Këshilli i Investimeve diskuton gjetjet e vrojtimit me bizneset mbi administrimin tatimor dhe informalitetin
- 7 December, 2017
TIRANË, 6 Dhjetor – Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi mbledhjen e tij të 11-të, të drejtuar nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Z. Arben Ahmetaj. Në fokus të mbledhjes ishte prezantimi dhe diskutimi i gjetjeve të vrojtimit me 146 biznese, kryer nga Sekretariati i KI në bashkëpunim me Universitetin Epoka gjatë periudhës Korrik – Shtator 2017. Vrojtimi kishte për qëllim evidentimin e ecurisë së shqetësimeve kryesore të biznesit, krahasuar me gjetjet e Sekretariatit gjatë 2015-2016, kryesisht lidhur me Inspektimin Tatimor dhe Marrëdhëniet me Administratën Tatimore, Informalitetin, dhe Rimbursimin e TVSH-së. Të pranishëm në mbledhje ishin dhe përfaqësues të shoqatave të biznesit vendas dhe të huaj.
Në fjalën e tij, Ministri Ahmetaj vlerësoi arritjet e Këshillit të Investimeve në trajtimin e shqetësimeve të biznesit si dhe njohu nevojën për përpjekje të vazhdueshme nga ana e administratës tatimore për intensifikimin e komunikimit me tatimpaguesit dhe qytetarët në kuadër të luftës kundër informalitetit, thjeshtimit të mëtejshëm të procedurave dhe reformës së derregullimit.
Në vrojtim bizneset janë shprehur për një rritje të numrit të kontrolleve, kryesisht inspektimeve në terren dhe vizitave fiskale. Ndihet nga bizneset një përmirësim i komunikimit dhe sjelljes së administratës tatimore, një rritje e transparencës dhe shërbimeve ndaj të tatimpaguesit. Megjithatë, ende biznesi percepton se ka nevojë për investime dhe ngritje kapacitetesh profesionale të inspektorëve në administratën tatimore për t’ju përgjigjur sa më mirë kërkesave të tij.
Rimbursimi i TVSH-së po ecën me ritme të mira, sidomos për eksportuesit mbi 70%, por akoma mbetet sfidë respektimi i afateve dhe procedurave të rimbursimit sipas përcaktimeve ligjore.
Ka një perceptim në rënie nga bizneset mbi masën e fenomenit informalitet në krahasim me 2015, ndërkohë që pragu i tatim fitimit/TVSh, marrëdhënia me administratën dhe zbatueshmëria e ligjit mbeten në faktorët kryesore që perceptohen si shkaqe që mund të nxisin informalitetin.
Reduktimi i burokracive administrative, rritja e profesionalizimit të administratës por dhe incentivimi i bizneseve të ndershme dhe që investojnë janë disa nga kërkesat kryesore të biznesit për të nxitur formalizimin e shpejtë të ekonomisë dhe investimet private.
Anëtarët e Këshillit vlerësuan gjetjet e vrojtimit dhe shprehën angazhimin për të bashkëpunuar me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të rritur eficencën e masave anti-informalitet. Ndër të tjera u sugjerua përgatitja e një strategjie të mirëfilltë gjithëpërfshirëse kundër informalitetit, ndërmarrja e fushatave ndërgjegjësuese me publikun për formalizim dhe ndërveprim të vazhdueshëm me bizneset duke nënkuptuar konsultim dhe llogaridhënie.