Search
Close this search box.

Mbledhje e Këshillit të Investimeve – “Mbi Stimulimin e Investimeve dhe Sigurinë Juridike të Pronës”

Maj 30, 2019

Tiranë, e Enjte, 30 maj 2019Këshilli i Investimeve të Shqipërisë (KI) mbajti mbledhjen e tij të radhës “Mbi Stimulimin e Investimeve dhe Sigurinë Juridike mbi Pronën”, kryesuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj. I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, si dhe kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, z. Artan Lame.

Ministrja Denaj hapi mbledhjen duke falënderuar BERZH dhe SECO për mbështetjen e ofruar ndaj platformës së KI si dhe shoqatat për bashkëpunimin me Këshillin dhe Sekretariatin.

Përsa i përket temës së rendit të ditës, ministrja Denaj theksoi se një qasje koherente, jo e fragmentuar ndaj problemeve të pronësisë, konsiderohet thelbësore për ekonominë e një vendi dhe përbën parakusht për stimulimin e investimeve. Çdo progres në këtë fushë rrit sigurinë ligjore për investitorët, nxit transparencën në mirëqeverisjen dhe luftën ndaj korrupsionit, si dhe reflektohet menjëherë në raportet ndërkombëtare mbi reformat në Shqipëri. Ministrja Denaj përmendi disa përpjekje të vendit për të adresuar thjeshtimin e procedurave nëpërmjet dhënies së aksesit në regjistrin elektronik të ZRPP dhe shërbimin “Fast Track”  për qytetarët dhe bizneset. Megjithatë, ndikimi pozitiv i këtyre shërbimeve është ende i kufizuar në aspektin e territorit dhe numrit të shërbimeve të ofruara për shkak të problematikave që ndikojnë në sistemin e regjistrimit të pronës.

Në vijim, Sekretariati prezantoi gjetjet dhe rekomandimet kryesore të analizës. Gjetjet ishin të grupuara në katër shtylla: (1) ligjore, (2) institucionale, (3) kapacitetet operacionale, dhe (4) të tjera (si p.sh. burimet njerëzore, korrupsioni dhe politikat etj.). Disa nga gjetjet kryesore kishin të bënin me mungesën e regjistrimit fillestar sistematik të pronës private dhe shtetërore; hartave të papërshtatshme të pronës dhe mbivendosjeve; regjistrin elektronik të papërfunduar mbi pronën dhe shërbimet e kufizuara; mungesën e koherencës ndër vite midis proceseve kalimtare mbi pronën, afatet kohore për përfundimin e këtyre proceseve dhe regjistrimin e pasurisë; mungesën e sigurisë ligjore për investitorët dhe në sistemin bankar për shkak të dokumenteve të paqarta / të pasakta mbi pronën; informaliteti në tregun e pasurive të paluajtshme gjithashtu për shkak të mos-regjistrimit të pronës; tokës bujqësore të paregjistruar në masë të madhe dhe jashtë tregut formal të pasurive të paluajtshme etj.

Disa rekomandime të propozuara për të adresuar gjetjet e mësipërme:

  • Të përditësohet vizioni i qeverisjes në një dokument të konsoliduar duke konsideruar se “cila ndërhyrje e rekomanduar është prioriteti më i lartë nga pikëpamja e sektorit privat dhe cili prioritet është i mundshëm të konsiderohet nga pikëpamja e Qeverisë”.
  • Hartimi i një Plani Veprimi që specifikon aktivitetet/afatet/faturën financiare/ përgjegjësitë/treguesit e monitoruar dhe ndërhyrjet në të gjitha nivelet për konsolidimin e regjistrit të pronave dhe dixhitalizimin e tij;
  • Zgjidhja e problematikave të regjistrimit të pronës në raport me stimulimin e investimeve në sektorët prioritarë (bujqësi, turizëm), por duke respektuar të drejtat e pronës.
  • Reforma e pronësisë të konsiderojë masa konkrete që kufizojnë praktikat korruptive të administratës në raport me biznesin dhe anasjelltas.
  • Konsultimi publik i draft-ligjit “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë,” duke konsideruar gjithashtu edhe nevojën për monitorimin e afateve të përcaktuara.

Gjithashtu, një theks i veçantë në rekomandime iu është kushtuar nevojës për krijimin e një plan veprimi për regjistrimin e pronave shtetërore sikurse edhe roli specifik i bashkive në këtë proces.

Sekretariati falënderoi të gjitha shoqatat e biznesit (FIAA, AmCham, Confindustria Albania, CCI France, Qendra e Eksportuesve Shqiptarë) për kontributin e tyre si tepër të rëndësishëm në hartimin e notës teknike dhe rekomandimeve përkatëse.

Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, z. Artan Lame, konfirmoi vullnetin politik për të zgjidhur përfundimisht situatën aktuale komplekse mbi pronën. Z. Lame konfirmoi gjithashtu gjetjet e prezantuara nga Sekretariati dhe shprehu miratimin për rekomandimet e propozuara sidomos për rekomandimin për një plan të detajuar të veprimit mbi regjistrimin e pronës dhe prioritizimin gjatë regjistrimit të pronave shtetërore dhe duke i bërë ato publike përmes kadastrës dixhitale.

Përfaqësuesit nga komuniteti i biznesit dhe nga partnerët në zhvillim në Shqipëri theksuan rëndësinë e kësaj teme dhe konfirmuan gjetjet dhe rekomandimet e kësaj mbledhje si përfaqësuese të disa nga problematikat më kryesore mbi pronën që investitorët përballen në Shqipëri. Komentet e tyre u përqendruan në domosdoshmërinë e përgjigjes në kohë për legalizimin dhe koherencën me planet e zhvillimit urban, nevojën për regjistrimin urgjent të pronave shtetërore, më shumë fleksibilitet në çmimet e tokave bujqësore përsa i përket çmimeve të referencës për taksat, ngritjen e kapaciteteve brenda komunave për rritjen e rolit të tyre, çështjet e korrupsionit etj. Përveç kësaj, dimensioni i politikave u konsiderua si shumë i rëndësishëm, duke theksuar se progresi në dinamikën ligjore duhet të jetë i shpejtë, ndërsa përfshirja dhe dialogu duhet të jenë një qasje thelbësore.

Në fund të mbledhjes, Ministrja Denaj njoftoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë së fundmi ka ndarë për konsultim publik draft ligjin e unifikuar të investimeve, i cili synon të përmirësojë kushtet dhe ofrojë balancimin e tyre si për investitorët e huaj po ashtu edhe për investitorët vendas. Në këtë kuadër, Ministri Denaj ftoi të gjithë pjesëmarrësit të kontribuojnë me komente.

Materialet e plota të mbledhjes do të publikohen së shpejti në faqen e KI. Për më shumë informacion, na vizitoni sërish.