Search
Close this search box.

Këshilli i Investimeve: 10 Vite Dialog i Strukturuar Publik-Privat

 

Angazhimi i Sektorit Privat në Prioritizimin e Iniciativave të Mirë Qeverisjes

Tiranë, 15 Prill 2025 – Këtë vit, Këshilli i Investimeve (KI) shënon 10-vjetorin e krijimit të tij si një platformë novatore për dialogun publik-privat, themeluar për të integruar ekspertizën e sektorit privat në politikëbërjen kombëtare dhe për të mbështetur tranzicionin drejt një ekonomie tregu të mirëqeverisur. Gjatë një dekade pune të pandërprerë, KI ka luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e një ambienti bashkëpunues midis institucioneve shtetërore dhe biznesit, duke nxitur sipërmarrësit të kontribuojnë si partnerë strategjikë përtej interesave individuale, në funksion të përmirësimeve sistemike. Me një udhëheqje të qartë dhe një qasje të mbështetur në të dhëna, Këshilli ka siguruar angazhimin afatgjatë të aktorëve kryesorë, duke adresuar sfida thelbësore të klimës së biznesit dhe duke përmirësuar parimet e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies.

Në përvjetorin e 10-të, KI ndalet për të reflektuar mbi disa prej arritjeve më të rëndësishme të tij:

Përmirësim i politikave: Që nga themelimi, Këshilli ka prioritizuar dhe mbështetur 350 rekomandime, prej të cilave 47% janë zbatuar. Vetëm gjatë dy viteve të fundit, KI ka dhënë kontribut konkret në 11 dokumente strategjike dhe politike kombëtare. Ndër rezultatet më të spikatura përmenden miratimi i 41 ndërhyrjeve ligjore dhe rregullatore, thjeshtimi i procedurave të rimbursimit të TVSH-së, si dhe avokimi i suksesshëm për ndalimin e bllokimit automatik të llogarive bankare të sipërmarrësve për detyrime tatimore. Gjithashtu, KI ka ndërmarrë nisma për zhvillimin e aftësive të forcës punëtore dhe ka nxitur përdorimin e zgjidhjeve digjitale në sektorin financiar, me qëllim përmirësimin e aksesit në financim. Njëkohësisht, Këshilli i ka kushtuar vëmendje monitorimit të shërbimeve publike digjitale, përfshirë vlerësimin e eficiencës së platformës e-Lejet, ndërkohë që ka ofruar mbështetje për bizneset që përballen me sfida në tranzicionin drejt energjive alternative.

Ndërtimi i besimit bazuar në evidenca: Këshilli ka hartuar 28 analiza teknike, të fokusuara në identifikimin dhe adresimin e barrierave sistemike ndaj investimeve, duke trajtuar çështje si informaliteti, kapacitetet institucionale, reformat tatimore dhe doganore, digjitalizimi, ndërkombëtarizimi i NVM-ve, cilësia e forcës punëtore, konsultimi publik, inspektimet dhe shqetësime të tjera të investitorëve. Analizat janë mbështetur në vrojtime me 5,020 biznese, duke siguruar një bazë të konsoliduar të dhënash sasiore dhe cilësore.

Angazhimi gjithëpërfshirës: Me 35 mbledhje, mbi 50 anëtarë dhe 500 vëzhgues, Këshilli i Investimeve ka krijuar një platformë të besueshme dhe të qëndrueshme për dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës. Ky model bashkëpunimi ka forcuar rolin e tij si forum i rëndësishëm për diskutim dhe bashkëpunim ndërmjet sektorit publik dhe privat.

Përgjigje ndaj krizave: Gjatë pandemisë COVID-19, Këshilli u përshtat menjëherë me formatin online, duke ruajtur një kanal të hapur komunikimi në një kohë kur nevoja për koordinim ishte thelbësore. Ai u bë një burim i besueshëm informacioni dhe platformë për adresimin e sfidave urgjente të biznesit, duke ndihmuar gjithashtu në përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike.

Avokim strategjik: Me një model bashkëpunimi të fortë dhe partneritete të konsoliduara me institucionet kombëtare, dhomat e tregtisë, universitetet, organizatat e zhvillimit dhe komunitetin ndërkombëtar, KI është pozicionuar si një aktor i rëndësishëm në forume kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Kapitulli i Ri

Në rrugëtimin drejt integrimit evropian, sfida të reja si tranzicioni i gjelbër, transformimi digjital dhe ndryshimet në tregun e punës do të kërkojnë një angazhim më të fortë për transparencë institucionale dhe bashkëpunim publik-privat. Përvoja e 10 viteve të fundit dëshmon se dialogu i strukturuar – i mbështetur në udhëheqje të qartë, të dhëna, transparencë dhe llogaridhënie – mund të ndërtojë besim afatgjatë dhe të nxisë reforma me ndikim të qëndrueshëm.

============

Rreth Këshillit të Investimeve

Këshilli i Investimeve është një organ këshillimor që ka për qëllim përmirësimin e klimës së investimeve përmes dialogut të strukturuar ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Mbështetur nga Qeveria Shqiptare, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), Këshilli bashkëpunon ngushtë me institucionet qeveritare, shoqatat e biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë për të nxitur reformat ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Tour Albania albania tours real estate saranda Armani Stronger With You Parfum