Mbledhje e Këshillit të Investimeve – Konsultimi i Projektligjit “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”

Gusht 29, 2019

Tiranë, e Enjte, 29 gusht 2019 / Këshilli i Investimeve të Shqipërisë (KI) zhvilloi një mbledhje të posaçme me kërkesë të kryetares së KI, Ministres së Financës dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, me temë diskutimi – Konsultimi i Projektligjit “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, Zv/Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Elton Haxhi, Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, znj. Delina Ibrahimi, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të institucioneve publike, komunitetit të biznesit (AmCham, FIAA, DIHA, Confindustria Albania, Vodafone, A.E.D., UCCIAL) dhe partnerëve për zhvillim (BERZH, Delegacioni BE, IFC) —anëtarë të KI. Në mbledhje morë pjesë gjithashtu rreth 30 vëzhgues, përfaqësues të ambasadave të huaja në vend, dhoma të tregtisë,shoqata të biznesit dhe agjenci që operojnë në fushën e zhvillimit ekonomik, etj.

Në fjalën e saj të hapjes, Ministrja Denaj u shpreh mbi rëndësinë e këtij projekt-ligji i cili synon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të kryera nga bizneset në vend. Qëllimi kryesor i projekt-ligjit midis të tjerave është për të ulur nivelin e informalitetit në ekonomi, nëpërmjet luftës së konkurrencës së pandershme dhe rritjes së efikasitetit të administrimit tatimor.

Ministri Shalsi, vlerësoi proçesin e gjerë të konsultimit dhe nënvizoi domosdoshmërinë që grupi i punës dhe i zbatimit të këtij projekti të rëndësishëm “të gjejë forma të thjeshta shpjegimi se çdo do të thotë fiskalizim për një biznes të vogël, të mesëm apo të madh”.

Projekt-ligji parashikon që nisur nga 1 Janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen te Administrata Tatimore në kohë reale bazuar në sistemin e ri teknologjik. Nga data 1 janar 2021, e-fatura bëhet e detyrueshme në transaksionet me organet publike (B2G), ndërsa nga data 1 korrik 2021 e-fatura bëhet e detyrueshme në transaksionet biznes me biznes (B2B).

Përfaqësuesit nga komuniteti i biznesit dhe nga partnerët në zhvillim në Shqipëri theksuan mbështetjen në parim të kësaj iniciative të rëndësishme si pjesë e luftës ndaj informalitetit, ndërkohë paraqitën komente të ndryshme si në nivel teknik ashtu edhe në lidhje me disa pika të projekt-ligjit,  të cilat mund të përmblidhen si më poshtë:

a) afatet e zbatimit të procedurave komplekse të fiskalizimit duket se janë shumë të afërta veçanërisht sa i takon afatit të hyrjes në fuqi për fiskalizimin e transaksioneve Biznes-Konsumator. Zbatimi i procedurave të fiskalizimit vlerësohet kompleks, ndërsa kapacitetet e biznesit veçanërisht atij të vogël për t’a përthithur këtë zhvillim në një periudhë kaq të shkurtër janë të limitura, sikurse dhe kapacitetet institucionale për t’a administruar atë janë të debatueshme.

b) zbatimi i ligjit kushtëzohet nga miratimi i një numri të konsiderueshëm aktesh nënligjore të cilat nuk janë ende të përgatitura dhe të konsultura me grupet e interesit. Këto akte nënligjore janë shpeshherë edhe më të rëndësishme se vetë ligji, pasi rregullojnë procedura specifike me impakt të drejtëpërdrejtë për kategoritë e caktuara të bizneseve. Mungesa e konsultimit dhe e diskutimit të tyre në kohë mund të dëmtojë zbatimin e duhur dhe efikas të ligjit dhe qëllimin e tij pozitiv për të mundësuar formalizim të bizneseve nëpërmjet një sërë opsioneve teknologjike.

c) mungon një analizë e mirëfilltë kosto-përfitim që do të bënte edhe më të qartë për palët, biznesin nga njëra anë dhe administratën nga ana tjetër, efektet praktike të këtij ligji.

d) projekt-ligji në mjaft nene të tij ka nevojë për përputhshmëri më të madhe me një sërë ligjesh sic janë ai për TVSH-në dhe Procedurat Tatimore për të shmangur mbivendosje në afate dhe procedura. Gjithashtu u vlerësua se është e nevojshme të konsiderohen edhe modelet e ndryshme të biznesit të cilat kanë një kuadër rregullator specifik dhe për të cilat është i nevojshëm diskutimi i mëtejshëm në nivel teknik.

Sekretariati i KI-së nënvizoi rëndësinë e kapaciteteve të duhura të administratës tatimore për të zbatuar siç duhet procedurat e parashikuara nga ky ligj, si edhe rëndësinë e konsultimit të akteve nënligjore që priten të publikohen në vijim.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Znj Ibrahimi sqaroi se brenda muajit nëntor 2019 është parashikuar trajnimi i administratës tatimorë që do përfshihet në zbatimin e këtij ligji si dhe deklaroi që tek faqja e konsultimeve publike do të publikohet edhe analiza kosto – përfitim i këtij projekt-ligji.

Ministrja Denaj informoi anëtarët e KI-së se afati i konsultimit të këtij projekt-ligji do të shtyhet më 15 shtator dhe pas përfundimit të konsultimeve përkatëse, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të punojë për konsolidimin e të gjitha komenteve të mbledhura duke përmirësuar më tej draftin e projektligjit.

Materialet e plota të mbledhjes do të publikohen së shpejti në faqen e KI. Për më shumë informacion, na vizitoni sërish.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)