Krijohet Këshilli i Investimeve. Ministri Ahmetaj: finalizim i bashkëpunimit të suksesshëm me BERZH!
- 15 April, 2015
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Arben Ahmetaj, në cilësinë e Kreut të Këshillit të Investimeve të Shqipërisë, organizoi sot Mbledhjen e Parë të Këshillit në bashkëpunim me BERZH, me qëllim konstituimin e Këshillit dhe Sekretariatit dhe diskutimin e axhendës 2015.
Këshilli i Investimeve është një projekt i iniciuar në shkurt të vitit 2014 me firmosjen e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Këshilli i Investimeve u realizua në kuadër të Nismës për Klimën e Investimeve dhe Qeverisjen (NKIQ) e BERZH, një institucion që ka si qëllim zhvillimin e dialogut publik privat dhe nxitjen e veprimtarisë konkrete për përforcimin e klimës së biznesit në vend. Në përbërje të tij ka pjesëmarrës të nivelit të lartë nga Institucionet shtetërore, donatorët, partnerët ndërkombëtarë dhe komuniteti i biznesit.
Qëllimi i Këshillit të Investimeve është mundësimi i një dialogu të drejtpërdrejtë dhe aktiv mes biznesit dhe qeverisë, parashtrimi i problematikave të lidhura me klimën e biznesit dhe investimeve, raportimi i rasteve të praktikave të padrejta dhe abuzive ndaj biznesit, lufta ndaj korrupsionit, evazionit dhe informalitetit, si dhe sugjerimin e mekanizmave ligjore dhe procedurialë për parandalimin, eliminimin dhe zgjidhjen e tyre.
Në një prononcim për mediat pas përfundimit të Mbledhjes, Ministri Ahmetaj tha se:
Këshilli i Investimeve është një iniciativë e qeverisë shqiptare dhe e BERZH-it. Unë gjej rastin të falënderoj z. Alan Rousso për këmbënguljen dhe mbështetjen që i dha Krijimit të Këshillit të Investimeve. Këshilli i Investimeve është një instrument tjetër për të përmirësuar klimën e biznesit dhe mundësinë për të tërhequr investime të huaja. Në atë tryezë të rrumbullakët, sipërmarrja dhe qeveria, dhe institucionet kombëtare, do të diskutojnë në detaje për të gjitha çështjet, qoftë që na pengojnë, dhe qoftë për t’i përmirësuar apo për t’i hequr ato barriera që pengojnë sipërmarrjen për tu zhvilluar. Gjithë sfida është tërheqja e investimeve të huaja dhe Këshilli i Investimeve, unë jam i bindur, ka për të na ndihmuar të përmirësojmë klimën e biznesit në Shqipëri dhe t’i tregojmë sipërmarrjes, qoftë vendase apo të huaja, se qeveria është gati të bëjë atë që duhet të bëjë për t’ia bërë jetën të lehtë qytetarëve, në mënyrë që, ashtu siç tha dhe Alani, ashtu siç është dhe në fokus të programit të qeverisë, të kemi sa më shumë punësim, sa më shumë investimeve të huaja dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve.
Këshilli ka një Sekretariat permanent, i cili është alokuar në Ministrinë e Ekonomisë. Nuk varet nga Ministria e Ekonomisë. Është një Sekretariat i pavarur, i financuar nga BERZH dhe nga donatorët. Sekretariati ka rregulloren e vet dhe ka kontaktet tashmë me të gjithë sipërmarrjen. Këshilli i Investimeve ka gjithashtu përbërjen e vet, e cila do të jetë me rotacion. Përbërja është nga shoqata sipërmarrjeje, institucione të qeverisë, që do të ballafaqohen me njëri-tjetrin, qoftë doganat, qoftë tatimet, qoftë AIDA, apo ministria e Ekonomisë, Ministri Çuçi i Antikorrupsionit, ministrja Ermonela Felaj e Marrëdhënieve me Parlamentin. Pra, ka një përbërje, e cila do ta ndihmojë sipërmarrjen të sjellë problemet e veta, propozimet e veta dhe eksperiencën e vet.
Ndërsa Alan Rousso, Drejtor i Përgjithshëm për Politikën e Jashtme dhe Partneritetin pranë EBRD u shpreh se :
Unë thjesht dua të them se ne patëm një takim të parë të suksesshëm të Këshillit të Investimeve të Shqipërisë. Qëllimi i Këshillit është të mbledhë së bashku sektorin privat, donatorë, dhe çka është më e rëndësishmja, ministra dhe të tjerë nga qeveria shqiptare, për të biseduar mbi çështje të klimës së investimeve, gjëra që qeveria po bën, për të adresuar disa probleme me të cilat përballet sektori privat, por gjithashtu edhe ide që vijnë nga sektori privat, për të ndihmuar forcimin e klimës së investimeve në Shqipëri, që shpresoj se do të krijoj më shumë punësim, më shumë rritje, më shumë prosperitet për qytetarët shqiptarë. Është angazhimi i fortë i BERZH-it të mbështesë reformat e qeverisë. Te Kryeministri Rama dhe te ministri Ahmetaj ne ndiejmë se kemi partnerë të ngushtë për të punuar në këtë drejtim, me në promovimin e një klimë më të mirë të investimeve.