Këshilli i Investimeve diskuton problematikat e biznesit në lidhje me Rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH-së)
- 30 November, 2016
Nën drejtimin e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, u mbajt sot mbledhja e radhës e Këshillit të Investimeve, ku tema e diskutimit ishte “Mbi Rimbursimin e TVSH-së”.
Rimbursimi në kohë i TVSH-së, dhe sipas kërkesave të biznesit ka qenë për një kohë të gjatë problematik duke krijuar vështirësi në likuiditet për bizneset eksportuese dhe ato investuese. Ndryshimet ligjore fiskale të dy viteve të fundit kanë synuar lehtësim të proçesit të rimbursimit të TVSH-së, sidomos për eksportuesit mbi 70% të shitjeve ku është parashikur rimbursim automatik.
Kryetarja e Këshillit, Ministrja Ekonomi vuri theksin tek përmirësimet e fundit të proçedurave tatimore. “Kuvendi i Shqipërisë miratoi së fundmi ligjin për procedurat tatimore, i konsultuar me biznesin dhe që përfshin edhe një sërë rekomandimesh edhe të Këshillit të Investimeve. Janë përmirësuar rreth 37 proçedura tatimore, ku një pjesë e të cilave synojnë të ndryshojnë tërësisht sjelljen e biznesit dhe të tatimeve karshi biznesit”, theksoi Ministrja Ekonomi.
Në fjalën e saj, Ministrja përmendi edhe çështjen e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, kur tha se ato arritën në vlerën 72.5 miliardë lekë në 2013, nga të cilat deri në fund të 2015 janë rimbursuar rreth 18 miliardë lekë vetëm TVSH.
Gjatë diskutimit, Ministrja Ekonomi inkurajoi që Administrata të mbajë standarte të lartë të formateve të raportimit dhe të lehtësojë informimin e biznesit. Ndërkohë, shërbimet publike janë përmirësuar nga përdorimi i shërbimeve elektronike (e-services). Komunikimi me biznesin, nëpërmjet platformave si Këshilli i Investimeve, ka mundësuar që bizneset të raportojnë situatën dhe shqetësimet e tyre të vërteta, dhe përmirësimi i rreth 37 proçedurave tatimore vjen pikërisht nga komunikimi me biznesin. “Ky komunikim duhet të mbahet i gjallë dhe forumet e ngritura tashmë si Këshilli i Investimeve apo KEK, duhet të përdoren pikërisht për këtë“.
Këshilli i Investimeve vijoi mbledhjen me prezantimin e një analize mbi situatën e rimbursimit të TVSH-së 2013-2015, realizuar në bashkëpunim me biznese, dhoma të tregtisë nëpër rrethe si dhe nëpërmejt një ankete online me 77 biznese, 80% e të cilave eksportuese. Gjetjet dhe rekomandimet konsistojnë në domosdoshmërinë e respektimit të afateve të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi, lehtësimin e barrës procedurale (kontrolle) për administratën tatimore dhe biznesin, bërjen transparente të proçedurave të brendshme (risku, etj) në trajtimin e rasteve të rimbursimit të TVSH-së, edukimin fiskal të tatimpaguesve dhe rritjes së transparencës së administratës tatimore.
Në përgjithësi, anëtarët e Këshillit, shprehën vlerësimin për përmirësime në punën e Administratës Tatimore, sidomos sa i përket çështjes së rimbursimit të TVSH-së. Megjithatë kërkohet sa më shpejt të rritet efektiviteti i përdorimit të sistemit të riskut në tatime dhe të shkohet drejt rimbursimit automatik për të gjithë eksportuesit mbi 70% dhe për bizneset pa risk.
Zv/Ministri i Financave, Ervin Mete theksoi se ka një përmirësim të ndjeshëm, bazuar edhe nga rezultatet e Anketës, ku 72% e bizneseve raportojnë të jenë rimbursuar. Ndërkohë që informoi se sistemi i riskut do të jetë tërësisht funksional në fillim të vitit të ardhshëm, çka do të sjellë më shumë përmirësim në punën e administratës tatimore dhe klimën e biznesit.
Deri më tani, KI ka dhënë në total 45 rekomandime, diskutuar në mbledhjet e mëparshme të Këshillit. Disa prej rekomandimeve (të realizuara) kanë lidhje më së shumti me fushën e proçedurave tatimore të konkrektizuara me miratimin së fundmi të disa ndryshimeve mbi Ligjin për Proçedurat Tatimore, miratimi i Ligjit mbi Falimentin dhe veprime të tjera të Qeverisë në kuadër të sigurisë ushqimore apo rritjes së transparencës së informimit ndaj biznesit.
Të pranishëm në mbledhje ishin përfaqësues të biznesit, Bankës Botërore në Shqipëri, Delegacioni i Komisioni Europian, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Zv/Ministri i Financave Ervin Mete, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Doganave, etj.
Rekomandimet e Këshillit të Investimeve mbi Rimbursimin e TVSH-së do t’i përcillen për veprim të mëtejshëm Kryeministrisë dhe Ministrisë së Financave.