Mbi draft ligjin e unifikuar të investimeve, konsultimi me aktorë të biznesit

Qershor 25, 2019

Tiranë, 25 qershor 2019 / Këshilli i Investimeve në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (MFE) dhe International Finance Corporation (IFC) organizoi dy tryeza konsultimi mbi Draft Ligjin e Unifikuar të Investimeve, publikuar nga Qeveria Shqiptare për komente në Regjistrin e Njoftimit dhe Konsultimit Publik (7 maj 2019). Me pjesëmarrjen e rreth 40 përfaqësuesve nga komuniteti i biznesit (kompani dhe shoqata/dhoma të huaja dhe vendase), studio ligjore si edhe përfaqësues të atasheve tregtare të ambasadave të huaja në vend, diskutimi u fokusua si në parimet dhe risitë e draft ligjit ashtu edhe në çështje më specifike. Për të mundësuar një debati sa më eficent, përpara organizimit të këtij konsultimi, Sekretariati i Këshillit të Investimeve punoi për të angazhuar të gjithë aktorët në një proces sa më gjithëpërfshirës e veçanërisht në lidhje me  mbledhjen e komenteve të detajuara me shkrim të ndara më pas për shqyrtim me MFE dhe IFC.

Në hapjen e diskutimit, Zv/Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Belinda Ikonomi evidentoi shkurtimisht angazhimin e qeverisë shqiptare për përmirësimin e klimës së investimeve në vend dhe rolin që luan përmirësimi i kuadrit ligjor në këtë drejtim. Znj. Ikonomi shpjegoi nevojën dhe objektivat e këtij draft ligji, si një instrument i cili do të synojë trajtimin e barabartë të investitorëve vendas dhe të huaj. Ajo nënvizoi rëndësinë që ka konsultimi i këtij draft ligji me grupet e interesit  dhe falenderoi pjesëmarrësit për dërgimin e komenteve të cilat janë të vlefshme për përmirësimin e mëtejshëm të draft ligjit aktual të prezantuar tashmë zyrtarisht.

Z. Eugeniu Osmochescu, specialist i lartë për sektorin privat pranë IFC, paraqiti punën e bërë nga ky institucion në bashkëpunim me grupin e punës pranë MFE, në kuadër të projektit “Klima e investimeve dhe rritja e konkurrueshmërisë së agrobiznesit”, i financuar nga Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO). Z. Osmochescu u ndal veçanërisht në komponentin i cili mbulon përmirësimin e klimës së investimeve, pjesë e të cilit është dhe përgatitja e këtij draft ligji. Ai theksoi rëndësinë e konsultimeve të gjera si dhe nevojën për përfundimin e këtij procesi në një kohë sa më të shpejtë.

Në vijim, ekspertët e IFC, z. Mark Reichel dhe znj. Blertë Kraja dhanë një prezantim të përgjithshëm të parashikimeve ligjore në draftin e prezantuar dhe të përditësuar si dhe një prezantim të shkurtër në lidhje me grupet e komenteve të mbledhura nga ministritë e linjës dhe komuniteti i biznesit, duke dhënë edhe sqarime në lidhje me kontekstin e draft ligjit. Komentet e parashtruara kanë të bëjnë kryesisht me substancën, konceptet dhe formalitetet. IFC shprehu angazhimin për të shqyrtuar me përpikmëri çdo koment, por për efekt kohor u synua që diskutimi të përqendrohej në shtyllat kryesore.

Në vija të përgjithshme, sipas ekspertëve të IFC, objektivat kryesore të draft ligjit janë: i) të vendosë një regjim ligjor gjithpërfshirës për investimet vendase, të huaja,  të përgjithshme dhe ato strategjike, ii) të inkurajojë investimet vendase dhe të huaja në Shqipëri  me një ligj të vetëm, iii) trajtimi i drejtë dhe të barabartë si dhe mbrojtjen e investimeve vendase dhe të huaja, iv) t’u sigurojë investitorëve akses transparent e të lehtë në treg, v) mundësimin për një zgjidhje të shpejtë e të drejtë të çdo mosmarrëveshje të mundshme që del gjatë zhvillimit të investimit, vi) përputhshmërinë e plotë me marrëveshjet ndërkombëtare të investimeve  dhe detyrimet ndërkombëtare që ka Shqipëria si dhe me ‘acquis’ e BE, etj.

Komuniteti i biznesit u shpreh se Këshilli i investimeve po konsolidon tashmë profilin e tij si një platformë serioze, efektive dhe të besueshme në procesin e konsultimit të ligjeve të cilat kanë impakt për klimën e investimeve në vend. Gjatë diskutimit, spikatën sugjerimet në lidhje me nevojën për të përgatitur një ligj të plotë të shoqëruar edhe me paketën e akteve nënligjore,  nevojën për hartimin e qartë të parashikimeve ligjore veçanërisht ato që lidhen me incentivat, sektorët strategjike, standardin minimal të trajtimit dhe mekanizmit të zgjidhjes së ankesave të investitorëve. Shumica e të pranishmëve ishin në favor të sqarimit më të mirë të procedurave nga vetë ligji dhe sa më pak hapësirë për përcaktimin e tyre nëpërmjet akteve nënligjore.

Në përfundim, znj. Ikonomi falenderoi pjesëmarrësit për kontributin, Sekretariatin për punën shumë të mirë në drejtim të procesit të përfshirjes së palëve si edhe informoi se grupi i punës i ka mbajtur shënim të gjitha komentet e paraqitura nga bizneset, disa edhe janë reflektuar ndërkohë që për transparencë një matricë e detajuar është duke u finalizuar. Më tej drafti do të rishikohet duke analizuar edhe komentet përkatëse dhe do të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave, duke synuar miratimin e tij brenda muajit korrik 2019.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)