Search
Close this search box.

Këshilli i Investimeve – Nga Pagat e Ulëta tek Produktiviteti i Punës për një Rritje të Qëndrueshme

Tiranë, 18 prill 2023 / Këshilli i Investimeve (KI), i drejtuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, zhvilloi një mbledhje për të diskutuar sfidat kryesore të sipërmarrësve me temën “Nga Pagat e Ulëta tek Produktiviteti në Punë”. Mbledhja u fokusua në parashtrimin e komenteve të komunitetit të biznesit në lidhje me vendimin për rritjen e pagës minimale (hyrë në fuqi më 1 prill 2023), dhe rritjet e mundshme te kostos. Objekti kryesor ishte rritja e eficencës së përpjekjeve të përbashkëta në mbështetje të sektorëve specifikë dhe fokusimi i debatit publik nga pagat e ulëta tek produktiviteti në punë. Në mbledhje morën pjesë të gjithë anëtarët e KI-së dhe rreth njëzet vëzhgues, përfaqësues të sektorit publik dhe privat dhe agjencive për zhvillim.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj shpjegoi se vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale është konsultuar më parë me përfaqësues të përzgjedhur (më të prekur) të biznesit përmes formateve të tjera, dhe nuk ka si qëllim të ngarkojë biznesin me kosto shtesë. Përkundrazi, vendimi u mor me synimin për të krijuar një të ardhme të qëndrueshme ekonomike, me qëllim rritjen e produktivitetit, rritjen e pagave në tërësi dhe reduktimin e informalitetit. Kjo përpjekje do të mbetet një proces i vazhdueshëm dhe qeveria planifikon të rrisë gradualisht pagën minimale në 45,000 lekë deri në vitin 2025. Ministrja inkurajoi veçanërisht bizneset e mëdha që paralelisht me rritjen e pagave të kenë në fokus të tyre edhe krijimin e një politike të rritjes dhe kualifikimin e burimeve njerëzore si edhe informoi për disa nga ndërhyrjet e mundshme të Qeverisë në këtë drejtim.

Sekretariati prezantoi shkurtimisht gjetjet e një studimi bazuar në një analizë paraprake studimore dhe një anketë të kryer me 506 kompani, me fokus ndikimin e rritjes së pagave në produktivitetin në punë, motivimin e punonjësve, konkurrencën në treg dhe perspektiva e sipërmarrësve për rritjen e mundshme të pagave.

Gjatë sesionit të diskutimit të hapur, përfaqësuesit e biznesit (Bashkimi i Prodhuesve, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Dhoma e Biznesit të Diaporës, AmCham, DIHA, Dhoma Ekonomike e Gruas, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Proeksport Albania dhe KASH) ndanë pikëpamjet e tyre dhe parashtruan shqetësime dhe sugjerime të vlefshme se si të përmirësohet më mirë procesi i rritjes së pagave. Ndërsa në parim, shprehën mbështetje për iniciativën, theksuan rëndësinë thelbësore të bashkëpunimit dhe mbështetjes për cilësinë e edukimit dhe rritjen e aftësive, rritjen e disponueshmërisë së fuqisë punëtore veçanërisht në nivelin profesional, përmirësimin e mirëqenies së stafit, përmirësimin e cilësisë së reagimit të administratës publike dhe konsultimin paraprak të masave të tilla. Bizneset theksuan gjithashtu nevojën për përmirësimin e përpjekjeve kundër informalitetit, për të pasur më shumë parashikueshmëri në taksa, mbështetje për gratë sipërmarrëse dhe ndoshta të konsiderohet më shumë fleksibilitet në kodin e punës. Mbledhja u mbyll me mirëkuptimin se rritja e qëndrueshme ekonomike kërkon bashkëpunim dhe mbështetje nga të gjithë aktorët dhe sugjerimet do të ndiqen më specifikisht në grupe teknike për çështje të produktivitetit dhe cilësisë së edukimit, të drejtave dhe detyrave të punonjësve dhe rritjes së aftësive. 

*****

Materialet e plota të këtij takimi do të publikohen në javët në vijim në seksionin tonë të dedikuar https://www.investment.com.al/sq/mbledhjet-e-keshillit-te-investimeve/.