Search
Close this search box.

Tryeza Konsultimi

27 korrik 2020
Tiranë, 27 korrik 2020 – Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në Shqipëri janë kontribuese të rëndësishme në ekonominë shqiptare, duke përfaqësuar 99.8 përqind të ndërmarrjeve aktive. Ata kanë punësuar 79.8 përqind të fuqisë punëtore dhe realizojnë rreth 69 përqind të vlerës së shtuar. Zakonisht ky sektor karakterizohet nga informaliteti i lartë (veçanërisht në bujqësi), disponueshmëria e kufizuar e kolateralit dhe nivelet e ulëta të kapacitetit financiar. Qasja e kufizuar tek financimet, veçanërisht tek kreditë bankare, përbën një sfidë për NMVM-të në Shqipëri.

Sot Këshilli i Investimeve në Shqipëri, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Banka Botërore organizuan një seminar të përbashkët virtual për të paraqitur gjetjet kryesore të Raportit të Bankës Botërore “Vlerësimi i Skemës për Garantimin e Kredisë në Shqipëri” si edhe për të diskutuar në lidhje me mënyrat e përmirësimit të qasjes së NMVM-ve tek financimet përmes këtyre skemave, duke i bërë ato më efikase dhe efektive.

Zëvendës Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Znj. Belinda Ikonomi bëri një përmbledhje të shkurtër të skemave të qeverisë aktuale për garantimin e kredisë (SGK). “Gjatë një cikli ekonomik në rënie të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit (COVID-19), e cila i ka përkeqësuar më tej nevojat për financim të NMVM-ve,” tha Znj. Belinda Ikonomi, Zëvendës Ministre e Financave dhe Ekonomisë, “skemat për Garantimin e Kredive treguan që ishin shumë efektive dhe të dobishme për NMVM-të. ”

Duke vlerësuar programet e shënjestruara të emergjencës për garantimin e kredisë të përgatitura nga qeveria në përgjigje të krizës së shkaktuar nga COVID-19, Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë tha që “Me kalimin e kohës do të ishte e rëndësishme që këto skema të shndërrohen në një Skemë të rregullt publike për Garantimin e Kredive për të favorizuar rimëkëmbjen ekonomike dhe për të adresuar hendekun e financimit për NMVM-të”.

Ekspertët e Bankës Botërore prezantuan rekomandimet kryesore të raportit të Vlerësimit të Skemave për Garantimin e Kredisë, duke theksuar se skemat e mirë-projektuara bëjnë të mundur financimin e klientëve të besueshëm, të cilëve do t’u ishte refuzuar kredia në mungesë të kolateralit të mjaftueshëm. SGK-të janë mjete të rëndësishme për të adresuar dështimet e tregut, të cilat i pengojnë ose i kufizojnë ndërmarrjet nga qasja tek kreditë. Përveç kësaj, ata ndanë me pjesëmarrësit edhe gjetjet e analizës më të fundit granulare të të dhënave të agreguara të Regjistrit të Kredive në Shqipëri në nivel kredie.

Sekretariati i Këshillit të Investimeve në Shqipëri prezantoi disa të dhëna lokale në lidhje me aksesin në financimi për bizneset shqiptare, bazuar në gjetjet e Anketës së zhvilluar nga ata gjatë përiudhës mars -maj 2020 në lidhje me ndikimin e Covid-19 tek biznesi. Sipas këtij studimi, NVM-të vazhdojnë t’i konsiderojnë bankat si opsion të tretë për mbështetje, pavarësisht përpjekjeve intensive të ndërmarra kohët e fundit.
Përfaqësuesit nga sektori privat e vlerësuan këtë moment si shumë të rëndësishëm dhe theksuan nevojën për transparencë dhe ndërgjegjësim më të lartë në lidhje me SGK-të ekzistuese në vend. Ata theksuan se përmirësimi i aksesit në financimpër NMVM-të në vend duhet të adresohet në mënyrë holistike dhe strategjike, duke adresuar njëkohësisht edhe ofertën dhe kërkesën.

Në këtë aktivitet virtual morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga sektori publik, bankat e zhvillimit/ institucionet financiare, partnerët për zhvillim, Programi Italo-Shqiptar për Financimin e SME-ve, si dhe përfaqësues të bankave lokale të nivelit të dytë dhe institucioneve mikrofinanciare.

Raport i Bankës Botërore “Vlerësim mbi Skemat e Garantimit të Kredive në Shqipëri”

*Ky është një njoftim i përbashkët për shtyp i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Këshillit të Investimeve të Shqipërisë dhe Bankës Botërore.

