Konferenca Ndërkombëtare e Këshillave të Investimeve: Cilat janë sfidat dhe mundësitë për të mbështetur në kohë bizneset dhe qeveritë

3 Qershor, 2020

2-3 qershor 2020

Konferenca Virtuale e Këshillave të Investimeve të mbështetur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), 2020
“Mbështetje për vendet e operacioneve të BERZH-it në rimëkëmbjen ekonomike shkaktuar nga pandemia Covid-19: Vendosja e Këshillave të Investimeve në qendër të mbështetjes”

Aktiviteti vjetor mblodhi bashkë 12 Këshilla të Investimeve, të mbështetur nga BERZH: Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Moldovia, Gjeorgjia, Bjellorusia, Ukraina, Republika e Kirgiztanit, Taxhikistanit, Uzbekistanit, Armenisë, and Tunizisë.

Konferenca u hap nga Zëvendës Presidenti i Parë i BERZH-it, z. Jurgen Rigterink, i cili rikonfirmoi mbështetjen për vendet përmes Paketës së Solidaritetit të BERZH, që synon t’i përgjigjet ndikimit në ekonomi të Covid-19.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, znj. Anila Denaj (Kryetare e Këshillit të Investimeve në Shqipëri), prezantoi masat e ndërmarra nga Qeveria në përgjigje të situatës së emergjencës së krijuar nga Covid-19, me fokus problematikat e punësimit. Ajo theksoi rolin e politikave për dixhitalizimin e ekonomisë dhe promovimin e ekonomisë së gjelbër, ku BERZH mund të luajë një rol kryesor përmes ofrimit të shërbimeve të këshillimit për biznesin. Gjithashtu, znj. Denaj nënvizoi rolin e KI si një platformë e konsoliduar për konsultimin dhe diskutimin transparent midis palëve të interesuara.

Presidenti i AmCham në Shqipëri (njëkohësisht anëtar nga biznesi në KI), z. Enio Jaço vlerësoi ndërhyrjen e shpejtë të Qeverisë dhe komunikimin efektiv të masave të marra. Ai nënvizoi se sidoqoftë, proceset administrative në lidhje me këto masa e bëjnë të vështirë zbatimin e tyre në praktikë.  Duke konfirmuar pikëpamjen se KI është ndoshta i vetmi instrument në Shqipëri i cili përcjell në mënyrë të drejtë interesat dhe pikëpamjet e të dyja palëve, qeverisë (si rregullator) dhe sektorit privat, z. Jaço kërkoi që këto pikëpamje të kenë më shumë ndikim nëpërmjet KI dhe të përfshihen në legjislacion.

Drejtoresha e Sekretariatit të KI, znj. Diana Leka, dha një përmbledhje të punës së kryer nga KI & Sekretariati, duke iu referuar në veçanti anketës së kryer gjatë muajve mars-maj 2020, me mbështetjen e madhe të dhomave dhe shoqatave të biznesit, e cila u plotësuar nga më shumë se 800 biznese. Gjetjet paraprake ndihmuan diskutimet në mbledhjen e jashtëzakonshme të KI mbajtur më 14 prill 2020. Gjithashtu, znj. Leka përmendi asistencën e dhënë për bizneset gjatë krizës, me përgatitjen e përmbledhjeve të shkurtra mbi dinamikën e akteve ligjore, të përshtatura dhe të thjeshtuara veçanërisht për NVM-të.

Përfaqësues të tjerë të BERZH-it prezantuan punën që po kryhen nga ekipe të ndryshme në bankë për të mbështetur bizneset dhe qeveritë sikurse janë: Programi për Ndërhyrje të Shpejtë Këshillimi që synon të mbështesë qeveritë me këshilla mbi politikat që sugjerohen të ndiqen në lidhje me krizën pandemike; këshilla për të mbështetur ristrukturimin e biznesit duke trajtuar çështjet e paaftësisë paguese/likuidimit të kompanive që mund të lindë për shkak të pandemisë; organizimin e webinar-eve dhe dhënien e  këshillave të personalizuara të përshtatura për NVM-të; etj.

Në fjalën e saj përmbyllëse, Znj. Milica Delevic, Drejtore e Çështjeve Politike dhe të Qeverisjes në BERZH, vuri në dukje se ndikimi ende i pashprehur në ekonomi i pandemisë COVID-19 po paraqet sfida të pashembullta. Këshillat e Investimeve po luajnë një rol kryesor në reagimin e politikave të BERZH ndaj krizës duke vazhduar të lehtësojnë dialogun publik-privat në mënyrë që masat e ndërmarra të përmbushin në mënyrë efektive sfidat e veçanta me të cilat përballen bizneset.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)