Search
Close this search box.

Këshilli Investimeve Lajmet Kryesore, Janar – Mars 2024

Bashkëpunim KI-Universitete - Konkursi “Tung Ideve” organizuar nga Universiteti Epoka

23 shkurt 2024

Në kuadër të bashkëpunimit të Këshillit të Investimeve me Universitetin Epoka, tashmë iniciuar që në vitin 2017, Drejtuesja e Sekretariatit të KI-së, znj. Diana Leka (Angoni), mori pjesë si anëtare jurie në konkursin për startup-et “Tung Ideve”, i cili u zhvillua në formën e një workshopi, frymëzuar dhe përshtatur nga shkolla të njohura ndërkombëtare. Qëllimi i konkursit ishte të inkurajonte aftësitë sipërmarrëse të studentëve në zgjidhjen e problematikave sociale apo të biznesit duke përdorur metoda inovatore të mendimit dhe dizajnit.

 

Aktivitete të tjera bashkëpunimi me Universitetin Epoka ndër vite përfshijnë bashkëpunim me studentët e Universitetit Epoka për anketimin e biznesit mbi problematika të ndryshme të klimës së investimeve, pjesëmarrjen dhe kontributin e Sekretariatit në simpoziume shkencore të universitetit, si dhe përkrahjen e studentëve të dalluar në përgatitjen dhe botimin e punimeve shkencore nëpërmjet analizimit të thelluar dhe krahasimor të gjetjeve të anketave dhe analizave të Sekretariatit me biznesin.

Vlerësim mbi Gatishmërinë e Gjykatave Online

29 shkurt 2024

Eksperti Ligjor dhe Rregullator i Sekretariatit, z. Elvis Zerva, mori pjesë si panelist në një webinar rajonal me temë “Vlerësim mbi Gatishmërinë e Gjykatave Online” organizuar në kuadër të një projekti të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Në takimin morën pjesë përfaqësues nga 17 ekonomi të BERZH-it. Diskutimi u përqendrua në situatën e gjykatave online dhe u propozuan hapa konkretë për nxitjen e funksionimit të tyre. Gjatë ndërhyrjes së tij, z. Zerva theksoi nevojën për projekte të dedikuara që fokusohen në transformimin digjital të gjykatave në Shqipëri për të rritur aksesin në drejtësi, për të ulur kostot dhe për të përmirësuar efikasitetin, veçanërisht për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Mbi Sfidat e Konkurrueshmërisë së Ekonomisë në 2023

4 Mars 2024

Intervistë e znj. Diana Leka (Angoni), Drejtore e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve në Revistën Monitor. Një shkrim i fokusuar në ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2023, faktorët e pritshëm që mund të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht gjatë 2024, si dhe disa nga shqetësimet kryesore të biznesit të identifikuara nga Sekretariati dhe rekomandimet e Këshillit të Investimeve për zgjidhjen e tyre.

Mbi emërimin e anëtarëve të rinj të biznesit në Këshillin e Investimeve

11 mars 2024

Sikurse njoftuar më parë, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 754, datë 20 dhjetor 2023, numri i anëtarëve të biznesit në KI u rrit me + 4 anëtarë të tjerë. Përfaqësimi i anëtarëve të biznesit tashmë është 13 (tre anëtarë të përhershëm, tetë anëtarë me mandat të përkohshëm dy-vjeçar, dhe dy anëtarë me mandat ad-hoc). Me propozim të Sekretariatit, Kryetari i ri i Këshillit të Investimeve, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Blendi Gonxhja, emëroi tetë anëtarë të rinj nga komuniteti i biznesit për një mandat 2-vjeçar (mars 2024 – mars 2026), si më poshtë:

  1. Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA)
  2. Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB)
  3. Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC Albania)
  4. Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham)
  5. Confindustria Albania
  6. Dhoma Ekonomike e Gruas (DHEG)
  7. Shoqata Shqiptare e Tregtisë Elektronike (AECA)
  8. Dhoma e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA)

Tema e Mbledhjes së Ardhshme të KI: "Sfidat e sektorit privat në ndërveprimin me administratën tatimore, inovacioni dhe produktiviteti"

Mars 2024

Ndërveprimi midis sektorit privat dhe administratës tatimore për të nxitur inovacionin dhe produktivitetin do të ishte tema e mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Investimeve.

