Risitë e Kodit të Ri Doganor dhe Dispozitat Zbatuese, Biznesi Takim Konsultues me Doganat

31 Maj, 2017

Sekretariati i Këshillit të Investimeve në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Dhomën e Tregtisë së Tiranës dhe Shoqatën e Prodhuesve, organizoi në datë 31 Maj 2017 një takim konsultimi me biznesin mbi risitë dhe avantazhet që ofron Kodi i ri Doganor. Takimi vjen si nje sugjerim i  biznesit parashtruar në Mbledhjen e X-të të Këshillit të Investimeve mbi Lehtësimin e Procedurave Doganore.

Në mbledhjen e fundit të KI u evidentuan reforma të rëndësishme të ndërmarra nga Qeveria, si kanali jeshil, zhdoganimi lokal, sistemi i përbashkët i tranzitit me Kosovën, etj. Kodi i Ri Doganor i miratuar në 31 Korrik 2014 hyn plotësisht në fuqi në Qershor 2017. Kodi është hartuar në përputhje me direktivat e BE-së dhe ofron një sërë procedurasht më të thjeshtuara për bizneset eksportuese dhe importuese me qëllim lehtësimin e tregtisë dhe nxitjen e mëtejshmë të shkëmbimeve tregtare. Dispozitat Zbatuese të Kodit të Ri janë përgatitur tashmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe hyjnë në fuqi së bashku me Kodin Doganor.

Njohja nga biznesi i mundësive dhe parashikimeve të kodit të ri doganor është i rëndësishëm për të përgatitur terrrenin në zbatimin sa më të drejtë të praktikave doganore. Për këtë, përfaqësues të DPD-së në takimin konsultues me biznesin prezantuan disa nga aspektet më te rëndësishme të Kodit të Ri me impakt për marrëdhëniet e biznesit me administratën doganore, si deklarimet në doganë, mundësitë për aplikim për procedura të thjeshtuara, rregjimet doganore, informacioni i detyrueshëm tarifor, parashikimet e masave për shkeljet e kodit, etj. Ndërsa, Znj Leka nënvizoi rëndësinë e konsultimit paraprak si një hap i domosdoshëm që rrit transparencën por edhe lehtëson zbatimin e rregullave për të dyja palët si edhe rolin që ka luajtur Këshilli i Investimeve në këtë drejtim.

Nga ana e vet, komuniteti i biznesit referoi disa shqetësime mbi procedurat doganore të ngritura edhe në Këshillin e Investimeve, që lidhen kryesisht me zbatimin e të dhënave të disponueshme për përcaktimin e vlerës doganore, transparencën mbi rezultatet e skanimit, numrin e lartë të kontrolleve, paraqitjen fizike të një sërë dokumentave në doganë, ndryshimet e klasifikimit tarifor të mallrave, trajtim i ankimeve administrative në DPD, etj.

Në takim u vlerësua bashkëpunimi i biznesit me DPD, dhe u  konsolidua nevoja për kontakte dhe konsultime të periodike dhe të institucionalizuara midis administratës doganore dhe komunitetit të biznesit për të forcuar partnershipin dhe bashkëpunimin e tyre për një tregti të sigurt, të hapur dhe të drejtë.

Download
Prezantime mbi Kodin e Ri Doganor

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO)