Stafi

Stafi i Sekretariatit rekrutohet nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Ndërtim (BERZH) nëpërmjet një proçedure konkurruese dhe transparente, duke respektuar standartet profesionale të punës. Numri i stafit të Sekretariatit vendoset nga BERZH.

Dr. Diana Leka – Drejtore e Sekretariatit

Dr. Diana Leka (Angoni) ka më shumë se 20 vite përvojë konsekutive në menaxhim dhe ofrimin e ekspertizës në Shqipëri me institucione qeveritare në nivel qendror dhe lokal si dhe organizata ndërkombëtare si BE, IFC/WB, UNDP, GIZ në fusha që mbulojnë konkurrueshmërinë e bizneseve, tregtinë dhe investimet e huaja direkte. Ajo ka udhëhequr dhe mbështetur drejtpërdrejtë drejtimin strategjik dhe menaxhimin e programeve që përfshinin disa iniciativa të rëndësishme për qeverinë shqiptare, si tërheqja e investimeve të huaja direkte dhe strategjinë përkatëse të synuar të qeverisë, avokimin për konkurrencën e biznesit, mbështetje direkte për SME-të dhe eksportet, monitorimin e politikave publike dhe krijimin e funksioneve të menaxhimit ekonomik qeveritar (MIS), duke përfshirë strategjinë e parë kombëtare TIK dhe udhërrëfyesin për Shqipërinë, etj. Znj. Leka është auditore e liçensuar nga Moody International (2005) dhe Menaxhere Evropiane e liçensuar për Sistemet e Manaxhimit të Cilësisë nga Instituti Gjerman i Cilësisë. Si konsulente e pavaruar, ajo ka kryer shërbime konsulence në ngritjen e sistemeve të menaxhimit të cilësisë (ISO, HACCP) për kompani të ndryshme private dhe publike. Ajo është vlerësuese e pavarur kontraktuar nga Delegacioni i BE në Shqipëri në lidhje me vlerësimin e ofertave për IPA 2007 për mbështetjen e SME-ve për t’u bërë më konkurruese në tregun evropian. Ajo ka publikuar artikuj të ndryshëm në median e shkruar mbi çështje që kanë të bëjnë me klimën e investimeve në Shqipëri, sfidat e kompanive shqiptare gjatë integrimit në BE dhe tregjet rajonale, sikurse edhe rreth investimeve në Shqipëri krahasuar me rajonin. Ka qenë Koordinatore Kombëtare e Raportit Kombëtar të Investimeve (UNDP/UNCTAD/BoA, INSTAT, etj.) për 2010 dhe 2011.

Znj. Leka ka kryer studimet universitare në Degën Ekonomi pranë Universitetit të Tiranës, dhe studimet Master në Ekonomi dhe Menaxhim Financiar pranë Universitetit Aix-Marseille Nr. 2, Francë, si dhe ka mbrojtur doktoraturën me temë “Sfidat e kompanive shqiptare në proçesin e integrimit në BE” pranë Universitetit të Tiranës. Gjithashtu, prej 1998, ajo ka qenë lektore për Menaxhimin e Operacioneve, Menaxhimin e Cilësisë pranë universiteteve publike dhe private në Shqipëri.

Pas përvojës së saj të fundit si Këshilltare e Ministrit të Financave 2013-2014, znj. Leka iu bashkua Sekretariatit të Këshillit të Investimeve në pozicionin e Drejtores, duke udhëhequr punën në identifikimin e pengesave kryesore për investime në sektorë kyç të ekonomisë, duke lehtësuar proçesin e konsultimit me sektorin privat në përpunimin e pengesave kryesore dhe prioritizimin e rekomandimeve përkatëse të të bërit biznesit dhe organizimit të punës së Këshillit të Investimeve.

Elvis Zerva – Ekspert Ligjor dhe Rregullator

Z. Elvis Zerva (LL.M) iu bashkua Sekretariatit në vitin 2015 pas një eksperience ligjore 10 vjeçare në sektorin privat, në fushën bankare dhe atë të komunikimeve elektronike. Fushat e tij të ekspertizës mbulojnë çështje ligjore dhe rregullatore në sektorin bankar, të komunikimeve elektronike, taksave dhe doganave si dhe aspekte të legjislacionit tregtar dhe në fushën e investimeve.

