Zgjidhja e Mosmarrëveshjeve

Mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve të administratës publike dhe biznesit mbartin kosto të konsiderueshme për palët dhe njëkohësisht sjellin pasiguri dhe mosbesim për investime të mëtejshme. Për këtë arsye është e nevojshme zgjidhja e shpejtë, efektive dhe e drejtë e këtyre mosmarrëveshjeve. Në Shqipëri këto mosmarrëveshje mund të zgjidhen që në fazën e shqyrtimit administrativ të ankimeve/apelimeve administrative apo shqyrtimit në rrugë gjyqësore të kërkesëpadive.

Ndjekja e rrugës administrative të apelimit administrativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjes përpara se subjekti t’i drejtohet gjykatës, është e detyrueshme vetëm nëse ligji që rregullon marrëdhëniet juridike dhe veprimtarinë administrative të fushës përkatëse, parashikon shprehimisht se ndaj aktit administrativ mund të ushtrohet ankim administrativ, si dhe tregon organin apo organet konkrete administrative tek të cilët eventualisht, sipas hierarkisë, duhet të drejtohet apelimi administrativ. Ligjet e posaçme (p.sh në fushën tatimore, doganore, prokurimeve etj.) parashikojnë modalitetet konkrete mbi afatet, kushtet e procedurat që duhen respektuar për të bërë të pranueshëm për shqyrtim në themel ankimin administrativ, procedurat e shqyrtimit dhe natyrën e vendimmarrjes nga organi administrativ. Vendimet përfundimtare të administratës mund të ankimohen në gjykatat administrative.

Gjykatat administrative u krijuan me ligjin Nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. Ligji përcakton organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative, si dhe statusin e gjyqtarëve që shërbejnë në to; juridiksionin dhe kompetencën e gjykatave administrative; parimet dhe procedurën e gjykimit, palët në proçes dhe personat e tjerë në gjykim administrativ; vendimet gjyqësore administrative dhe ekzekutimin e tyre. Gjykatat kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative, janë Gykatat Administrative të Shkallës së Parë, Gjykata Administrative e Apelit dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë. Aktualisht në Shqipëri funksionojnë 6 (gjashtë) gjykata administrative të shkallës së parë në: Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë dhe Gjykata Administrative e Apelit Tiranë.

Arbitrazhi dhe Ndërmjetësimi janë mënyra alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve nëpërmjet proçedurave të ndërmjetësimit apo arbitrazhit kombëtar nuk është e përhapur në Shqipëri. Për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, palët zakonisht i drejtohen gjykatave.

Çfarë është bërë:

Sekretariati ka përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me aktorë të rëndësishëm (shoqata biznesi, dhoma, institucione publike), një analizë mbi përmirësimin e mekanizmave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis biznesit dhe administratës publike. Zgjidhja e shpejtë, efektive dhe e drejtë e këtyre mosmarrëveshjeve mbetet domosdoshmëri për nxitjen e investimeve ne vend. Ky ishte edhe objekti i diskutimit në mbledhjen e Këshillit të Investimeve, mbajtur më 2 mars 2016. Për më shumë informacion mbi materialet e Mbledhjes, kliko këtu.

Këshilli i Investimeve mbështetet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, BERZH dhe Nisma e Evropës Qendrore (CEI).