Search
Close this search box.

Këshilli i Investimeve propozon rekomandime për përmirësimin e shërbimeve publike digjitale dhe forcimin e mjedisit të biznesit

Tiranë, 6 tetor 2023 / Këshilli i Investimeve (KI), drejtuar nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, u mblodh për të diskutuar mbi cilësinë e shërbimeve publike të digjitalizuara me fokus sektorin privat, duke nënvizuar progresin e bërë deri më sot dhe sfidat me të cilat përballen aktorët publikë dhe privatë lidhur me ofrimin e këtyre shërbimeve. Në mbledhje morën pjesë të gjithë anëtarët e KI-së dhe rreth tridhjetë vëzhgues që përfaqësonin sektorin publik dhe privat dhe agjencitë për zhvillim.

Në fjalën e tij, ministri Ervin Mete nënvizoi progresin e dukshëm të arrirë në përpjekjet për digjitalizim në Shqipëri. Ai theksoi konsideratën pozitive të shprehur nga bizneset në anketën e Sekretariatit për shërbimet online dhe rolin e tyre në uljen e barrës administrative. Ministri Mete theksoi angazhimin e Qeverisë Shqiptare për digjitalizimin dhe riinxhinierimin e shërbimeve dhe derregullimin, për të nxitur një mjedis më të favorshëm biznesi. Ai gjithashtu pohoi nevojën për përmirësim të vazhdueshëm në këtë fushë dhe shprehu besimin se rekomandimet e përgatitura nga Sekretariati do të jenë një shtyllë kryesore për diskutim në tryezën e Këshillit, duke kontribuar në përparimin e mëtejshëm të shërbimeve digjitale dhe klimës së biznesit.
Sekretariati prezantoi shkurtimisht gjetjet e studimit të përgatitur përmes konsultimit me përfaqësues të rëndësishëm të sektorit publik dhe privat, tre mbledhjeve konsultuese në nivel teknik me 55 pjesëmarrës, një pune kërkimore dhe një anketë online me 324 kompani. Studimi ofron 11 rekomandime që trajtojnë fusha të tilla si përgjegjësia e institucioneve për ri-inxhinierimin e shërbimeve, edukimi dhe ndërgjegjësimi i biznesit, kapaciteti digjital i administratës publike, siguria, asistenca, ankimimi, pagesat online dhe teknikalitete të tjera.

Gjatë sesionit të diskutimeve, përfaqësues të biznesit, si Dhoma Amerikane, Bashkimi i Prodhuesve, Dhoma e Biznesit Shqiptar të Diasporës, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Confindustria Albania, Pro-Eksport, ️Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, theksuan se aktualisht bizneset vazhdojnë të përballen me sfida të vazhdueshme, që përfshijnë çështje teknike dhe thelbësore. Nga perspektiva e biznesit, fokusi duhet të zhvendoset nga debati mbi domosdoshmërinë e transformimit digjital në adresimin e çështjeve thelbësore si kosto e digjitalizimit për NVM-të, ritmi dhe cilësia e zbatimit, niveli i adoptimit nga ana e përdoruesve, mekanizmat shtetërorë të mbështetës, rëndësia e sigurisë së të dhënave dhe kapacitetet rregullatore dhe financiare, të nevojshme për një digjitalizim të suksesshëm – si nga institucionet ashtu edhe nga bizneset. Ndërhyrje të veçanta u bënë nga Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, znj. Delina Ibrahimaj mbi agjendën e digjitalizimit të qeverisë dhe përfaqësuesit e BERZH-it dhe BE-së në lidhje me mbështetjen e tyre specifike për reformën e digjitalizimit.

Në përfundim, pjesëmarrësit vlerësuan efektivitetin e KI-së si një platformë trepalëshe dhe e qëndrueshme, duke theksuar vlerën e tij në diskutimin e sfidave të biznesit dhe iniciativave të qeverisë me impakt mbi biznesin. Ata gjithashtu theksuan rëndësinë thelbësore të ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve të paraqitura nga Këshilli për masa të prekshme dhe rezultate me vlerë.

*****

Materialet e plota të kësaj mbledhje do të publikohen në javët në vijim në seksionin tonë të dedikuar https://www.investment.com.al/sq/mbledhjet-e-keshillit-te-investimeve/.

Tour Albania albania tours real estate saranda Armani Stronger With You Parfum