KËSHILLI INVESTIMEVE: LAJMET KRYESORE, TETOR – DHJETOR 2021

PËRMIRËSIMI I VAZHDUESHËM I PUNËS SË KËSHILLIT TË INVESTIMEVE PËRMES VLERËSIMIT NGA ANËTARËT DHE PARTNERËT E TIJ

Tetor 2021

Përmirësimi i vazhdueshëm i punës së Këshillit të Investimeve (KI) bazohet në vlerësimin periodik të anëtarëve dhe partnerëve tij. Në përputhje me metodologjinë dhe standardin e punës së KI, Sekretariati intervistoi 21 anëtarë dhe partnerë të KI—përfaqësues të komunitetit të biznesit (shoqata dhe dhoma të tregtisë dhe industrisë), partnerëve për zhvillim, qeverisjes qendrore dhe lokale, medias, akademisë dhe shoqërisë civile. Analiza nxori në dukje se anëtarët dhe partnerët e KI vazhdojnë të konsiderojnë KI si një format i cili krijon komunikim, ndërveprim dhe transparencë mbi politikat e nxitjes së investimeve, ndaj duhet parë si një institucion i qëndrueshëm e të forcohet influenca e tij në nivelet qeveritare e aktorët e tjerë të tregut.

LEXO MË SHUMË >

 

PËRSHPEJTIMI I REKOMANDIMEVE TË KI MBI DIXHITALIZIMIN E SHËRBIMEVE – TAKIM ME MINISTREN E SHTETIT PËR STANDARDET DHE SHËRBIMET

Tetor 2021

Ofrimi i shërbimeve në standardet e duhura nga administrata publike është një faktor thelbësor për përmirësimin e klimës së investimeve në vend. Dixhitalizimi i shërbimeve publike përmes platformave qeveritare, ka pasur një ecuri të shpejtë gjatë këtyre viteve, por mbetet ende shumë për të bërë në drejtim të shkëmbimit në kohë reale të të dhënave midis institucioneve. Këshilli i Investimeve ndër vite ka rekomanduar rritjen e përdorimit të dokumenteve elektronike, nënshkrimeve elektronike dhe dixhitale në aktivitetet tregtare/administrative, të cilat padyshim do të sillnin një përfitim mjaft të madh për biznesin.

Në një takim të dedikuar me Ministren e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, znj. Milva Ekonomi (ish-kryetare e Këshillit të Investimeve, 2016-2017), patëm mundësinë të diskutonim për këto çështje me interes të madh për biznesin, me synim përshpejtimin e përmbushjes së rekomandimeve përkatëse të Këshillit të Investimeve.

 

EVIDENTIMI I FAKTORËVE QË NDIKOJNË TEK NDËRMARRJET MIKRO, TË VOGLA, TË MESME NË DREJTIM TË TREGJEVE POTENCIALE TË EKSPORTIT

Tetor 2021

Një pyetësor u realizua online nga Sekretariati, me pjesëmarrjen e 82 kompanive, me pyetje rreth faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm që ndikojnë në zgjerimin e eksportit dhe integrimin e NMVM-ve në zinxhirët globalë të vlerës dhe tregjet potenciale për eksport. Pyetësori iu shpërnda kompanive që operojnë në turizëm, industrinë përpunuese (fason) dhe bujqësi, si sektorë kryesorë të rritjes së qëndrueshme ekonomike në vend dhe si kontribues në tendencat aktuale eksportuese të vendit.

Kompanitë parashtruan si pengesa kryesore në zgjerimin e aktiviteteve të tyre drejt eksporteve: “burimet e kufizuara financiare” (33%), “madhësinë e kompanisë dhe produktivitetin” (20%) dhe “eksperiencën në eksporte të kompanisë” (13%). Në anën tjetër, kompanitë u shprehën se “mentorimi dhe trajnimet” (49%) janë elementët më të rëndësishëm që mund t’i ndihmojnë ato të integrohen në tregjet globale, ndjekur nga “mbështetja në menaxhim” (29%) dhe “këshillimi financiar” (11%).

LEXO MË SHUMË >

 

SERI KONSULTIMESH ME AKTORË NË KUADËR TË MBLEDHJES SË ARDHSHME TË KI “MBI NDËRKOMBËTARIZIMIN E NDËRMARRJEVE MIKRO, TË VOGLA DHE TË MESME”

Tetor 2021

Për të evidentuar dhe për të nxjerrë në pah shqetësimet kryesore të NMVM-ve, përveç pyetësorit online, Sekretariati mbajti rreth 30 takime konsultative me partnerë që operojnë në sektorët e turizmit, prodhimit, bujqësisë, shoqatat dhe institucionet publike për të ballafaquar gjetjet e rezultuara nga pyetësori, si edhe për të identifikuar një pasqyrë të problematikave dhe zgjidhjeve të mundshme.

