Diskutim teknik mbi projektligjin “Për Zhvillimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme”
- 30 June, 2021
Tiranë, 29 qershor 2021 / Sekretariati i Këshillit të Investimeve, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, organizoi një konsultim në nivel teknik mbi projektligjin “Për Zhvillimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme”. Konsultimi u organizua në vijim të Mbledhjes së fundit të Këshillit të Investimeve, në të cilën u konsultua “Strategjia e re e Nxitjes së Investimeve dhe Biznesit 2021-2027” (BIDS) dhe në vijim të misionit dhe traditës së krijuar për konsultimin publik të projekt-ligjeve që lidhen me klimën e biznesit në mbledhje të dedikuara në nivel teknik. Mbledhja tërhoqi vëmendjen e 25 pjesëmarrësve, kryesisht përfaqësues të dhomave dhe shoqatave të biznesit, firmave ligjore dhe konsulencës financiare si edhe të partnerëve për zhvillim të interesuar për kuadrin e ri ligjor për ndërmarrjet.
Fillimisht pjesëmarrësit u njohën me risitë dhe rëndësinë e draft ligjit të ri të propozuar nga Zëvendës Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Besart Kadia, dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Më pas diskutimi u fokusua në komente dhe sugjerime konstruktive në lidhje me:
- Përmirësimet e nevojshme sa i përket disa përkufizimeve në ligj;
- Nevojën për krijimin e mekanizmave efektivë të koordinimit ndërmjet institucioneve në nivel qendror dhe vendor për masat dhe programet mbështetëse ndaj NMVM-ve;
- Informimit në vazhdimësi të NMVM-ve në lidhje me klasifikimin e tyre dhe programet mbështetëse të dedikuara;
- Ridimensionimin e propozimit për krijimin e Këshillit Konsultativ të Ndërmarrjeve, në funksion të krijimit të partneritetit midis institucioneve dhe agjencive ekzekutive nga njëra anë dhe ndërmarrjeve apo shoqatave/dhomave të biznesit nga ana tjetër,
- Qartësimit mbi përfshirjen ose jo në skemat mbështetëse të fermerëve të formalizuar si edhe SHBB;
- Nevojën për konsolidim të kapaciteteve administrative të institucioneve për të mundësuar kërkesat që parashikon ligji, etj.
Komentet e Sekretariatit dhe të pjesëmarrësve që kontribuan në procesin e konsultimit të projekt-ligjit do të dërgohen në MFE si edhe do të publikohen në faqen tonë në këtë link.