25 Qershor, 2019
Tiranë, 25 qershor 2019 / Këshilli i Investimeve në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (MFE) dhe International Finance Corporation (IFC) organizoi dy tryeza konsultimi mbi Draft Ligjin e Unifikuar të Investimeve, publikuar nga Qeveria Shqiptare për komente në Regjistrin e Njoftimit dhe Konsultimit Publik (7 maj 2019). Me pjesëmarrjen e rreth 40 përfaqësuesve nga komuniteti i biznesit (kompani dhe shoqata/dhoma të huaja dhe vendase), studio ligjore si edhe përfaqësues të atasheve tregtare të ambasadave të huaja në vend, diskutimi u fokusua si në parimet dhe risitë e draft ligjit ashtu edhe në çështje më specifike. Për të mundësuar një debati sa më eficent, përpara organizimit të këtij konsultimi, Sekretariati i Këshillit të Investimeve punoi për të angazhuar të gjithë aktorët në një proces sa më gjithëpërfshirës e veçanërisht në lidhje me mbledhjen e komenteve të detajuara me shkrim të ndara më pas për shqyrtim me MFE dhe IFC.

Në hapjen e diskutimit, Zv/Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Belinda Ikonomi evidentoi shkurtimisht angazhimin e qeverisë shqiptare për përmirësimin e klimës së investimeve në vend dhe rolin që luan përmirësimi i kuadrit ligjor në këtë drejtim. Znj. Ikonomi shpjegoi nevojën dhe objektivat e këtij draft ligji, si një instrument i cili do të synojë trajtimin e barabartë të investitorëve vendas dhe të huaj. Ajo nënvizoi rëndësinë që ka konsultimi i këtij draft ligji me grupet e interesit dhe falenderoi pjesëmarrësit për dërgimin e komenteve të cilat janë të vlefshme për përmirësimin e mëtejshëm të draft ligjit aktual të prezantuar tashmë zyrtarisht.

Z. Eugeniu Osmochescu, specialist i lartë për sektorin privat pranë IFC, paraqiti punën e bërë nga ky institucion në bashkëpunim me grupin e punës pranë MFE, në kuadër të projektit “Klima e investimeve dhe rritja e konkurrueshmërisë së agrobiznesit”, i financuar nga Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO). Z. Osmochescu u ndal veçanërisht në komponentin i cili mbulon përmirësimin e klimës së investimeve, pjesë e të cilit është dhe përgatitja e këtij draft ligji. Ai theksoi rëndësinë e konsultimeve të gjera si dhe nevojën për përfundimin e këtij procesi në një kohë sa më të shpejtë.

Në vijim, ekspertët e IFC, z. Mark Reichel dhe znj. Blertë Kraja dhanë një prezantim të përgjithshëm të parashikimeve ligjore në draftin e prezantuar dhe të përditësuar si dhe një prezantim të shkurtër në lidhje me grupet e komenteve të mbledhura nga ministritë e linjës dhe komuniteti i biznesit, duke dhënë edhe sqarime në lidhje me kontekstin e draft ligjit. Komentet e parashtruara kanë të bëjnë kryesisht me substancën, konceptet dhe formalitetet. IFC shprehu angazhimin për të shqyrtuar me përpikmëri çdo koment, por për efekt kohor u synua që diskutimi të përqendrohej në shtyllat kryesore.

Në vija të përgjithshme, sipas ekspertëve të IFC, objektivat kryesore të draft ligjit janë: i) të vendosë një regjim ligjor gjithpërfshirës për investimet vendase, të huaja, të përgjithshme dhe ato strategjike, ii) të inkurajojë investimet vendase dhe të huaja në Shqipëri me një ligj të vetëm, iii) trajtimi i drejtë dhe të barabartë si dhe mbrojtjen e investimeve vendase dhe të huaja, iv) t’u sigurojë investitorëve akses transparent e të lehtë në treg, v) mundësimin për një zgjidhje të shpejtë e të drejtë të çdo mosmarrëveshje të mundshme që del gjatë zhvillimit të investimit, vi) përputhshmërinë e plotë me marrëveshjet ndërkombëtare të investimeve dhe detyrimet ndërkombëtare që ka Shqipëria si dhe me ‘acquis’ e BE, etj.