Z. Zerva është përgjegjës për identifikimin e çështjeve ligjore dhe institucionale që përbëjnë pengesa për zhvillimin e sektorit privat dhe publik në kuadër të klimës së investimeve në Shqipëri. Puna e tij konsiston në përgatitjen e analizave të detajuara dhe rekomandimeve për ndryshime ligjore dhe rregullatore me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

Z. Zerva ka kryer studimet universitare në degën Drejtësi dhe studimet master në degën e së Drejtës Europiane dhe Kushtetuese të Krahasuar, pranë Universitetit të Tiranës. Aktualisht ai është duke ndjekur studimet Master në fushën e Ligjit Europian për Konkurrencën pranë Universitetit të Londrës.  Z. Zerva është anëtar i Dhomës së Avokatisë që nga viti 2008 dhe mban kualifikime të ndryshme nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare në  Justice, American Government: Constitutional Foundations; Programet e Përputhshmërisë, Anti-Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave.

Elida Fara – Eksperte Ekonomie

Znj. Elida Fara iu bashkua Sekretariatit në vitin 2019. Ajo ka kryer studimet universitare në degën Financë dhe studimet Master në Menaxhim dhe Financë dhe ka 15 vjet eksperiencë pune në Menaxhimin e Financave Publike, Planifikimin Strategjik, Menaxhimin e të ardhurave dhe Menaxhimin e Projekteve.

Znj. Fara ka punuar rreth 13 vjet për Ministrinë e Financave të Shqipërisë e përfshirë në hartimin e politikave, duke mbuluar aspekte të ndryshme të financave publike, nga politikat e taksave në hartim të dokumenteve strategjike të politikave dhe tjera lidhur me fushën e financave publike, administratën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Gjatë 2 viteve të fundit ajo ka punuar për Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara si Eksperte e Financave Publike e përfshirë në zhvillimin e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore në fushën e administrimit fiskal, Menaxhimin e Aseteve dhe Auditimin e Jashtëm.

Znj. Fara është përgjegjëse për shqyrtimin dhe identifikimin e implikimeve ekonomike të kuadrit aktual ligjor dhe institucional mbi biznesin me fokus të veçantë në shqetësimet e sektorit privat, duke ofruar analiza të detajuara dhe rekomandime praktike për përmirësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve në përgjithësi në Shqipëri.

Ajo ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme teknike nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e makroekonomisë, politikës fiskale dhe programimit, Menaxhimit të Financave Publike, statistikat financiare të qeverisë etj.

Xaira Shurdha – Eksperte për Monitorimin dhe Bashkëpunimin

Znj. Xaira Shurdha iu bashkua Sekretariati të Këshillit të investimeve në vitin 2019. Përvoja e saj profesionale është formuar kryesisht në sistemin financiar dhe bankar ku ka punuar për 17 vite, duke qenë përgjegjëse për analizën e biznesit, planifikimin strategjik, duke mbështetur rritjen e klientëve të biznesit, projektimin e përfitueshmërisë të institucioneve që ka drejtuar, raportimin statistikor, raportimin e informacionit tek Bordi Ekzekutiv Menaxhues, konsultimin financiar për klientët e biznesit dhe klientët privatë, menaxhimi i riskut etj.

Në vitin 2015, ajo themeloi një OJQ të orientuar drejt zhvillimit, me synim zhvillimin ekonomik dhe social të zonave rurale veçanërisht në Shqipërinë e Veriut. Nën këtë pozicion, ajo ndërtoi vizionin, qasjen e përgjithshme strategjike, menaxhimin  në të gjithë komponentët e projekteve, rrjetëzimin, shkrimin e propozimeve, gjetjen e fondeve, buxhetimin dhe raportimin, zbatimin e projektit, shërbimet e konsulencës, ngritjen e kapaciteteve dhe shërbimet e trajnimit.

Në vitin 2017, Znj.Shurdha u pozicionua në sektorin e qeverisjes qendrore si Drejtor i Kabinetit të Zëvendës Kryeministrit. Ajo ka koordinuar dy reforma ndërministrore prioritare në Shqipëri “Reformimi i Shërbimeve Publike” dhe “Reforma e Deregulimit – thjeshtimi i licencave, lejeve dhe autorizimit në Republikën e Shqipërisë”. Këto reforma u mbështetën gjerësisht nga shumë partnerë përmes projekteve të ndryshme dhe ajo kishte rolin koordinues me këta donatorë.

Znj. Shurdha ishte Drejtore e Bordit të Agjencisë për Ofrimin e Shërbimeve të Integruara në Shqipëri (ADISA), për një periudhe 1 vjecare. Ajo udhëhoqi grupin që punonte për zgjerimin e rrjetit të ADISA në të gjithë Shqipërinë, optimizimin e strukturës së stafit të agjencive dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, buxhetimin dhe raportimin, vlerësimin dhe parashikimin e kostove dhe proceseve.

