Search
Close this search box.

Buletini informativ, Janar – Mars 2026

Intervistë: Një dekadë dialogu biznes-qeveri

Janar 2026

Në një intervistë për revistën Monitor, Drejtoresha e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, znj. Diana Leka (Angoni), vlerësoi zhvillimin e dialogut biznes–qeveri dhe progresin e reformave në kuadër të integrimit në BE. Ajo theksoi rolin e KI-së në adresimin e çështjeve kyçe të klimës së investimeve, përfshirë kuadrin rregullator, të drejtën e pronës dhe aksesin në financë. Duke iu referuar sfidave të sipërmarrjes, në veçanti në produktivitet, inovacion dhe përafrimin me standardet e BE-së, ajo nënvizon se bizneset duhet të angazhohen sa më parë dhe në mënyrë më të strukturuar për të përfaqësuar interesat e tyre. Njëkohësisht, theksoi nevojën që qeveria dhe partnerët ndërkombëtarë të konsiderojnë instrumente tranzitore mbështetëse. Në fokus mbetet forcimi i bashkëpunimit publik–privat dhe përmirësimi i informimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM-ve) në procesin e integrimit.

Agjenda e KI për 2026

Janar 2026

Anëtarët e Këshillit të Investimeve (KI) miratuan agjendën e punës për vitin 2026 përmes një votimi online, bazuar në një listë me 10 tema/problematika të propozuara nga Sekretariati. Procesi u realizua mbi një analizë paraprake gjithëpërfshirëse të shqetësimeve të biznesit, të identifikuara përmes anketimeve dhe konsultimeve në terren, si dhe nëpërmjet kontributit të vazhdueshëm të anëtarëve të KI-së. Njëkohësisht, u morën në konsideratë edhe gjetjet nga publikimet e dhomave të tregtisë, shoqatave të biznesit dhe raportet ndërkombëtare mbi klimën e investimeve.

Raporti i Monitorimit të Rekomandimeve të KI 2025

Shkurt 2026

Raporti paraqet një pasqyrë të progresit të arritur dhe sfidave të mbetura në zbatimin e rekomandimeve. Dokumenti evidenton ecuri në disa fusha kyçe, si për shembull në drejtim të aksesit në financë për NVM-të, formalizimit të ekonomisë, transformimit digjital, zgjerimit të eksporteve në tregje të reja, si dhe përmirësimet në kuadrin e të drejtave të pronësisë. Megjithatë, sfida të rëndësishme mbeten, veçanërisht në drejtim të koordinimit ndërinstitucional, forcimit të kapaciteteve zbatuese dhe rritjes së përfshirjes financiare të grave sipërmarrëse.

Advokim për forcimin e dialogut dhe kapaciteteve të konsultimit publik në ASPA

6 Shkurt 2026

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA) dhe me praninë e Ministres  së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, organizuan aktivitetin “ASPA për Sektorin Privat: Një Ofertë e Re për Zhvillim Profesional”. Në këtë forum, Drejtoresha e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, znj. Diana Leka (Angoni), duke iu referuar analizës dhe anketimit më të fundit të Sekretariatit (dhjetor 2025), theksoi pritshmëritë pozitive të bizneseve ndaj procesit të integrimit në BE. Ajo nënvizoi nevojën për konsultim më të hershëm të paketave ligjore dhe angazhim të dyanshëm midis institucioneve dhe sektorit privat, si dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve dhe shoqatave të biznesit. Ndaj dhe propozoi integrimin e moduleve mbi konsultimin publik në programet trajnuese të ASPA-s, me qëllim rritjen e cilësisë së procesit të hartimit të politikave. 

Mbi dialogun publik-privat në kuadrin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes

11 Shkurt 2026

Në konferencën e organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI), me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Tiranë, diskutimet u fokusuan në arritjet e Agjendës së Reformave dhe hapat e ardhshëm drejt integrimit në BE. Në këtë kuadër, znj. Leka theksoi rëndësinë e investimeve në kapacitete institucionale të qëndrueshme, veçanërisht në reformat e lidhura me Tregun e Vetëm të BE-së dhe digjitalizimin e shërbimeve publike, si dhe nevojën për koordinim më të ngushtë me sektorin privat për të maksimizuar përfitimet e procesit të reformave. Ajo gjithashtu nënvizoi se Plani i Punës 2026 i Këshillit të Investimeve është i harmonizuar me prioritetet e reformave, ku siguria juridike e pronës dhe çështjet e Agjendës së Gjelbër janë përcaktuar si fusha prioritare për periudhën në vijim.

Nisja e përgatitjeve për mbledhjen e parë të KI 2026

Shkurt 2026

Në vijim të zbatimit të agjendës 2026, Sekretariati nisi përgatitjet për mbledhjen e parë të KI-së, e cila do të fokusohej në sigurinë ligjore të pronës, si tema më e votuar nga anëtarët. Në këtë kuadër, u zhvilluan takime konsultative me partnerë institucionalë (p.sh. ASHK, AMVV) dhe aktorë relevantë (UNOPS, Delegacioni i BE-së, AmCham Albania, NAREA, Shoqata e Noterëve). Qëllimi ishte mbledhja e komenteve paraprake mbi sfidat ekzistuese dhe hartimi i rekomandimeve mbi prioritetet kryesore të biznesit në këtë fushë.

Anketim me bizneset mbi sigurinë juridike të pronës

Mars 2026

Pas analizës dhe konsultimeve paraprake me palët e interesuara, Sekretariati i Këshillit të Investimeve lançoi një anketim online me bizneset në kuadër të përgatitjeve për temën e sigurisë juridike të pronës. Anketa u fokusua në proceset e regjistrimit të pronës dhe funksionimin e praktikave administrative. Në realizimin e saj, Sekretariati bashkëpunoi me Dhomën Kombëtare të Noterëve dhe Shoqatën e Ndërmjetësuesve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA), Dhomën Ekonomike të Gruas (DHEG), Shoqatën e Agrobiznesit dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

PUBLIKIME TË SEKRETARIATIT

PREZENCË NË MEDIA

Revista Monitor, 23 janar 2026

Digjitalizimi i shërbimeve vendore, KI: Transformimi digjital i shërbimeve mbetet kompleks

SCAN TV, 24 mars 2026

Kadastër digjitale dhe shërbime më të shpejta - Rekomandimet e Këshillit të Investimeve: Sjellin transparencë dhe lehtësi për biznesin

Videos

Televizioni Scan, 20 janar 2026

Cilët janë pritshmëritë e eksportuesve për në BE? - Këshilli i Investimeve: 7 në 10 kompani e...

Televizioni Scan, 21 mars 2026

Garancia sovrane në bujqësi, nevojë për rishikim/ Këshilli i Investimeve: Të analizohen kostot...

RRETH KËSHILLIT TË INVESTIMEVE

Këshilli i Investimeve është një platformë e mbështetur nga Qeveria Shqiptare, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO) për të nxitur dialogun publik-privat në kuadër të përmirësimit të klimës së investimeve dhe nxitjes së qeverisjes së mirë në vend.

Private guided trips Albania 2026 rent a car tirana Tour Albania albania tours real estate saranda Armani Stronger With You Parfum