Komuniteti i biznesit u shpreh se Këshilli i investimeve po konsolidon tashmë profilin e tij si një platformë serioze, efektive dhe të besueshme në procesin e konsultimit të ligjeve të cilat kanë impakt për klimën e investimeve në vend. Gjatë diskutimit, spikatën sugjerimet në lidhje me nevojën për të përgatitur një ligj të plotë të shoqëruar edhe me paketën e akteve nënligjore, nevojën për hartimin e qartë të parashikimeve ligjore veçanërisht ato që lidhen me incentivat, sektorët strategjike, standardin minimal të trajtimit dhe mekanizmit të zgjidhjes së ankesave të investitorëve. Shumica e të pranishmëve ishin në favor të sqarimit më të mirë të procedurave nga vetë ligji dhe sa më pak hapësirë për përcaktimin e tyre nëpërmjet akteve nënligjore.
Në përfundim, znj. Ikonomi falenderoi pjesëmarrësit për kontributin, Sekretariatin për punën shumë të mirë në drejtim të procesit të përfshirjes së palëve si edhe informoi se grupi i punës i ka mbajtur shënim të gjitha komentet e paraqitura nga bizneset, disa edhe janë reflektuar ndërkohë që për transparencë një matricë e detajuar është duke u finalizuar. Më tej drafti do të rishikohet duke analizuar edhe komentet përkatëse dhe do të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave, duke synuar miratimin e tij brenda muajit korrik 2019.
10 Prill, 2019
Tiranë, Mërkurë, 10 prill 2019 / Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Sekretariatin e Këshillit të Investimeve zhvilloi një tryezë konsultimi me rreth 20 biznese nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj. Tryeza kishte si qëllim bashkëbisedimin me subjektet grumbullues, fason dhe eksportues në lidhje me strategjinë e rimbursimit të TVSH-së për 2019 dhe luftën kundër informalitetit. Në takim morën pjesë edhe Zv/Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Elton Haxhi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z. Enton Duro.
Nga ana e tyre, bizneset falenderuan për formatin dhe mundësinë për takim dhe diskutuan mbi domosdoshmërinë për rimbursimin në kohë të TVSH-së për të mos krijuar ngërçe tek kompanitë në kryerjen e pagesave të tjera; për sektorin e fasonëve të konsiderohet kompensimi i TAP dhe kompensimi i sigurimeve shoqërore në rast vonese të rimbursimit të TVSH-së, impakti i zhvlerësimit të monedhës euro; nevoja e industrisë së bimëve aromatike dhe medicinale për t’u ripërfshirë në skemat kombëtare dhe ndërkombëtare të financimit (si p.sh. IPARD Like, IPARD 2, AZHBR); disa opsione mbi taksimin dhe nivelin e rrogave të sektorit; nevoja për më shumë subvencionime nga shteti, etj. Gjithashtu, bizneset u shprehën mbi probleme të tjera jo të aspektit fiskal, si p.sh. pagesat e shumta të tarifave shtesë si trajnimi i stafit, leja mjedisore, analiza e ujit të pijshëm, sistemi elektrik, etj).

Në lidhje me anti-informalitetin, bizneset u shprehën se biznesi i ndershëm është aleati më i mirë i qeverisë. Ato ngritën kërkesën për krijimin e një grupi pune, ndoshta nëpërmjet Sekretariatit të KI apo Ministrisë, në mënyrë që çështjet të ngrihen nga biznesi në mënyrë të strukturuar sektoriale.

Ministrja Denaj konfirmoi se problematikat dhe propozimet e kësaj tryezë do t’i përcilleshin instancave dhe ekspertëve përkatës. Partnerë të ndryshëm zhvillimi kanë shprehur gatishmërinë dhe po mbështesin MFE për të ndërmarrë një diagnostikim të politikave fiskale, ku do të shihet impakti që ka patur çdo politikë fiskale (për t’u përfunduar deri në fund të qershor 2019). Mbështetja e sektorit fason dhe grumbulluesve është një prioritet i qeverisë shqiptare. Qeveria po merr masa për të përmirësuar procesin e rimbursimit në kohë të TVSH-së, ndërsa pritet që deri në fund të 2019/max. 2 muajt e parë të 2020, qeveria do të lehtësojë mjaft situatën për çdo kërkues tjetër rimbursimi. Ministrja Denaj fton bizneset që për problematika të ndryshme të adresohen pranë Sekretariatit të Këshillit të Investimeve ose drejtpërdrejtë tek ajo.
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z. Enton Duro, shprehu gatishmërinë e institucionit që ai drejton për të adresuar me përpikmëri çdo problem që do t’i drejtohet këtij institucioni dhe i kërkoi subjekteve të shprehnin hapur çdo problematikë që ato hasin.

