KËSHILLI INVESTIMEVE: LAJMET KRYESORE, KORRIK – SHTATOR 2021

PUBLIKIMI I GJETJEVE TË ANKETËS SË KI “IMPAKTI I COVID-19 MBI BIZNESIN” (2021)

Gusht 2021

Ky vlerësim është një iniciativë e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve për të mbledhur problematika mbi efektet e pandemisë së COVID-19 mbi aktivitetin e biznesit, kryer për të dytin vit rradhazi gjatë periudhës prill-maj 2021. Anketa përmbante 30 pyetje të mbyllura dhe të hapura (70% të njëjta me anketën e mëparshme të vitit 2020), dhe u krye online me pjesëmarrjen e 417 kompanive.

Disa nga gjetjet kryesore të këtij vlerësimi:

  • Pandemia përshpejtoi nevojën e kompanive për t’u orientuar drejt inovacionit, 57% e të intervistuarve deklaruan se ndryshuan planet e tyre të investimit drejt inovacionit, kryesisht në teknologji te reja dhe menaxhim të risku;
  • Nga 23% e kompanive të cilat pranuan se kishin përdorur punën online, më shumë se gjysma e tyre deklaruan se puna online do të konsiderohej si një alternativë ndaj punës në zyrë edhe në të ardhmen.

LEXO MË SHUMË >

 

RAPORTIM MBI ECURINË E REKOMANDIMEVE TË KI PËR GJYSMËN E PARË TË 2021

Gusht 2021

Pavarësisht situatës së vështirë, është shënuar një ecuri pozitive në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të KI – ku vërejmë zbatimin me rreth 38% nga 264 rekomandime të miratuara në 24 mbledhje plenare që prej vitit 2015. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2021, kemi identifikuar progres në 15 rekomandime duke reflektuar gjithashtu një mbështetje për rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë së Covid-19.
Nga këto rekomandime, vlen të përmendet:

  1. Prioritizimi i digjitalizimit dhe përshpejtimi i mbulimit kombëtar me brez të gjerë;
  2. Saktësimi dhe harmonizimi i të dhënave statistikore kombëtare referuar nivelit të përdorimit dhe aksesueshmërisë në TIK nga bizneset;
  3. Thjeshtimi dhe koordinimi më i mirë i informacionit mbi projektet evropiane që mbështesin NVM-të në Shqipëri;
  4. Përshpejtimi i tregtisë elektronike.

LEXO MË SHUMË >

 

NISJA E KONSULTIMEVE – MBLEDHJE E ARDHSHME E KI “MBI NDËRKOMBËTARIZIMIN E NDËRMARRJEVE MIKRO, TË VOGLA DHE TË MESME”

Gusht 2021

Kjo temë vjen si kërkesë e anëtarëve të KI për të diskutuar mbi sfidat e integrimit të NMV-ve shqiptare në tregjet rajonale dhe më gjerë, si edhe në kuadër të përpjekjeve të Sekretariatit për të analizuar problematikat e biznesit në mënyrë sistemike. Fokusi i analizës tonë do të ketë edhe një qasje sektoriale për NMVM-të në turizëm, agro-përpunim, BPO dhe fason.
KI synon të eksplorojë dhe analizojë problematikat e mundshme nga perspektiva e vetë NMVM-ve duke u ndaluar në 4 shtyllat kryesore:

  1. Konteksti dhe ambienti ku NMVM shqiptare operojnë;
  2. Kapacitetet menaxheriale dhe operacionale të NMVM-ve;
  3. Aksesi dhe informacioni për tregjet/klientët rajonal dhe më gjerë;
  4. Kapacitetet financiare.

 

KRYETARJA E RE E KËSHILLIT TË INVESTIMEVE

Shtator 2021

Pas zgjedhjeve të prillit, Kryeministri Edi Rama emëroi kabinetin e tij të ri të ministrave në shtator, duke sjellë disa ndryshime në drejtimin dhe përfaqësimin e Këshillit të Investimeve. Ministrja e Re e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, është tashmë Kryetarja e re e KI, duke zëvendësuar znj. Anila Denaj, e cila drejtoi Këshillin nga viti 2019-2021. Ndërkohë, Ministrja e re për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, znj. Edona Bilali, zëvendëson ministrin e mëparshëm, z. Eduard Shalsi në tryezën e Këshillit të Investimeve. Në fund të shtatorit, Sekretariati organizoi një takim prezantues me Ministren e re të Financave dhe Ekonomisë dhe kabinetin e saj për t’i informuar ata mbi aktivitetin e Këshillit të Investimeve dhe përgatitjet për mbledhjen e ardhshme plenare.

 

PRIORITETET PËR ZHVILLIMIN E QËNDRUESHËM TË VENDIT – SEKRETARIATI I KËSHILLIT TË INVESTIMEVE NË TRYEZËN E RRUMBULLAKËT “ZHVILLIMI EKONOMIK I SHQIPËRISË: SFIDAT DHE MUNDËSITË”

15 shtator 2021

Sekretariati i Këshillit të Investimeve mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë me temë “Zhvillimi Ekonomik i Shqipërisë: Sfidat dhe Mundësitë“. Tryeza kishte si qëllim diskutimin mbi sfidat kryesore të zhvillimit me të cilat përballet Shqipëria, të shkaktuara në veçanti nga ndryshimet klimatike, vështirësitë ekonomike që rrjedhin nga historia e vendit dhe, së fundmi, COVID-19.
LEXO MË SHUMË >

 

PUBLIKIME TË SEKRETARIATIT

 

KËSHILLI I INVESTIMEVE NË MEDIAN TELEVIZIVE

 

*********

RRETH KËSHILLIT TË INVESTIMEVE

Këshilli i Investimeve është një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur qeverisjen e mirë. Puna e Këshillit mbështetet nga Sekretariati, një organ i pavarur me profesionistë të përzgjedhur dhe kontraktuar nga BERZH për t’u angazhuar drejtpërsëdrejti me komunitetin e biznesit. Këshilli Investimeve mbështetet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështjet Ekonomike (SECO).

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)

Albanian Investment Council