Këshilli i Investimeve diskuton Potencialet e Investimeve dhe Problematikat e Cilësisë së Tregut të Punës në Sektorin e Shërbimeve të Nënkontraktuara
- 23 February, 2017
Nën drejtimin e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, u mbajt mbledhja e radhës e Këshillit të Investimeve, ku tema e diskutimit ishte “Potencialet për Investime dhe Sfidat e Tregut të Punës në Sektorin e Shërbimeve të Nënkontraktuara”. Të pranishëm në mbledhje ishin përfaqësues të shoqatave të biznesit, organizatave ndërkombëtare operuese në Shqipëri, si dhe ekspertë të kompanisë AVASANT, kontraktuar në kuadrin e një projekti të financuar nga Qeveria Zvicerane.
Në hapje të takimit, ministrja Ekonomi theksoi se çështja e disponueshmëria e fuqisë punëtore ka dalë si shqetësim në mbledhjet dhe analizat e mëparshme të Këshillit të Investimeve. “Ndaj për ta bërë më të kuptueshme dhe për të identifikuar llojin e problemeve që këta sektorë paraqesin u caktua Sekretariati i Këshillit të Investimeve, të merrte përsipër dhe të bënte disa vrojtime pranë bizneseve që ofrojnë këto lloj shërbimesh dhe të nxirrte disa rekomandime për këtë tematikë,” tha ministrja Ekonomi.
Në prezantim e dhënë nga kompania AVASANT, u vu në dukje trendi global i BPO, pozicionimi i Shqipërisë në këtë sektor dhe njëkohësisht mundësitë që ka vendi për të tërhequr më shumë shërbime të nënkontraktuara me vlerë të shtuar. Sipas analizës së kryer, deri më sot kompanitë call center janë tërhequr në Shqipëri për shkak të tregut të lirë të punës dhe për shkak të njohjes së gjuhëve të huaja, por së fundmi vërehet një lloj diversifikimi dhe sofistikimi të biznesit. Në drejtim të një strategjie për sektorin u rekomandua nga AVASANT që të synohet fokusimi në një numër të vogël shërbimesh si për shembull me shërbimet e dixhitalizimit, përkthimit dhe transaksioneve në afat të mesëm e të shkurtër dhe me një perspektivë në të ardhmen për tu përqëndruar në shërbimet me njohuri intensive të cilat kanë vlerë të lartë të shtuar. Për të zhvilluar një industri si BPO është i nevojshëm një mekanizëm koordinimi dhe pjesëmarrja e shumë aktorëve. Në qendër të saj, duhet të jetë një agjenci zbatuese apo organ qeveritar i cili të mbështetet nga institutet e trajnimit, institucionet bankare e të tjerët.
Kryetarja e Këshillit, Ministrja Ekonomi vuri theksin në rëndësinë që të merret në konsideratë nevoja për statistika të vazhdueshme në sektor e sidomos ne fushën e disponueshmërisë së fuqisë punëtore në sektorë që ofrojnë shërbime pasi mënyra e të grumbulluarit të informacionit nga entet statistikore në Shqipëri ka nevojë të fuqizohet dhe përmirësohet, sidomos në drejtim të ngritjes së aftësive për tregun e punës.
Gjatë periudhës janar-shkurt 2017, Sekretariati mbajti takime/intervista me rreth 33 aktorë të sektorit (biznese, shoqata, zyrtarë të institucionave/agjencive publike, etj.). Njëkohësisht, Sekretariat lançoi një Pyetësor mbi problematikat e aftësive të punonjësve plotësuar nga rreth 17 kompani BPO, me një numër punonjësisht afërsisht 10.000. Znj. Diana Leka, Drejtore e Sekretariatit nxori në pah disa nga gjetjet kryesore të Sekretariatit, ku vërehet një rritje e kërkesave për shërbime nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së dhe ekzistenca e një potenciali të fuqishëm për investime në segmente të caktuara në sektor, ku kërkohet cilësi e lartë e aftësive në punë. Ndërkaq, edukimi dhe sistemet e trajnimit, duhet të konsiderojnë “seriozisht” përfshirjen e biznesit në kurrikula ashtu edhe në monitorimin e praktikave të studentëve, zyrave të karrierës apo edhe projekteve të ndryshme.
Genti Beqiri, AIDA, informoi se gjatë vitit 2016, rreth 13% e kërkesave për investim kanë ardhur nga sektori i shërbimeve të nënkontraktuara. Nga muaji nëntor 2016 e deri më sot, janë shfaqur interesa nga 6 kompani të huaja për shërbime të gjeneratës së 4-ët (shërbime financiare, BNJ, etj.), ku vërehet një diversifikim i tregut. Sektori tërheq interes për investime për disa arsye si, krahu eficent i punës, njohja e mirë e gjuhëve të huaja, fleksibiliteti në trajnime, etj. Ka dy gjëra që shikohen pozitive që janë: diversifikimi i origjinës së kompanive dhe diversifikim i shërbimeve që po ofrojnë kompanitë BPO. Me RisiAlbania po ndërtohet portali i BPO-ve, megjithatë është e nevojshme edhe krijimi një lloj zone ku të vendosen lokalisht bizneset si në aspektin e ofertës së shërbimeve por edhe për të reduktuar informalitetin.
Ndërkohë, Z. Luan Bregasi, BiznesAlbania, shprehu vlerësimin për MZHETTS dhe për Sekretariatin e KI për përzgjedhjen e një prej temave më interesante dhe më urgjente që kërkon tregu shqiptar, dhe se studimet e paraqitura japin një paraqitje se ku duhet të investojë sipërmarrësi dhe se çfarë duhet të ketë parasysh para se të bëjë një investim. Ai tha se kur investohet, e vetmja gjë që sipërmarrësi nuk llogarit është tregu i punës, dhe sa i aftë është ai për të plotësuar nevojat e biznesit. Z. Bregasi përmendi se fuqizimi i shkollave profesionale, projektet e intershipeve dhe ligji i aftësimit profesional që do kalojë së shpejti në Parlament janë hapa shumë pozitivë për t’iu përshtatur nevojave të tregut të punës në Shqipëri.
Mark Crawford, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, nënvizoi që vendi është tërheqës si një destinacion me koston më efektive duke bërë që sektori të rritet pa mbështetjen e qeverisë apo incentivave specifike. “Nuk është e nevojshme që shteti t’iu thotë investitorëve të vijnë por të përqëndrohet në ruajtjen e një destinacioni me koston dhe taksën më efektive, të vazhdojë të përmirësojë procedurat dhe për më tepër të mbrojë konsumatorët nga mashtrimet,” u shpreh Z. Crawford.
Disa nga rekomandimet kryesore të diskutuara në këtë mbledhje ishin: Forcimi i shoqatës së shërbimeve të nënkontraktuara dhe rritja e rolit të saj për të luftuar informalitetin; rritje të partneritetit të universiteteve me sektorin privat dhe Zyrat e Punës nëpërmjet forcimit të rolit të Zyrave të Karrierës në internshipe, praktika dhe punësim të studentëve, zhvillim i hershëm i këshillimit të karrierës; mbështetje të iniciativave të biznesit për krijimin e qendrave të kualifikimit të vazhdueshëm në teknologji dhe inovacion (Digital Academy); saktësimin e statistikave mbi kontributin e sektorit në ekonomi; incentivim të trajnimeve dhe profesioneve të caktuara; krijimi i një platforme online mbi për sektorin mbështetur nga AIDA – Biznesi – Universitet, për të mbështetur biznesin në kërkesat për staf, tema diplomash/projekt propozime për tu implementuar nga ana e biznesit, etj.