Mbledhje e Këshillit të Investimeve: Adresimi i Sfidave të Sektorit Privat me Administratën Tatimore, Inovacionin dhe Produktivitetin
- 26 March, 2024
Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi mbledhjen e tij të parë për vitin 2024 nën kryesimin e ministrit të ri të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Blendi Gonxhja. Axhenda u fokusua në adresimin e sfidave të produktivitetit me të cilat përballen sipërmarrësit, veçanërisht në lidhje me politikat dhe administratën fiskale, me synim të ngritjes dhe miratimit të rekomandimeve për të rritur konkurrencën e vendit në përputhje me ERP 2024-26 dhe Planin e Rritjes për Ballkanin. Kjo mbledhje ishte gjithashtu inaguruese edhe për tetë anëtarët e sapo-emëruar të biznesit (ICC Albania, FIAA, Amcham, AAB, WECA, Confindustria Albania, HBAA, AECA), të cilët do të kontribuojnë në diskutime e ardhshme të Këshillit gjatë dy viteve në vazhdim.
Ministri Gonxhja theksoi progresin në modernizimin e ndërveprimeve qeveri-biznes nëpërmjet përmirësimit të komunikimit me administratën tatimore dhe aplikimit të gjerë të shërbimeve elektronike. Ndërsa paraqiti disa rezultate pozitive të reformave fiskale, ai theksoi gjithashtu rëndësinë e balancimit të formalizimit dhe inovacionit për të mbështetur sipërmarrësit. Gjithashtu, Ministri Gonxhja theksoi rëndësinë e ndërhyrjeve në zhvillimin e strategjive afatgjata të mbledhjes së të ardhurave dhe nxitjen e angazhimit dhe transparencës në sektorë për të nxitur rritjen e qëndrueshme të ekonomisë.
Gjatë ndërhyrjes së saj, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, znj. Delinaj Ibrahimaj, theksoi potencialin e korporatave vendase për të investuar në startup-e për të rritur produktivitetin dhe shprehu mbështetjen për ngritjen e shërbimeve këshillimore për biznesin për të lehtësuar aksesin dhe përdorimin e fondeve të vëna në dispozicion për Shqipërinë nga Bashkimin Evropian.
Sekretariati prezantoi gjetjet kryesore të analizës së tij, duke theksuar sfidat e biznesit në katër fusha kryesore: ndërveprimi me administratën tatimore dhe fiskalizimi, informaliteti, produktiviteti, inovacioni dhe barra rregullatore. Ndër rekomandimet e propozuara u përmend adresimi i paqëndrueshmërisë fiskale dhe administratës tatimore, përmirësimi i formalizimit, stimulimi i inovacionit të biznesit përmes masave si amortizimi i përshpejtuar dhe ndërgjegjësimi i bizneseve mbi përfitimet nga inovacioni dhe investimi në kërkim dhe zhvillimim për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.
Gjatë sesionit të diskutimeve, përfaqësues të biznesit (DHTI Tiranë, ADBC, FIAA, AmCham, WECA, ICC Albania dhe ATA), vlerësuan hapat pozitivë në lidhje me ngritjen e Ministrisë së re të Ekonomisë, duke theksuar rëndësinë e politikave që mbështesin produktet “Made in Albania”, shërbimet elektronike dhe fiskalizimin. Ata theksuan domosdoshmërinë për stabilitet fiskal, akses në një fuqi punëtore të kualifikuar, mbështetje për inovacionin dhe dixhitalizimin e biznesit dhe një regjim të drejtë tatimor. Gjithashtu, ata kërkuan siguri ligjore dhe rregullatore, mbështetje për iniciativat e clusterave dhe qendrave të inovacionit për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përmirësimin e proceseve legjislative, akses më efikas në financimet e BE-së, transferimin e njohurive për tërheqjen e talenteve dhe inovacionin, asistencë në përfitimin e granteve, dhe një qasje sektoriale ndaj AI.
Ndërkohë, përfaqësues të partnerëve për zhvillim në Shqipëri theksuan rëndësinë e përafrimit të politikave tatimore me direktivat e BE-së për stabilitet dhe parashikueshmëri, duke adresuar informalitetin dhe përjashtimet nga taksat për të siguruar një regjim të drejtë tatimor. Gjithashtu, ata nënvizuan rëndësinë e ndërhyrjeve të synuara të qeverisë për t’i dhënë përparësi skemave transparente dhe lehtësisht të kuptueshme për të rritur produktivitetin dhe për të nxitur inovacionin, duke përgëzuar iniciativa si Programi i BE-së për Inovacionin.
*****
Materialet e plota të kësaj mbledhje do të publikohen në javët në vijim në seksionin tonë të dedikuar.