Search
Close this search box.

Këshilli Investimeve Parashtron Rekomandime për Lehtësimin e Kalimit të NVM-ve në Burime Alternative të Energjisë

Tiranë, 31 janar 2023 / Këshilli i Investimeve (KI) zhvillon mbledhje plenare për të diskutuar sfidat e NVM-ve për kalimin në burime alternative të energjisë, kryesuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj dhe me pjesëmarrjen e veçantë të Drejtorit të BERZH-it për Strategjitë dhe Delivrimin e Politikave, z. Christoph Denk. Në mbledhje morën pjesë shumica e anëtarëve të KI-së dhe rreth 40 vëzhgues, përfaqësues të sektorit publik dhe privat dhe agjencive për zhvillim.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj tha se pavarësisht krizës globale, vendi ynë ka treguar qëndrueshmëri dhe fleksibilitet, ku qeveria ka marrë masat e duhura për të përballuar sfidat e reja. Tranzicioni i gjelbër dhe investimet në energjinë e rinovueshme në të gjitha nivelet e biznesit janë sfida dhe objektiva të përbashkëta dhe nevojitet një bashkëpunim më i fortë për iniciativa të përbashkëta në këtë drejtim. Shqipëria është një vend që prodhon energji elektrike nga burime të rinovueshme dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka marrë disa masa për të diversifikuar furnizimin me energji elektrike. Në një kohë që bizneset shqiptare e kanë të bazuar prodhimin e tyre kryesisht në energjinë elektrike, Ministrja Ibrahimaj përmendi faktin se qeveria ka subvencionuar dhe do të vijojë të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike për pjesën më të madhe të bizneseve. Në përfundim, Ministrja Ibrahimaj ftoi pjesëmarrësit për të bërë sugjerimet e tyre lidhur me çështjen e diskutimit, por jo vetëm, dhe vuri theksin në përmirësimin e komunikimin dhe forcimin e bashkëpunimit me dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit.

Sekretariati i KI-së prezantoi shkurtimisht gjetjet dhe propozimet kryesore për të stimuluar dialogun mbi sfidat e NVM-ve për investime në burime alternative të energjisë, me fokus a) cilësinë e furnizimit me energji dhe faktorët që ndikojnë në vendimmarrjen për investime alternative dhe b) ndërgjegjësimi për aksesin në financë. Përfundimet e Sekretariatit janë shtjelluar mbi informacionin e mbledhur nga hulumtimet përkatëse, mbledhjet fokus grup në Tiranë dhe rajone me 47 pjesëmarrës, takimet e drejtpërdrejta me 15 partnerë dhe një pyetësor me 75 kompani. Studimi thekson nevojën për prioritizimin e ndërhyrjeve për të adresuar pasiguritë e sipërmarrësve në kuadër të dinamikës së tregut të energjisë dhe Axhendës së Gjelbër.

Gjatë diskutimit të hapur, përfaqësuesit e biznesit (Dhoma Ekonomike e Gruas, FIAA/Voltalia, Amcham, Dhoma e Tregtisë së Tiranës, Confindustria Albania, FIX Pro sh.p.k. dhe Lufra,) shprehën shqetësimet e tyre për sfidat aktuale të energjisë dhe parashtruan disa sugjerime, veçanërisht në lidhje me nevojën për:

  • Ngritjen e grupeve të punës midis institucioneve publike dhe dhomave të tregtisë për të nxitur ndërgjegjësimin dhe njohuritë tek sektori privat,
  • Vendimmarrje më të shpejtë nga institucionet publike/financuese për të lehtësuar kohën që i nevojitet biznesit për aksesin në financim,
  • Stimujt për kompanitë që investojnë në teknologji të reja për të reduktuar konsumin e energjisë,
  • Përmirësimin e bashkëpunimit me Agjencinë e Kadastrës për zgjidhjen e çështjeve kritike që lidhen me titujt e tokës dhe shpronësimin,
  • Kuadrin rregullator për ruajtjen e energjisë,
  • Përjashtimin nga TVSH-ja për pajisjet fotovoltaike të importuara,
  • Incentiva të qartë në linjë me standardet e BE-së për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes.

Të pranishmit vlerësuan mbështetjen e dhënë deri më sot nga qeveria në drejtim të zbutjes së çmimit të energjisë, ndërkohë që u angazhuan për të qenë më proaktiv në dhënien e komenteve për projektligjet e publikuara në platformën e konsultimit publik.

*****

Materialet e plota të këtij takimi do të publikohen në javët në vijim në seksionin tonë të dedikuar https://www.investment.com.al/sq/mbledhjet-e-keshillit-te-investimeve/.

car rental tirana real estate saranda