Sekretariati i KI informoi se tryeza organizohet në kuadrin e monitorimit të problematikave të biznesit të ndjekura nga KI që nga 2015 (inspektimi tatimor, rimbursimi i TVSH-së dhe informaliteti). Nga anketa e klimës së investimeve për 2018 (me 350 kompani) vërehet një ulje e perceptimit të bizneseve (krahasuar me 2015-2017) mbi informalitetin, nevoja e hartimit të strategjive të formalizimit si në nivel subjektesh ashtu edhe në nivel sektori p.sh. subjektet në turizëm konfirmojnë që “informaliteti sjell informaliteti”. Gjithashtu, ky takim i paraprin procesit të ngritjes së grupeve të punës që do të ngrihen në KI, për të konsideruar në mënyrë specifike problematika sistemike të biznesit, që janë trajtuar në vijimësi edhe nga Këshilli i Investimeve.

Tashmë, Këshilli i Investimeve ka një përvojë 4 vjeçare në konsultimin e drejtëpërdrejtë të problematikave kryesore të biznesit si nëpërmjet konsultimeve individuale me kompani dhe institucione publike (qendrore apo vendore) ashtu edhe nëpërmjet anketave vjetore që kryen për të matur ecurinë e disa faktorëve të rëndësishëm të të bërit biznes (administrata tatimore, rimbursimi i TVSH-së, informaliteti).

23 Maj, 2018
Të mërkurën, Këshilli i Investimeve në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe International Finance Corporation (IFC) organizoi një tryezë diskutimi mbi kuadrin ligjor për investimet në vend.

Morën pjesë në këtë mbledhje rreth 60 përfaqësues nga shoqata të huaja dhe vendase si AmCham, Dhoma Italiane e Tregtisë, Dhoma Turke e Tregtisë (ATTSO), Dhoma Gjermane e Tregtisë (DIHA), ICE, FIAA, Advantage Austria, ACERC, AITA, Nordic Association Albania, DHTI Tirana, Unioni i Dhomave të Tregtisë (UCCIAL), BTSH, etj., kompani vendase dhe të huaja si Vodafone Albania, Bankers Petroleum, ABCom, Forscher, Alpha Bank, Antea Cement, Balfin Group, TAP, Shell, Colliers, etj., si dhe studio konsulence në fushën ligjore dhe tatimore si Boga & Associates, HMH, Mazars, Baker Tilly, Kalo & Associates, Optima, AA+ etj.

TMbledhja u hap nga Drejtoresha e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, znj. Diana Leka, me një mesazh të shkurtër mirëseardhje për pjesëmarrësit. Ajo theksoi rëndësinë e njoftimit dhe konsultimit paraprak të ligjeve si një nga shqetësimet kryesore të biznesit, adoptuar edhe nga Këshilli i Investimeve nëpërmjet rekomandimeve të tij përkatëse. Gjithashtu, znj. Leka informoi shkurtimit mbi përfshirjen e Këshillit të Investimeve gjatë procesit të diskutimit në lidhje me kuadrin ligjor të investimeve duke konsideruar tendencat dhe iniciativat në rajon, si dhe në lehtësimin e dialogut midis aktorëve.

Në vijim, Zëvendës Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Albana Shkurta mbajti një prezantim të shkurtër mbi kontekstin dhe procesin për një ligj të unifikuar mbi investimet, duke u bazuar në veçanti në renditjet e Shqipërisë në Raportin e UNCTAD ‘Investment Policy Review’ (2017). Komentet, shqetësimet dhe gjetjet e nxjerra mbi kuadrin ligjor të investimeve gjatë kësaj mbledhje do të shqyrtohen nga ekspertët e IFC (organizatë me një përvojë të gjerë ekspertize mbi çështje që kanë të bëjnë me legjislacionin e investimeve) për t’u konsideruar më tej në shqyrtimin e legjislacionit aktual.

