Këshilli i Investimeve diskuton mbi sigurinë juridike të pronës dhe sfidat e sektorit privat
- 20 April, 2026
Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi një mbledhje nën drejtimin e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, me pjesëmarrjen e veçantë të Drejtoreshës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), znj. Lorena Goxhobelli. Diskutimet u përqendruan në sfidat e sektorit privat lidhur me nivelin e aksesit në të dhënat e kadastrës, avancimet e kryera për digjitalizimin si dhe regjistrimin fillestar në të gjithë vendin për të garantuar sigurinë juridike të së drejtës së pronës. Në takim morën pjesë anëtarë të KI-së, si dhe përfaqësues nga sektori publik, privat dhe partnerë ndërkombëtarë.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e sigurisë juridike të pronës për klimën e biznesit, duke nënvizuar progresin në digjitalizimin e shërbimeve publike dhe reformat për thjeshtimin e proceseve administrative. Ajo evidentoi nevojën për vijimin e përpjekjeve për derregullim dhe përmirësim të kuadrit ligjor, si dhe rëndësinë e digjitalizimit të kadastrës në kuadër të Axhendës Evropiane dhe Planit të Rritjes.
Nga ana e saj, znj. Goxhobelli theksoi se digjitalizimi i të dhënave kadastrale dhe përmbyllja e regjistrimit fillestar kanë shënuar progres të konsiderueshëm në dy vitet e fundit, duke konsoliduar bazat për garantimin e të drejtave pronësore dhe sigurisë juridike. Në dhjetor 2025, ASHK përmbylli skanimin e 54 milionë dokumenteve dhe ka arritur rreth 90% të digjitalizimit të kartelave të pasurive, me synim përfundimin e plotë deri në qershor 2026.[1] Ajo nënvizoi gjithashtu përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, zgjerimin e proceseve të automatizuara dhe integrimin e sistemeve digjitale, si elementë kyç që rrisin transparencën, reduktojnë burokracinë dhe forcojnë sigurinë juridike për qytetarët dhe biznesin.
Më pas, Sekretariati i KI-së prezantoi analizën mbi progresin, sfidat e digjitalizimit dhe administrimit kadastral, si dhe ndikimin e tyre në sigurinë juridike të pronës dhe klimën e investimeve nga këndvështrimi i biznesit. Në përfundim, u paraqitën rekomandime për forcimin e sigurisë ligjore, standardizimin e proceseve, përmirësimin e aksesit dhe transparencës, rritjen e gjithëpërfshirjes dhe vlerësimin e performancës institucionale.
Përfaqësuesit e biznesit mbështetën rekomandimet e propozuara dhe theksuan nevojën për adresimin e shqetësimeve të tyre lidhur me pasiguritë në titujt e pronës, vonesat në procedura, si dhe për më shumë transparencë, parashikueshmëri dhe efikasitet në shërbimet kadastrale.
Partnerët ndërkombëtarë theksuan se siguria e të drejtave të pronës mbetet thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian, duke vlerësuar bashkëpunimin me institucionet shqiptare dhe duke nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme financiare dhe teknike për avancimin e reformave në këtë fushë.
*****
Materialet e plota të mbledhjes, përfshirë gjetjet e një ankete me 146 kompani mbi digjitalizimin e shërbimeve kadastrale, do të publikohen në javët në vijim.
[1] Paralelisht, ka nisur procesi i digjitalizimit të hartave kadastrale, i cili pritet të përfundojë brenda vitit 2026. Sa i përket regjistrimit fillestar, parashikohet arritja e një mbulimi prej 96.5% brenda vitit 2026 dhe përmbyllja e plotë në shkallë vendi në vitin 2027.

