Buletini Informativ, Janar – Mars 2025
- March 31, 2025
Mbi Mbledhjen Ardhshme të Këshillit të Investimeve
Janar 2025
Mbledhja e ardhshme e Këshillit të Investimeve (KI) do të fokusohet në pritshmëritë e biznesit mbi digjitalizimin e shërbimeve të administratës vendore. Tema është përzgjedhur si prioritet nga përfaqësuesit e biznesit përmes procesit të votimit të agjendës së Këshillit. Diskutimi synon të nxisë dialogun mbi perceptimet e sektorit privat në kuadrin nismave digjitale lokale, në përputhje me Agjendën Digjitale të Shqipërisë 2022–2026 dhe Planin e Rritjes së BE-së.
Gjatë punës së tij, KI ka adresuar një sërë temash që lidhen me ndërveprimin e bizneseve me autoritetet vendore, duke përfshirë përdorimin e platformës së e-lejeve, informalitetin në sektorin e turizmit, procesin e inspektimeve dhe cilësinë e shërbimeve të digjitalizuara për bizneset. Diskutimet kanë përfshirë gjithashtu dimensione ligjore dhe rregullatore të ofrimit të shërbimeve në nivel bashkiak.
Takime Konsultative mbi Sfidat e Biznesit në Nivel Vendor
Shkurt-mars 2025
Në kuadër të përgatitjeve për mbledhjen e ardhshme të KI, Sekretariati zhvilloi konsultime me përfaqësues të biznesit dhe pushtetit vendor në bashkitë Tiranë, Elbasan, Korçë, Kolonjë, Durrës dhe Lushnje. Konsultimet u fokusuan mbi sfidat dhe pritshmëritë e sektorit privat lidhur me ofrimin e shërbimeve administrative në nivel lokal. Çështjet kryesore të diskutuara përfshinin:
- Nevojën për përshpejtimin e digjitalizimit dhe përdorimin më të gjerë të platformave elektronike për të reduktuar burokracinë;
- Përvojat e bizneseve me shërbimet ekzistuese, përfshirë modelet si One-Stop-Shop dhe e-lejet;
- Gatishmërinë për kalimin nga shërbimet tradicionale në ato digjitale;
- Transparencën në ndërveprimet mes bizneseve dhe bashkive.
Anketë: Perceptimet e Biznesit mbi Digjitalizimin e Shërbimeve Vendore
Shkurt-mars 2025
Sekretariati i KI zhvilloi një anketë online me pjesëmarrjen e 163 bizneseve, me synim mbledhjen e perceptimeve mbi pritshmëritë dhe sfidat e digjitalizimit të shërbimeve publike vendore.
Fokus i anketës ishin:
- Vlerësimi i shërbimeve publike vendore të ofruara në mënyrë digjitale (online apo fizike);
- Kënaqësia e bizneseve lidhur me cilësinë dhe kostot e këtyre shërbimeve;
- Prioritetet për digjitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve;
- Ndërveprimi me bashkitë, përfshirë aspektet e komunikimit, transparencës dhe informimit.
Gjetjet e anketës do të prezantohen në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Investimeve dhe më pas do të publikohen në faqen zyrtare dhe kanalet sociale të KI-së.
Këshilli i Investimeve si nxitës i politikave mbështetëse për aksesin në financë
5 shkurt 2025
Në vijim të kontributit të vazhdueshëm të Këshillit të Investimeve për lehtësimin e klimës së biznesit dhe identifikimin e sfidave kryesore që përballen bizneset e vogla dhe të mesme, Banka e Shqipërisë ka miratuar së fundmi një program të ri për mbështetjen financiare të kësaj kategorie. Ky program, në vlerën prej rreth 25 miliardë lekësh, u konceptua si përgjigje ndaj kërkesave të përsëritura të komunitetit të biznesit, të artikuluara kryesisht nëpërmjet platformës së Këshillit të Investimeve. Përmes këtij bashkëpunimi të frytshëm institucional, pritet të zgjerohet aksesi në financim për sektorët më të nënfinancuar, si bujqësia dhe agroturizmi, me kushte të favorshme kredie dhe norma interesi të subvencionuara, çka do të thotë se çdo biznes i vogël e i mesëm mund të përfitojë kredi deri në nivelin e 25 milionë lekëve.
Bashkëpunim me Akademinë - Konkursi “Tung Ideve 2025”
28 shkurt 2025
Drejtuesja e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve mori pjesë si anëtare jurie në konkursin e përvitshëm “Tung Ideve 2025”, organizuar nga Universiteti Epoka. Në këtë aktivitet, studentë nga shkolla të ndryshme të vendit paraqitën idetë e tyre novatore dhe konkuruan për çmimin “Startup-i më i mirë”. Pjesëmarrja në këtë nismë pasqyron angazhimin për advokimin e rekomandimeve të KI dhe nxitjen e sipërmarrjes në mesin e të rinjve për krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm inovacioni, ku bashkëpunimi ndërmjet akademisë, sektorit privat dhe institucioneve publike luan një rol thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Dialog me Sektorin Privat mbi Ligjin e Ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale
10 mars 2025
Sekretariati i KI, në bashkëpunim me Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (IDP) dhe Shoqatën e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), organizoi një takim konsultativ me mbi 40 përfaqësues të sektorit privat mbi Ligjin nr. 124/2024 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.
Qëllimi i aktivitetit ishte rritja e ndërgjegjësimit mbi të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga kuadri i ri ligjor, si dhe identifikimi i disa prej sfidave praktike me të cilat bizneset mund të përballen gjatë zbatimit të tij. Diskutimi theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për ofrimin e mbështetjes teknike për sektorin privat, me synim përshtatjen efektive me ligjin e ri dhe harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Kontribut në Takimin Rajonal “Tregu i Përbashkët Rajonal – Një Rrugë e Përshpejtuar drejt Integrimit Ekonomik Evropian”
26 mars 2025
Në kuadër të kryesimit të Shqipërisë të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) organizoi një takimi rajonal mbi Tregun e Përbashkët. Aktiviteti mblodhi përfaqësues të vendeve të rajonit, institucioneve të BE-së, aktorë vendas dhe përfaqësues të biznesit.
Drejtuesja e Sekretariatit të KI, znj. Diana Leka (Angoni), kontribuoi në panelin e diskutimit mbi sfidat me të cilat përballet biznesi vendas në kuadër të integrimit të përshpejtuar evropian ku prioritizoi rëndësinë e mbështetjes së sektorëve me potencial eksportues dhe harmonizimit me standardet e BE-së. Ajo bëri thirrje për politika të fokusuara në rritjen e cilësisë, forcimin e ndërgjegjësimit të sipërmarrësve mbi kërkesat që rrjedhin nga transpozimi i legjislacionit evropian.
RRETH KËSHILLIT TË INVESTIMEVE
Këshilli i Investimeve është një platformë e mbështetur nga Qeveria Shqiptare, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO) për të nxitur dialogun publik-privat në kuadër të përmirësimit të klimës së investimeve dhe nxitjes së qeverisjes së mirë në vend.