Search
Close this search box.

Këshilli i Investimeve – një platformë efektive dialogu publik-privat

Intervistë e Drejtores së Sekretariatit të KI, znj. Diana Leka në Revistën Bankieri.

Që nga krijimi i tij, KI ka trajtuar problematika me ndikim të drejtpërdrejt në klimën e investimeve, ai: informaliteti, kontrolli tatimor, ankimimi administrativ, nxitësit e investimeve, inspektimet, siguria e pronës, etj.

Çfarë përfaqëson Këshilli i Investimeve (KI)?

Këshilli i Investimeve, ështe një platformë dialogu publik-privat (themeluar mbi një memorandum bashkëpunimi midis Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 2014, dhe  VKM nr. 294, dt. 08.04.2015) drejtuar nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe ka në përbërje 17 anëtarë — përfaqësues të institucioneve publike, shoqatave të biznesit dhe partnerëve për zhvillim. Qëllimi kryesor i KI-së është të lehtësojë dialogun midis palëve për zhvillimin e një klime të favorshme, jo-diskriminuese dhe transparente për biznesin dhe investimet në Shqipëri. Nga ana operacionale, puna e Këshillit lehtësohet nga Sekretariati i tij teknik, mbështetur nga BERZH, aktualisht me financim nga Sekretariati Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO).

Pas ndryshimit të VKM-së në vitin 2019, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë dhe Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë u përfaqësuan me mandat të përhershëm në KI, ndërsa katër dhomave të huaja të tregtisë: Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham), Dhoma Gjermane e Tregtisë (DIHA), Confindustria Albania u angazhuan me mandat 2-vjeçar.

Zëri i sektorit bankar ka qenë gjithmonë i pranishëm në tryezat e KI-së, përfaqësuar ndër vite nga Banka e Shqipërisë, si dhe në periudha të caktuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) dhe BKT.
Cilat janë arritjet më të konsiderueshme në këto vite veprimtari?

Në pesë vite veprimtari, bazuar në një metodologji të strukturuar pune, Këshilli i Investimeve ka konsoliduar pozicionin e tij si një platformë efektive dialogu. Kështu, puna fillon me analiza ekonomiko-ligjore të çështjeve në shqyrtim, bazuar edhe në anketat tona të përvitshme, ndërkohë që puna kërkimore e Sekretariatit më tej përqendrohet në:

  • Konsultime të drejtpërdrejta me të gjithë aktorët, me fokus evidentimin e problematikave më kryesore, si dhe prioritizimin e ndërhyrjeve për përmirësimin e klimës së investimeve në vend;
  • Analiza ligjore – rregullatore, anketime, punë kërkimore, organizimin e mbledhjeve në nivel teknik, ngritjen e grupeve specifike të punës mbi zbatimin e rekomandimeve;
  • Përgatitjen e rekomandimeve dhe masave specifike për t’u zbatuar nga institucionet dhe shoqatat/dhomat mbi zgjidhjet e mundshme të problematikave të evidentuara;
  • Monitorim i statusit të zbatimit të rekomandimeve të KI.

Që nga krijimi i tij, KI ka trajtuar problematika me ndikim të drejtpërdrejt në klimën e investimeve, ai: informaliteti, kontrolli tatimor, ankimimi administrativ, nxitësit e investimeve, inspektimet, siguria e pronës, etj. Janë dhënë 188 rekomandime, të kategorizuara në katër shtylla kryesore: (i) Strategjike, (ii) Institucionale, (iii) Ligjore dhe (iv) Transparencë.  Aktualisht rreth 37% e rekomandimeve janë përmbushur dhe 19% janë në proces zbatimi.

Për shembull, në kuadër të luftës ndaj informalitetit, kemi ndikuar si në:

  • përmirësimin e fokusit, ashtu dhe të qasjes sektoriale të kësaj reforme me ndërhyrje konkrete ligjore në procedurat tatimore, si: në bujqësi, turizëm dhe shërbime,
  • përshpejtimin e fokusit në reformën e inspektimeve, kryesisht në drejtim të unifikimit të praktikave administrative mbi inspektimet në nivelin qendror dhe lokal.
  • advokimin për thjeshtimin e procedurave të biznesit, në drejtim të reformës së derregullimit, përmes thjeshtimit të procedurave tatimore dhe doganore.
  • advokimin për ndërhyrje sa më të shpejtë për rritjen e cilësisë së fuqisë punëtore me nevojat e sektorëve prioritarë, ku biznesi sheh potencial për investime të reja. Ky sugjerim u ndoq edhe me hapa konkretë të rëndësishëm për forcimin e partneritetit universitet-qeveri-biznes si në rastin e qendrave IT (për krijimin e talent pools),
  • advokimin për përmirësimin e platformës elektronike të lejeve të ndërtimit, administruar nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit,

si dhe rekomandime konkrete në këndvështrimin e biznesit, sa i përket unifikimit të procedurave të ankimimit administrativ në institucionet me ndikimin më të ndjeshëm për bizneset, si: DPT, DPD, Inspektoriate, etj.

Përfshirja e industrisë bankare në optikën e KI-së dhe gjetjet lidhur me këtë industri.

Zëri i sektorit bankar ka qenë gjithmonë i pranishëm në tryezat e KI-së, përfaqësuar ndër vite nga Banka e Shqipërisë, si dhe në periudha të caktuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) dhe BKT. Konkretisht, AAB ka qenë partneri kryesor në analizën e ankimimit administrativ, si dhe në konsultimin e projektligjit për falimentin. Gjithashtu, theksoj bashkëpunimin në kuadrin e analizave dhe rekomandimeve kundër informalitetit, konsoliduar më tej në sektorin e turizmit dhe bujqësisë. Së fundmi, në vijim të analizës sonë mbi ndërveprimin biznes-bashki (janar 2020), patëm një bashkëpunim mjaft të mirë me AAB-në mbi problematikat e bllokimit të llogarive të biznesit nga bashkitë. Më konkretisht, pas mbledhjes plenare, Sekretariati bashkëpunoi me MF&E, AAB-në, Bashkinë e Tiranës, AmCham, Confindustria Albania, për të debatuar teknikisht problematikat konkrete të raportuara nga biznesi, si dhe për të sugjeruar ndërhyrje të dakordësuara paraprakisht me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë – më specifikisht disa ndryshime të Udhëzimit të Ministrit të Financave nr.24.

Shkarko në pdf.

Intervistë e Drejtores së Sekretariatit të KI, znj. Diana Leka në Revistën Bankieri Nr. 35 (prill 2020)
car rental tirana real estate saranda