 

MBLEDHJE PLENARE E KI: REKOMANDIME PËR PËRMIRËSIMIN E KONKURRUESHMËRISË DHE NDËRKOMBËTARIZIMIN E NMVM-ve

12 Nëntor 2021

Kryesuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi një mbledhje plenare për të diskutuar mundësitë dhe sfidat që lidhen me ndërkombëtarizimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM). Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e NMVM-ve për ekonominë e vendit dhe theksoi mbështetjen e Qeverisë përmes stimujve tatimorë, përpjekjeve të fundit në drejtim të politikave përmes Strategjisë së sapo miratuar për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve (BIDS), si dhe nismat e tjera rajonale si CEFTA, Open Balkan të cilat ofrojnë mbështetje për NVM-të në lidhje me eksportet.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e sektorit privat (FIAA, AMCHAM, Shoqata e Prodhuesve, Shoqata e Operatorëve Turistikë, Shoqata e Përpunuesve të Qumështit, Shoqatat e Eksportuesve, etj.) kërkuan më shumë përpjekje politike për ndërtimin e imazhit shqiptar jashtë vendit, më shumë mbështetje për NMVM-të për trajnimin dhe edukimin e stafit, infrastrukturë më të mirë TIK dhe lehtësim të sistemeve të pagesave elektronike dhe infrastrukturë përmes TEDA-ve.

LEXO MË SHUMË >

LLOGARIDHËNIE MBI ECURINË E ZBATIMIT TË REKOMANDIMEVE TË KI, 2015-2021

Dhjetor 2021

Që prej themelimit të tij në vitin 2015, Këshilli i Investimeve ka miratuar 274 rekomandime për përmirësimin e klimës së investimeve në vend. Rekomandimet në nivel institucional zënë peshën më të lartë mbi totalin (40%), ku theksi vendoset kryesisht në:

  • bashkëpunimin ndër-institucional
  • ngritjen e kapaciteteve të strukturave operacionale
  • qëndrueshmërinë e institucioneve
  • rritjen e standardit dhe cilësisë së shërbimeve

Aktualisht, sipas analizës sonë të monitorimit, rreth 40% e rekomandimeve totale të KI (2015-2021) janë zbatuar nga Qeveria, ku veçanërisht gjatë periudhës janar-dhjetor 2021, evidentohet një ecuri pozitive në drejtim të përmirësimit të ekosistemit të inovacionit në sipërmarrje, ndërveprimin midis bizneseve dhe bashkive, procedurave doganore dhe rimëkëmbjes ekonomike post-covid-19.

LEXO MË SHUMË >

 

BASHKËPUNIM ME AKADEMINË PËR TË RRITUR NDËRGJEGJËSIMIN MBI ROLIN E KI

17 dhjetor 2021

Ftuar nga Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), një projekt i mbështetur përmes Programit “Jean Monnet të Komisionit Evropian, si dhe në kuadër të Javës së Integrimit, Drejtorja e Sekretariatit, znj. Diana Leka (Angoni) dha një leksion, ndjekur kryesisht nga përfaqësues të administratës publike, sa i përket nevojës për formalizim si parakusht për funksionimin e tregut, duke u bazuar në punën e Këshillit të Investimeve për identifikimin e sfidave të sektorit privat.

 

KONSULTIMI PUBLIK, ROLI I KI DHE SEKRETARIATIT

December 2021

Konsultimi i projektligjeve mbetet një proces sfidues në Shqipëri. Pavarësisht disa përmirësimeve, bizneset shprehen se nevojitet më shumë transparencë në drejtim të një kuadri legjislativ të qëndrueshëm i cili trajton denjësisht të drejtat e palëve të përfshira. Për të përfituar nga ky mekanizëm i rëndësishëm, Sekretariati i Këshillit të Investimeve ka advokuar vazhdimisht me aktorët për rëndësinë e konsultimit paraprak, transparent dhe proaktiv të biznesit për një zbatim të suksesshëm të kuadrit ligjor dhe rregullator.

Gjatë 2019-2021, një sërë projektligjesh dhe një dokument i politikave strategjike me ndikim të drejtpërdrejt në klimën e investimeve kanë qenë në axhendën e KI-së dhe objekt diskutimesh teknike në kuadër të konsultimeve të KI-së. Në publikimin tonë më të fundit, kemi përmbledhur përpjekjet dhe kontributin e Sekretariatit në procesin e konsultimit publik, në kuadër të mundësimit të një dialogu konstruktiv dhe të qëndrueshëm midis biznesit dhe institucioneve qeveritare.

LEXO MË SHUMË >

 

PUBLIKIME TË SEKRETARIATIT

 

KËSHILLI I INVESTIMEVE NË MEDIAN TELEVIZIVE

 

*********

RRETH KËSHILLIT TË INVESTIMEVE

Këshilli i Investimeve është një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur qeverisjen e mirë. Puna e Këshillit mbështetet nga Sekretariati, një organ i pavarur me profesionistë të përzgjedhur dhe kontraktuar nga BERZH për t’u angazhuar drejtpërsëdrejti me komunitetin e biznesit. Këshilli Investimeve mbështetet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështjet Ekonomike (SECO).

 

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)

Albanian Investment Council