Përfaqësuesja e IFC në Shqipëri, znj. Laura Qorlaze, shpjegoi kontributin e IFC për përmirësimin e klimës së investimeve në Shqipëri. “Kjo tryezë diskutimi me përfaqësues nga grupe të ndryshme të komunitetit të biznesit, do të shërbejë për të diskutuar boshllëqet dhe mangësitë e kuadrit ekzistues ligjor mbi investimet dhe nevojën për të plotësuar boshllëqet dhe për të unifikuar pjesët ekzistuese të legjislacionit në një ligj bashkëkohor dhe të plotë për t’iu përgjigjur sa më mirë nevojave për rritje në Shqipëri,” u shpreh znj. Qorlaze.
Z. Mark Reichel, ekspert i IFC, mbajti një prezantim mbi ‘Praktikat më të mira ndërkombëtare dhe sfidat për një kuadër bashkëkohor ligjor mbi investimet.’ Pas prezantimit të tij, fjala iu la diskutimeve nga ana e pjesëmarrësve në lidhje me a) përmirësimin e legjislacionit mbi investimet, b) metodën e duhur për t’u ndjekur nga institucionet ndaj investitorëve vendas dhe të huaj, c) incentivat, d) mekanizmat për zgjidhjen e ankesave të investitorëve, e) sektorët prioritarë, dhe f) çështje të tjera përkatëse.

Pjesëmarrësit konsideruan rolin e mekanizmave shtetërorë për zgjidhjen e ankesave të investitorëve si tepër të rëndësishëm në zgjidhjen e këtyre ankesave në fazat e hershme por nënvizuan se mekanizma të tilla nuk duhet të mbivendosen me struktura të ankimimit administrativ të cilat ekzistojnë aktualisht. Gjithashtu, u theksua nevoja për rregulla të qarta dhe të detajuara për një mekanizëm të suksesshëm për mosmarrëveshjet e investitorëve.
31 Maj, 2017
Sekretariati i Këshillit të Investimeve në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Dhomën e Tregtisë së Tiranës dhe Shoqatën e Prodhuesve, organizoi në datë 31 Maj 2017 një takim konsultimi me biznesin mbi risitë dhe avantazhet që ofron Kodi i ri Doganor. Takimi vjen si nje sugjerim i biznesit parashtruar në Mbledhjen e X-të të Këshillit të Investimeve mbi Lehtësimin e Procedurave Doganore..

Në mbledhjen e fundit të KI u evidentuan reforma të rëndësishme të ndërmarra nga Qeveria, si kanali jeshil, zhdoganimi lokal, sistemi i përbashkët i tranzitit me Kosovën, etj. Kodi i Ri Doganor i miratuar në 31 Korrik 2014 hyn plotësisht në fuqi në Qershor 2017. Kodi është hartuar në përputhje me direktivat e BE-së dhe ofron një sërë procedurasht më të thjeshtuara për bizneset eksportuese dhe importuese me qëllim lehtësimin e tregtisë dhe nxitjen e mëtejshmë të shkëmbimeve tregtare. Dispozitat Zbatuese të Kodit të Ri janë përgatitur tashmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe hyjnë në fuqi së bashku me Kodin Doganor.

Njohja nga biznesi i mundësive dhe parashikimeve të kodit të ri doganor është i rëndësishëm për të përgatitur terrrenin në zbatimin sa më të drejtë të praktikave doganore. Për këtë, përfaqësues të DPD-së në takimin konsultues me biznesin prezantuan disa nga aspektet më te rëndësishme të Kodit të Ri me impakt për marrëdhëniet e biznesit me administratën doganore, si deklarimet në doganë, mundësitë për aplikim për procedura të thjeshtuara, rregjimet doganore, informacioni i detyrueshëm tarifor, parashikimet e masave për shkeljet e kodit, etj. Ndërsa, Znj Leka nënvizoi rëndësinë e konsultimit paraprak si një hap i domosdoshëm që rrit transparencën por edhe lehtëson zbatimin e rregullave për të dyja palët si edhe rolin që ka luajtur Këshilli i Investimeve në këtë drejtim.
Nga ana e vet, komuniteti i biznesit referoi disa shqetësime mbi procedurat doganore të ngritura edhe në Këshillin e Investimeve, që lidhen kryesisht me zbatimin e të dhënave të disponueshme për përcaktimin e vlerës doganore, transparencën mbi rezultatet e skanimit, numrin e lartë të kontrolleve, paraqitjen fizike të një sërë dokumentave në doganë, ndryshimet e klasifikimit tarifor të mallrave, trajtim i ankimeve administrative në DPD, etj.

Në takim u vlerësua bashkëpunimi i biznesit me DPD, dhe u konsolidua nevoja për kontakte dhe konsultime të periodike dhe të institucionalizuara midis administratës doganore dhe komunitetit të biznesit për të forcuar partnershipin dhe bashkëpunimin e tyre për një tregti të sigurt, të hapur dhe të drejtë.

Prezantime mbi Kodin e Ri Doganor: