Search
Close this search box.

Bizneset të paqarta, të thjeshtëzohen ligjet

Barrë e lartë e kontrolleve tatimore, legjislacion i paqartë dhe që ndryshon shpesh, sistem apelimi jo efektiv, kapacitete të ulëta të administratës, janë disa nga ankesat kryesore të biznesit. Rrugëzgjidhjet e propozuara…

Flet Diana Leka, kreu i Sekretariatit të Këshillit të Investimeve,

Thjeshtëzoni ligjet, trajnoni inspektorët, ndiqni informalitetin dhe bizneset e paregjistruara, shpërblim për tatimpaguesit e ndershëm. Këto janë disa nga rekomandimet që Këshilli i Investimeve i jep qeverisë shqiptare, pasi ka zhvilluar një anketim me bizneset dhe takime me shoqatat kryesore që përfaqësojnë sipërmarrësit në vend. Në një intervistë për Monitor, kreu i Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, Diana Leka flet më gjerësisht për gjetjet e vëzhgimit me bizneset dhe disa nga zgjidhjet e propozuara.

Në mënyrë të përmbledhur, nga rezultatet e anketimit dhe diskutimet me shoqatat, cilat janë problemet kryesore që shqetësojnë bizneset?

Fillimisht, do të thoja se disa nga problemet më kryesore të biznesit në Shqipëri, të evidentuara si nga raportet ndërkombëtare dhe nga shoqatat e biznesit, janë:
– Informaliteti në Ekonominë shqiptare.
– Funksionimi i shtetit të së drejtës ku mund të përfshijmë legjislacionin (pasaktësitë që në draftim, moszbatimi i duhur, ndryshimet e shpeshta), procedurat burokratike të administratës përfshirë rekrutimin, kapacitetet logjistike dhe profesionale/humane. Një vëmendje të veçantë ka marrë nevoja për një ligj bashkëkohor të falimentimit dhe çështja e respektimit të kontratave.
– Korrupsioni, që shpesh vjen edhe si pasojë e dy faktorëve të mësipërm.
Në lidhje me kontrollin tatimor, më specifikisht, ku ne punuam tre muajt e fundit, mund të përmbledhim shkurtimisht:
Kështu, ndërkohë që biznesi vlerëson me nota pozitive investimin në deklarimin online për TAP, kodin e ri doganor, ligjin e ri të TVSH-së, apo shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, kemi komente të forta në drejtim të:
-Barrës së madhe të kontrolleve tatimore, si kontroll i plotë ashtu edhe vizita fiskale. Në fakt, ky proces “konsumon” burime njerëzore, financiare dhe kohë si për biznesin ashtu edhe për administratën tatimore. P.sh. nga analiza del se biznesi i madh, në një pjesë të mirë ka kaluar në kontroll të plotë në tre vitet e fundit (2013-2015) me një kohë mesatare kontrolli nga një javë deri në një muaj, ndërsa biznesi i vogël, edhe nga vetë natyra e tij, është kryesisht objekti i verifikimeve në vend.
-Ka një paqartësi nga bizneset se përse kontrollohen. Ato janë të shqetësuara sepse kontrollet, sipas tyre, bëhen pa arsye, si fushatë dhe me paramendim për të vendosur gjoba. Komente të qarta kanë ardhur nga bizneset dhe nga diskutimet me shoqatat në lidhje me këtë pikë dhe veçanërisht mbi penalitetet. Për më tepër, kërkohen edhe procedura kontrolli të veçanta për sektorë të veçantë siç janë shërbimet nga baret dhe restorantet te kompanitë e mëdha të telekomunikacionit dhe bankare.
-Paqartësia e legjislacionit tatimor dhe procedurave tatimore. Interpretime të ndryshme të legjislacionit, ndryshimet e shpeshta në legjislacion janë theksuar si problem i biznesit si p.sh. Ligji për Procedurat Tatimore është ndryshuar 12 herë (2008-2015) përfshirë amendimin më të fundit në tetor 2015, së bashku me konsultime të cunguara paraprake dhe jo gjithëpërfshirëse me aktorët, në veçanti biznesin. Sipas Doing Business Report të Bankës Botërore, mesatarisht një subjekt bën 34 pagesa, harxhon 357 orë në vit për dokumentacion/pagesa taksash. Gjithashtu interpretimet dhe shpjegimet e legjislacionit tatimor nga administrata tatimore mbeten shqetësim i biznesit, i evidentuar qartë te Biznesi i Madh dhe sektori i shërbimeve. Mungojnë praktika të unifikuara të rasteve të ngjashme të trajtuara nga Administrata Tatimore dhe Gjykatat për të orientuar si inspektorët tatimorë, ashtu edhe biznesin.
-Kapacitetet e administratës tatimore mbeten në nivele të ulëta sipas bizneseve të përgjigjur në anketë, mungon një specializim i tyre sipas sektorëve dhe mbështetja logjistike apo infrastruktura e administratës tatimore që shoqëron inspektorin lë shumë për të dëshiruar.
-Procesi i Apelimit Tatimor, joefektiv. Ka një nivel shumë të lartë pakënaqësie mbi procedurën e apelimit tatimor, pikëpyetje mbi pavarësinë e institucionit dhe kapacitetet e tij për të trajtuar volumin e madh të ankimimit e shoqëruar edhe me një mosbesim të lartë mbi procesin ku nga statistikat ka dalë që rreth vetëm 4% të rasteve i jepet e drejta tatimpaguesit.
-Informimi dhe ndërgjegjësimi i biznesit dhe roli i Avokatit të Tatimpaguesit janë çështje që kërkojnë adresim. Në veçanti, biznesi i vogël vuan nga një mungesë informacioni e dukshme në rastet e ndryshimeve ligjore dhe procedurale. Biznesi kërkon të shikohet si partner dhe të ketë më shumë komunikim, transparencë me të. Roli i Avokatit të Tatimpaguesit shikohet i kufizuar dhe kërkohet më shumë prezencë e tij.

Cilat janë rekomandimet tuaja për të adresuar këto probleme dhe si do ta ndiqni ju zgjidhjen e tyre?

Sekretariati i Këshillit të Investimeve, pas një analize të thellë dhe në disa dimensione i ka adresuar Këshillit të Investimeve një listë rekomandimesh, të cilat adresojnë shqetësimet e ngritura më sipër dhe prekin si ndryshime ligjore, ashtu edhe administrative. Rekomandimet, që u diskutuan paraprakisht me ekspertë të fushës, janë miratuar nga Këshilli i Investimeve dhe do t’i dërgohen ministrit të Financave dhe për dijeni kabinetit të Kryeministrit. Ndërkohë, ne do të vazhdojmë përpjekjet për të siguruar përfshirjen e rekomandimeve në kuadrin ligjor dhe institucional tatimor. Më konkretisht po përmend disa nga rekomandimet kryesore.
-Të konsiderohet në afat të mesëm përzgjedhja e kontrolleve mbi bazë risku nga sistemi elektronik për të gjithë taksapaguesit, për të gjitha llojet e taksave në 90% të rasteve. Aktualisht, është miratuar përzgjedhja mbi bazë risku vetëm për rimbursimin e TVSH-së. Në Rregullore të DPT është raporti 60% nga sistemi dhe 40% nga inspektorët, por ka vend gjithmonë për subjektivizëm dhe abuzim me kriteret e përcaktuara për përzgjedhje. Të vazhdojë detajimi i kritereve bazë dhe publikimi sipas profilit të taksapaguesit dhe industrisë, sigurisht nuk flasim për formulën apo algoritmin përkatës i sistemit. Në kuadrin ligjor përkatës si Ligji i Procedurave Tatimore dhe aktet nënligjore të ketë një përshkrim të qartë të kontrollit me bazë risku dhe kritereve të riskut.
-Të përcaktohet qartë një afat prej 10 ditësh kalendarike për njoftimin paraprak të tatimpaguesve, përveç rasteve të verifikimit në terren në Ligjin e Procedurave Tatimore, seksioni X.
-Zgjerimi i rolit të AT në Kontrollin Tatimor veçanërisht në procedurat e rikontrollit të reflektohet në Ligjin e Procedurave Tatimore. Njëkohësisht është sugjeruar ristrukturimi i Zyrës së AT për të rritur pavarësinë e tij në fushën e bashkëveprimit dhe partneritetit me tatimpaguesit.
-Rekomandime të veçanta mbi lehtësimin e procedurave në Apelimin Tatimor.
-Rritja e kapaciteteve të inspektorëve ku emërimet të bëhen mbi profilin e tatimpaguesit dhe sipas specifikave sektoriale. Ndërkohë të ofrohen edhe paketa motivuese për ta mbi rezultate si etika, komunikimi, aftësitë profesionale dhe jo vetëm niveli i “gjobave”. Sigurisht trajnime të specializuara duhet të vazhdojnë në partnership edhe me shoqatat profesionale, si e ekspertëve kontabël apo kompanitë e auditimit dhe konsulencës.
-Rritja e kapaciteteve në analizën ligjore është domosdoshmëri për administratën tatimore dhe këtu kërkohet me ngulm unifikimi i praktikave dhe përgatitja e Komentarit Vjetor të Çështjeve të Trajtuara nga DPT.
-Rritja e Transparencës së Administratës Tatimore ku sugjerohen konsultime publike dhe hartimi i një programi vjetor komunikimi me biznesin sipas sektorëve mbi problematikat e legjislacionit dhe procedurat tatimore.
-Publikimi i raporteve vjetore të DPT dhe DAT. Vendimet e DAT duhet të publikohen në mënyrë sistematike.
-Manuale të thjeshta dhe sesione informuese për bizneset e vogla dhe të mesme.
Shkurt do ta përmblidhja sipas një komenti që është bërë në Anketë:
Thjeshtëzoni ligjet, trajnoni inspektorët, ndiqni informalitetin dhe bizneset e paregjistruar, shpërblim për tatimpaguesit e ndershëm.

Një nga rezultatet që bie në sy nga anketimi është besimi i pakët që kanë bizneset tek Apelimi Tatimor. Cilat janë rekomandimet tuaja për zgjidhje?

Sekretariati i Këshillit të Investimeve, në mënyrë që të krijonte një pasqyrë të plotë të problematikës që ekziston lidhur me procedurat e kontrollit tatimor, zhvilloi një anketë në rrugë elektronike dhe tërësisht anonime. Në bashkëpunim të ngushtë me një sërë shoqatash të biznesit, kjo Anketë u shpërnda te një numër i madh kompanish. Pavarësisht kohës së shkurtër në dispozicion për plotësimin e saj, jemi shumë të kënaqur që një numër i konsiderueshëm biznesesh prej gati 120 të tilla, e vlerësuan duke ju përgjigjur në kohë pyetjeve të anketës përgjatë periudhës 24 gusht deri në 14 shtator. Është e vërtetë se një numër i madh përgjigjesh dhe komentesh të biznesit lidheshin me problematikat në fushën e zbatimit të procedurave të Kontrollit Tatimor. Nga analiza e kryer nga sekretariati të komenteve dhe përgjigjeve është evidente kjo që keni konstatuar edhe ju, mungesa e besimit të bizneseve te procedurat e kontrollit tatimor në veçanti dhe te mënyra se si funksionon në përgjithësi Apelimi Tatimor. Mendoj se është me interes të ndaj me ju se biznesi mendon se vendimet e Drejtorisë së Apelimit Tatimor janë formale, thuajse gjithmonë në favor të administratës tatimore, jo të argumentuara etj. Gjithashtu është nënvizuar me forcë edhe mungesa e pavarësisë së Drejtorisë së Apelimit Tatimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila bën që biznesi ta shikojë me mosbesim pavarësinë e kësaj strukture. Problematikë mbetet për biznesin edhe konstatimi se detyrimi për të parapaguar 100% të shumës së detyrimit objekt apelimi, është dekurajues dhe joproporcional.
Lidhur me këtë problematikë, Sekretariati paraqiti përpara Këshillit të Investimeve në mbledhjen e datës 5 tetor 2015 disa rekomandime praktike për përmirësime kryesisht në Ligjin Nr. 9920 “Për Procedurat Tatimore” që konsistojnë në: lehtësimin e barrierave për biznesin në fillimin e procedurave të Apelimit, pra bizneset të mos jenë të detyruar të parapaguajnë të gjithë shumën e detyrimit objekt i Apelimit, por të parapaguajnë vetëm një pjesë të saj. Sekretariati ka propozuar që të parapaguhet vetëm 50% e shumës – gjithsesi më tepër se sa shifra konkrete e cila është pjesë e një debati teknik, bizneseve duhet t’í jepet një sinjal se aksesi në procedurat e apelimit është një mundësi efektive për biznesin, për të mbrojtur interesat e tyre dhe jo një mundësi për administratën tatimore për të realizuar planin e të ardhurave. Drejtoria e Apelimit Tatimor duhet të japë interpretime të sakta dhe të ketë një rol më aktiv në trajtimin uniform të çështjeve të njëjta apo të ngjashme tatimore, si dhe të reflektojë përcaktimet e vendimeve gjyqësore të formës së prerë në shqyrtimin e çështjeve që kanë të njëjtën problematikë. Sigurisht që kjo kërkon rritjen e kapaciteteve profesionale të Drejtorisë së Apelimit në fushën ligjore dhe jo vetëm, si dhe një trajtim koherent të problematikave të biznesit jashtë ndikimeve të administratës tatimore. Në këtë kuadër rekomandohet të rishikohet nga pikëpamja strukturore pozicionimi i Drejtorisë së Apelimit si një strukturë e pavarur dhe jo pjesë direkte e strukturës së administratës tatimore. Ndërkohë, qeveria duhet të shohë edhe nevojat me fonde publike të administratës tatimore, pasi ka shumë për të bërë edhe në këtë drejtim.
Këto janë edhe rekomandimet dhe kërkesat e vazhdueshme të biznesit të cilat janë paraqitur në seksionin e komenteve pjesë e Anketës.

Sipërmarrësit e huaj kanë një vlerësim shumë më të ulët se kapacitetet e inspektorit tatimor, në raport me biznesin vendas. Si e shpjegoni këtë?

Administrata tatimore në përgjithësi dhe inspektorët tatimorë në veçanti kanë qenë në vazhdimësi në qendër të kritikave të vazhdueshme të biznesit. Ky i fundit ka ngritur shqetësime lidhur me cilësinë e kontrolleve tatimore të kryera nga inspektorët, duke nënvizuar se ato janë të qëllimshme dhe pa bazë ligjore, ndërsa inspektorët janë joprofesionalë, tendenciozë, në disa raste të korruptuar dhe me mungesa të theksuar të etikës. Kjo rezulton jo vetëm nga përgjigjet e Anketës, por edhe nga raporte të ndryshme të institucioneve ndërkombëtare që janë shqyrtuar gjatë kësaj kohe nga Sekretariati. Në fakt, nga Anketimi rezulton se sipërmarrja e huaj ka vlerësuar me nota më negative kapacitetet profesionale, etikën në komunikim dhe nivelin logjistik të inspektorëve tatimorë. Kjo mendoj se vjen nga krahasimi i standardeve që bëjnë sipërmarrësit e huaj midis atyre që gjejnë në Shqipëri dhe atyre në vendet e tyre.

Këshilli i Investimeve është një organizëm i ri. Cilat janë hapat e mëtejshëm të planifikuar dhe në çfarë drejtimesh?

Aktualisht ne si strukturë jemi krijuar vetëm në mars të 2015-s me mbështetjen e EBRD. Modeli që ne duhet të sjellim, kërkon shumë profesionalizëm dhe standard si në analizën e problemeve të klimës së biznesit, ashtu edhe në parashtrimin e opsioneve të pranueshme nga palët e interesuara. Këtu mendoj se ka mjaft punë për të bërë, dhe ne aktualisht po punojmë fort në disa shtylla kryesore, që do t’i parashtrohen Këshillit të Investimeve në mbledhjen e dhjetorit 2015. Tema që po konsiderohen janë inspektimi, energjia, informaliteti në bujqësi, problematika e pronësisë etj.

Publikuar në Revistën Monitor, 19 tetor 2015.