Search
Close this search box.

Këshilli Investimeve, Lajmet Kryesore, Korrik – Shtator 2022

Lançimi i Anketës Vjetore: “Për përmirësimin e klimës së investimeve”

25 korrik 2022

Sekretariati lancoi anketën e tij të përvitshme mbi klimën e investimeve, ku në fokus për këtë vit ishte jo vetëm evidentimi i sfidave që kompanitë private hasin gjatë ndërveprimit me administratën tatimore por edhe të metodave që ato përdorin për trajtimin e problematikave që lidhen me riaftësimin e punonjësve apo kanalet ku ata drejtohen për rekrutim/trajnim.

Gjetjet e anketës do të publikohen në faqen tonë të internetit në fund të tetorit.

Anketë: “Sfidat e fuqisë punëtore”

1 Shtator 2022

Disponibiliteti i fuqisë punëtore dhe emigrimi i grupmoshave të reja sjell vështirësi edhe për biznesin në vend. Pavarësisht nevojës në rritje për fuqi punëtore, grupmoshat e reja hasin më shumë vështirësi për t’u integruar në mënyrë të qëndrueshme në tregun e punës.Për të kuptuar disa nga këto sfida, Sekretariati ndërmori një mini-pyetësor në mediat sociale, ku deri më sot janë mbledhur mbi 250 përgjigje. Gjetjet e anketës do të publikohen në faqen tonë të internetit në fund të tetorit.

Lançimi i konsultimeve rajonale në kuadër të mbledhjes së ardhshme të KI

5 Shtator 2022

Në takimin e ardhshëm, KI do të diskutojë temën “Sektori privat dhe sfida e fuqisë punëtore”. Si pjesë e agjendës së KI për 2022, kjo temë erdhi me kërkesën e anëtarëve të KI për të diskutuar sfidat me të cilat përballet sektori privat për të siguruar një fuqi punëtore të kualifikuar. Momenti është veçanërisht kritik pas Covid-19 dhe në epokën e re të revolucioni dixhital, krizës demografike lokale dhe konkurrencës globale. Pavarësisht ndërhyrjeve të deritanishme, problematika mbetet sistemike. Sipërmarrja shprehet se e evidenton problemin por nuk e zgjidh vetëm atë dhe kërkon mbështetje me politika të shpejta dhe me impakt të menjëhershem.

Gjatë muajit shtator, Sekretariati kontaktoi individualisht një sërë aktorësh nga sektori publik dhe privat për bashkëpunim në kuadër të kësaj teme. Për një gjithëpërfshirje sa më të gjerë, 30 takime konsultimi u zhvilluan në 6 rrethe (Tiranë, Shkodër, Durrës, Berat, Sarandë, Gjirokastër) me biznesin vendas, dhoma të tregtisë dhe industrisë, shkolla profesionale, zyra të punës, etj. Komentet dhe sugjerimet e mbledhura do të kontribuojnë në analizën e ardhshme që Sekretariati po harton, duke synuar të hulumtojë dhe të prioritizojë çështjet e mundshme që lidhen me temën.

Për përmirësimin e klimës së biznesit – Dialog me shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë

9 Shtator 2022

Kryeministri i Shqipërisë, Sh.T. Z. Edi Rama dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë (njëkohësisht edhe Kryetarja e Këshillit të Investimeve), znj. Delina Ibrahimaj, organizuan një takim me shoqatat e biznesit, dhomat e tregtisë dhe anëtarët e KI-së mbi ecurinë e procesit të konsultimit në lidhje me rekomandimet e biznesit për përmirësimin e klimës së biznesit (një proces i nisur në fund të 2021 dhe lançuar zyrtarisht në mbledhjen e KI-së mbajtur më 31 janar 2022). Lista përfundimtare e rekomandimeve përmban 26 rekomandime të KI-së, kryesisht të lidhura me uljen e informalitetit, përmirësimin e shërbimeve publike, përshpejtimin e dixhitalizimit, lehtësimin e tregtisë elektronike, proceset e thjeshtimit të inspektimeve dhe përmirësimin e aftësive të kapitalit njerëzor.

Gjatë kësaj tryeze, përfaqësuesit e biznesit ngritën shqetësime të ndryshme që lidheshin kryesisht me krizën energjetike, çështjet ligjore dhe mungesën e fuqisë punëtore. Në të njëjtën kohë, ata shprehën vlerësimin e tyre për formatin dhe punën e Këshillit të Investimeve si një platformë efektive e dialogut publik-privat.

Shkëmbimi i pikëpamjeve mbi klimën e biznesit me Zv/Presidentin e BERZH-it

19 Shtator 2022

Sekretariati organizoi një tryezë të rrumbullakët me anëtarët e tij të biznesit dhe Zv/Presidentin e BERZH-it për Politikat dhe Partneritetin, z. Mark Bowman, Drejtoren Menaxhuese të BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, znj. Charlote Ruhe dhe Drejtoren e BERZH-it në Shqipëri, znj. Ekaterina Solovova për të shkëmbyer mendime mbi klimën e biznesit dhe sfidat kryesore të sektorit privat në Shqipëri (konkurrueshmëria, fuqia punëtore, dixhitalizimi, ekonomia qarkore, etj.).

Mbledhje fokus grup: “Sfidat të rinjve për t’u integruar në tregun e punës”

29 Shtator 2022

Në bashkëpunim me Rrjetin e Profesionistëve të Rinj (YPN), Sekretariati organizoi një takim fokus grup me profesionistë të rinj për të diskutuar gjetjet dhe sugjerimet paraprake të Sekretariatit për përmirësimin e sfidave të fuqisë së re punëtore për t’u integruar në tregun e punës. Pjesëmarrësit u shprehën se gjetjet e Sekretariatit pasqyrojnë realitetin me të cilin përballen bashkëmoshatarët e tyre dhe nevojën për të përmirësuar mentalitetin e njerëzve mbi punën, duke filluar nga familja e duke vazhduar me shoqërinë në përgjithësi. Ata theksuan se brezi i ri duhet të orientohet më shumë drejt prakticitetit, ku shkollat mund të luajnë një rol vendimtar në drejtim të përmirësimit të kurrikulës dhe përshtatjes me nevojat aktuale të tregut të punës.

PUBLIKIME TË SEKRETARIATIT | Korrik 2022

Vështrim mbi treguesit e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë (Gjashtë mujori i parë i 2022)

PËRMENDJA E KËSHILLIT TË INVESTIMEVE NË MEDIA

RRETH KËSHILLIT TË INVESTIMEVE

Këshilli i Investimeve është një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur qeverisjen e mirë. Puna e Këshillit mbështetet nga Sekretariati, një organ i pavarur me profesionistë të përzgjedhur dhe kontraktuar nga BERZH për t’u angazhuar drejtpërsëdrejti me komunitetin e biznesit. Këshilli Investimeve mbështetet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështjet Ekonomike (SECO).