit Perëndimor pas vitit 2008 me rënie të ndjeshme të rritjes ekonomike, ku sipas të dhënave ende nuk po arrin të rikuperohet në normën e përpara krizës. Çështja që ngrihet për zgjidhje nga politikëbërësit dhe ekspertët është se cilat do të jenë burimet e rritjes në rajon? Një nga alternativat mbetet tërheqja e investimeve të huaja të qëndrueshme në rajon në përgjigje të avantazheve krahasuese të secilit vend. Ndaj, vendet e rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë, kanë ndërmarrë politika nxitese deri diku agresive, për të qenë sa më konkuruese në thithjen e investimeve të huaja. Por a janë të mjaftueshme vetëm këto incentiva për të thithur investime produktive në ekonomi?

Çfarë është bërë:

Në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA), Sekretariati përgatiti një Notë Teknike me qëllim evidentim të politikave të incentivave për investime në Shqipëri, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, të sjellë këndvështrimin e investitorëve mbi këto politika, por edhe shqetësimet konkrete të tyre mbi klimën e të bërit biznes në vend.

Statistikat e shfrytëzuara për këtë analizë janë konsultuar edhe me Bankën e Shqipërisë, INSTAT, QKB.  Rreth 20 takime u zhvilluan me përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe kompani të mëdha që investojnë në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit. Gjithashtu, janë marrë në konsideratë raportet dhe studimet më të fundit të BERZH, OECD, GIZ, DIHA për klimën e investimeve dhe konkurueshmërinë e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në veçanti.

Më 27 Prill 2016, Këshilli i Investimeve diskutoi temën “Incentivat për Nxitjen e Investimeve: Shqipëria krahasuar me Vendet e Ballkanit Perëndimor.” Për më shumë informacion mbi materialet e mbledhjes, kliko këtu.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, BERZH dhe Nisma e Evropës Qendrore (CEI).