Përveç diplomës në Administrim Biznesi, ajo ka ndjekur studimet ekzekutive në Financë-Bankë në Frankfurt, Gjermani. Duke qenë shumë e prirur të ndajë njohuritë e saj me gjeneratat e reja, ajo është angazhuar për një periudhë 4 vjeçare si Pedagog i jashtëm në Universitetin e Shkodrës mbi temat “Komunikim Biznesi” dhe “Bazat e Menaxhimit”.

Elisa Lula – Oficere Administrative dhe Komunikimi

Znj. Elisa Lula iu bashkua Sekretariatit në vitin 2015 pas një përvojë gjashtëvjeçare (2003 – 2009) në sektorin privat dhe një përvojë pesëvjeçare (2009 – 2014) në administrimin e projekteve ndërkombëtare (EU-IPA, GIZ) të fokusuara në inovacion dhe konkurreshmërinë e SME-ve. Ajo ka kryer studimet universitare pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës (2003) me profilin përkthyes i gjuhës angleze si dhe studimet master në menaxhim biznesi (MBA) me fokus “Sipërmarrje” pranë Regent University, SHBA (2015).

 

*****

Konsulentë të Mëparshëm
Mimoza Agolli – Eksperte Ekonomie (me kohë të pjesshme), Korrik 2018 – Dhjetor 2018

Znj. Mimoza Agolli i është bashkuar Sekretariatit të Këshillit të Investimeve në pozicionin afatshkurtër të Ekspertit Ekonomik. Ajo ka një përvojë të gjatë si konsulente/hulumtuese për çështje ekonomike, me fokus ndikimin e politikave publike në mirëqenien dhe shpërndarjen, si dhe në politikat fiskale, arsimim dhe punësimim. Ajo është një njohëse e shkëlqyer e statistikave kombëtare dhe zotëron ekspertizë në përdorimin e mjeteve kuantitative, atyre ekonometrike dhe kompjuterike, për hulumtim dhe analizim të politikave. Ajo ka ofruar ekspertizën e saj në sektorin publik, institucione bankare private, OJQ dhe organizata ndërkombëtare në detyra të shumta. Znj. Mimoza Agolli është diplomuar për Ekonomi dhe Financa, me profil të dytë Menaxhim të Turizmit në Universitetin “F. S. Noli” Korçë. Ajo ka ndjekur studimet pasuniversitare në Shkencat e Ekonomisë së Aplikuar dhe Menaxhimit, në Greqi në Institutin Mesdhetar Agronomik të Chania (MAICH / CHIEAM). Gjatë periudhës së saj të angazhimit pranë Sekretariatit, znj. Agolli ka qenë gjithashtu e angazhuar në përfundimin e punës së saj kërkimore si pjesë e studimeve PhD në Ekonomi Quantitative, Fakulteti i Ekonomisë (CAU, Gjermani).

Ermelinda Xhaja – Eksperte Ekonomie (me kohë të plotë), Korrik 2015 – Dhjetor 2017

Znj. Ermelinda Xhaja iu bashkua Sekretariatit pas një përvoje shtatë vjeçare në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, si Këshilltare për Ekonominë dhe Antikorrupsionin. Ajo ka një përvojë të mëparshme gjashtë vjeçare pranë Ministrisë së Ekonomisë në programimin strategjik dhe koordinimin e donatorëve. Gjithashtu, Znj. Xhaja ka një përvojë akademike si pedagoge në kurse të ndryshme ekonomike në Universitetin e Tiranës dhe Vlorës. Ajo është diplomuar në Menaxhim Biznesi dhe zotëron një diplomë Master në Ekonomi nga Universiteti i Tiranës. Njëkohësisht, gjatë periudhës së saj të angazhimit pranë Sekretariatit, ajo ndiqte doktoraturën pranë Fakultetit të Ekonomisë në Universitetit e Tiranës. Si Eksperte Ekonomike në Sekretariat, Znj. Xhaja ka qenë përgjegjëse për shqyrtimin dhe identifikimin e implikimeve ekonomike të kuadrit aktual ligjor dhe institucional mbi biznesin me fokus të veçantë në shqetësimet e sektorit privat, duke ofruar analiza të detajuara dhe rekomandime praktike për përmirësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve në përgjithësi në Shqipëri.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)