Ndër të tjera, diskutimi do të përqendrohej në katër shtylla kryesore:

  1. Politika Fiskale – efektiviteti në mbështetjen e bizneseve dhe ekonomisë në tërësi
  2. Inovacion në Biznes – nxitja e inovacionit
  3. Ndikimi i Informalitetit – në konkurrencën e ndershme
  4. Rritja e produktivitetit – në punë dhe më gjerë

Sekretariati konsultohet me aktorë publikë dhe privatë mbi temën e ardhshme të KI (anketë dhe intervista)

Mars 2024

Për një diskutim të mirëinformuar dhe sa më gjithëpërfshirës, Sekretariati u konsultua me 25 aktorë kryesorë nga sektori publik dhe privat, si dhe mblodhi këndvështrime të ndryshme nga 601 kompani vendase përmes një ankete online me fokus ndërveprimi me administratën tatimore, informaliteti, produktiviteti në punë dhe barra rregullatore.  Nëpërmjet kësaj pune paraprake dhe këtij inputi, u synua që Këshilli i Investimeve të mund të japë rekomandime sa më të vlefshme, për impakt të prekshëm në mjedisin e biznesin.

Diskutim në nivel ekspertësh mbi gjetjet dhe draft rekomandimet e Sekretariatit

25 Mars 2024

Sekretariati organizoi një diskutim teknik (fokus grup) mbi draft rekomandimet e Sekretariatit përpara prezantimit të tyre në mbledhjen plenare të Këshillit të Investimeve. Gjatë këtij diskutimi teknik, ekspertët analizuan dhe diskutuan draft rekomandimet për të siguruar që ato të jenë të përshtatshme dhe efektive për mjedisin e biznesit në Shqipëri. Ky proces është një pjesë thelbësore e metodologjisë së punës së Sekretariatit dhe ndihmon në validimin e rekomandimeve përpara prezantimit në Këshillin e Investimeve.

Mbledhje e Këshillit të Investimeve: Adresimi i Sfidave të Sektorit Privat me Administratën Tatimore, Inovacionin dhe Produktivitetin

26 mars 2023

KI zhvilloi mbledhjen e tij të parë për vitin 2024 nën kryesimin e ministrit të ri të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Blendi Gonxhja. Axhenda u fokusua në adresimin e sfidave të produktivitetit me të cilat përballen sipërmarrësit, me synim prioritizimin e masave dhe reformave për të rritur konkurrencën e vendit në përputhje me ERP 2024-26 dhe Planin e Rritjes për Ballkanin.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Gonxhja theksoi progresin në modernizimin e ndërveprimeve qeveri-biznes nëpërmjet përmirësimit të komunikimit me administratën tatimore dhe aplikimit të gjerë të shërbimeve elektronike. Ministri gjithashtu theksoi rëndësinë e miratimit të strategjive afatgjata të mbledhjes së të ardhurave dhe nxitjes së angazhimit dhe transparencës së llogaridhënies për të nxitur rritjen e qëndrueshme të ekonomisë.

Gjatë sesionit të diskutimeve, përfaqësues të biznesit vlerësuan hapat pozitivë në lidhje me ngritjen e Ministrisë së re të Ekonomisë, ndërsa theksuar rëndësinë e politikave që mbështesin produktet “Made in Albania”, shërbimet elektronike dhe fiskalizimin.

Raporti i Monitorimit të Rekomandimeve të KI për 2023

26 mars 2023

Në zbatim të parimit të llogaridhënies dhe transparencës, KI i jep prioritet raportimit mbi zbatimin e rekomandimeve të dhëna prej tij. Që nga viti 2015, Këshilli ka miratuar 326 rekomandime. Aktualisht, 47.5% e këtyre rekomandimeve janë zbatuar, 16.6% janë në proces zbatimi, ndërsa pjesa tjetër, 35.9%, mbeten të paplotësuara.

Gjatë aktivitetit të monitorimit në vitin 2023, është vërejtur një progres i rëndësishëm në tre fusha kryesore: ‘Inovacioni në sipërmarrje’, ‘Sfidat e NVM-ve në kalimin në burime alternative të energjisë’ dhe ‘Ndërkombëtarizimi i NMVM-ve’, ndërsa, sfidë mbetet akoma progresi i rekomandimeve në lidhje me sigurinë juridike të pronës, mbi potencialet e investimeve, etj.

PUBLIKIME TË FUNDIT TË SEKRETARIATIT

RRETH KËSHILLIT TË INVESTIMEVE

Këshilli i Investimeve është një platformë e mbështetur nga Qeveria Shqiptare, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështje Ekonomike (SECO) për të nxitur dialogun publik – privat në kuadër të përmirësimit të klimës së investimeve në vend. Për më shumë vizitoni www.investment.com.al.

Tour Albania albania tours real estate saranda Armani Stronger With You Parfum