Këshilli i Investimeve Diskuton Mbi Potencialet për Investime dhe Sektorët Prioritarë

Tetor 4, 2019

Tiranë, E Premte, 4 tetor 2019 / Nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Investimeve, me temë diskutimi “Mbi potencialet për investime dhe sektorët prioritarë”. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku (e ftuar e veçantë), si edhe përfaqësues të sektorit publik dhe privat—anëtarë të KI.

Në fjalën e saj hapëse, Ministrja Denaj vlerësoi takimin si një mundësi shumë të mirë për dialog mes palëve për nxitjen e sektorëve vitalë të ekonomisë në modele zhvillimi të qëndrueshëm. Sipas Ministres Denaj, konsolidimi fiskal dhe politika ekonomike sektoriale, do të mundësojnë një rritje ekonomike të strukturuar në nivel afatmesëm.

Objekti i analizës, përgatitur nga Sekretariati i KI në kuadër të kësaj mbledhje, është stimulimi i debatit mbi opsionet e rritjes së qëndrueshme të investimeve dhe burimeve potenciale. Disa nga gjetjet e analizës, bazuar edhe në konsultimet me përfaqësues të sektorit privat, janë fokusimi i politikave me prioritetet sektoriale (p.sh. agropërpunimin, burimet natyrore, TEDA, dhe dixhitalizimi), përgatitja në kohë e burimeve njerëzore në përputhje me kërkesat e tregut të punës, mbështetje për SME-të dhe mirëadministrim fiskal, mirëadministrim dhe transparencën e investimeve publike, qasje strategjike për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, si edhe angazhimin e bizneseve për të bashkëpunuar në nivel sektorial për të tërhequr fonde.

Palët vlerësuan si tepër të rëndësishëm krijimin dhe mbajtjen e një reputacioni të mirë të vendit për tërheqjen e investitorëve  te huaj. Ata theksuan se burimet natyrore dhe energjia janë pasuri për vendin dhe duhet të zhvillohen në mënyrë konkurruese dhe me standarde të larta pa dëmtuar mjedisin e vendit dhe pa penguar sektorë të tjerë (si p.sh. turizmin, etj.) dhe se zhvillimi i qëndrueshëm duhet të vijë nëpërmjet bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme. Gjithashtu, ata nënvizuan disa nga sfidat në drejtim të qëndrueshmërisë, si të drejtat e pronësisë, burokracia e administratës publike si dhe implementimi në kohë i ndryshimeve ligjore. Ndër të tjera, Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, informoi mbi krijimin e rrjetit te koordinatorëve të dedikuar të biznesit në çdo ministri dhe institucione kryesore, me synim zgjidhjen e rasteve të burokracisë së stërzgjatur nëpër institucione.

Materialet e plota të mbledhjes do të publikohen së shpejti në faqen e KI. Për më shumë informacion, na vizitoni sërish.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)