Këshilli i Investimeve diskuton për formalizimin në bujqësi – fokus skema e kompensimit të TVSH-së dhe nxitja e investimeve
- 4 July, 2016
Këshilli i Investimeve (KI) mbajti më 29 Qershor 2016 mbledhjen e tij të radhës drejtuar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj. Milva Ekonomi, njëherësh edhe Kryetare e Këshillit. I pranishëm në takim ishte edhe Zv. Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Z. Roni Telegrafi, si edhe një grup përfaqësuesish të shoqatave të agro-biznesit. Në Mbledhje u diskutua lidhur me masat për formalizimin në bujqësi në perspektivën e hapjes e strukturimit të tregjeve, rritjen e sigurisë ushqimore dhe nxitjen e investimeve – fokus skema e kompensimit të TVSH-së. Ministrja Ekonomi nënvizoi kujdesin e veçantë të Qeverisë për sektorin dhe masat e vazhdueshme në mbështetje të tij si konsiderimi i bujqësisë si një nga sektorët prioritarë të programit të Qeverisë, progresin pozitiv të skemës së kompensimit me 20% të TVSH-së së fermerit dhe rritjen e buxhetit të skemave të mbështetjes financiare të sektorit.
Në prezantimin e saj, Drejtore e Sekretariatit, Diana Leka u fokusua në rëndësinë e monitorimit të modelit aktual të tregut nga tregjet fundore, rritjes së kontrollit të inputeve për të mundësuar gjurmueshmërinë si edhe nevojën e avancimit në regjistrimin e fermerit për të rritur më tej edhe aksesin në investimet në bujqësi. Një theks i veçantë u vu gjithashtu tek monitorimi i proçesit të kartave teknologjike nga ana e çdo biznesi. Ndërsa në lidhje me ndërgjegjësimin e fermerëve Znj. Leka theksoi se ende vërehet një ndërgjegjësim i ulët i fermerit mbi dobishmërinë e regjistrimit me NIPT-it. Për këtë u sugjerua ngritja e një grupi pune për një studim më të thelluar të proçesit në një zonë intensive pilot (ku numri i fermereve të regjistruar është i rëndësishëm, duke marrë në konsideratë të gjithë zinxhirin e prodhimit si edhe impaktin ekonomik e financiar.
Bazuar në analizën e Sekretariatit, paraprakisht të konsultuar edhe me ekspertë të fushës si edhe me shoqatat e biznesit, fermerë dhe grumbullues, Këshilli i Investimeve ngriti disa kërkesa dhe rekomandime për Qeverinë Shqiptare, që synojnë një reformë të qëndrueshme formalizimi për nxitjen e investimeve dhe rritjen e sigurisë ushqimore.