Mblidhet Këshilli i investimeve, prezantohet reforma e deregulimit
- 1 July, 2015
Mblidhet Këshilli i investimeve, prezantohet reforma e deregulimit//
U mbajt sot Mbledhja e parë e Këshillit të Investimeve, drejtuar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, njëherësh edhe Kryetari i Këshillit. Pas miratimit të VKM “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit të Investimeve” datë 8 prill 2015, u përcaktua edhe përbërja e tij, me përfaqësues nga qeveria, partnerët ndërkombëtarë dhe komuniteti i biznesit. Kështu, pjesë e Këshillit janë Ministrat Bledi Cuci dhe Ermonela Felaj, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, Kreu i tatimeve dhe Doganave, Ambasadorja e Delegacionit të BE, Përfaqësia e Bankës Botërore dhe IFC, BERZH dhe përfaqësuesit e biznesit, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma Britanike e Tregtisë, Dhoma Italiane e Tregtisë, Biznes Albania etj. Këshilli funksionin si një organ konsultues për sugjerimin, diskutimin dhe inicimin e nismave dhe reformave në kuadër të përmirësimit të klimës së investimeve dhe biznesit në vend.
Në fjalën e tij Ministri Ahmetaj tha se Këshilli i Investimeve është një vlerë e shtuar në të gjithë atë platformë që ka ngritur qeveria në dialogun me sipërmarrjen në nivele të ndryshme, qoftë në nivele politikash, diskutimi teknik apo çështjesh specifike.
“Jam i bindur se ky angazhim vjen në momentin dhe kohën e duhur, për shkak të reformave të rëndësishme strukturore të ndërmarra nga qeveria, të cilat kanë bërë që ekonomia shqiptare të jetë në një fazë të thellë transformimi, por njëkohësisht dhe oportunitetesh të mëdha” – tha Ahmetaj.
Në vijim Ministri prezantoi draftin e qeverisë shqiptare në kuadër të reformës së deregulimit, i cili pas konsultimit me palët do të dërgohet për diskutim dhe vendimmarrje pranë Këshillit të Ministrave.
Pjesë e reformës do të jetë rishikimi i autorizimeve dhe lejeve e licensave. Sikurse u shpreh Ministri Ahmetaj, ka mbi 136 autorizime që jepen sot, një pjesë e mirë e të cilave do të rishikohen në funksion të lehtësimit së të bërit biznes, kryesisht ato autorizime të cilat përbëjnë mbirregullim të sektorëve apo që derivojnë nga ligji sektorial si dhe atyre që nuk trajtohen në mbështetje të akteve nënligjore.
Faza e dytë e kësaj reforme do të trajtojë lejet dhe licensat më qëllim shfuqizimin atyre që do të konsiderohen të panevojshme.
Ministri Ahmetaj theksoi se në funksion të kësaj reforme është edhe projekti i ofrimit të një dritare unike për regjistrimin dhe licensimin e bizneseve përmes bashkimit të QKR dhe QKL.
“Ne po bëjmë një analizë të thellë për inventarizimin e të gjitha shërbimeve publike që ofrohen sot nga administrata dhe shumë shpejt do të realizojmë edhe dixhitalizimin e këtij inventari. Qëllimi final është reduktimi i kohës, afateve, procedurave dhe kostove për biznesin, krijimin e një klime sa më të favorshme dhe mbështetëse për sipërmarrjen dhe investitorët” – përfundoi Ministri.
***
Fjala e Ministrit Arben Ahmetaj në hapjen e Mbledhjes:
Përshëndetje të gjithëve
Kjo është mbledhja e parë e Këshillit të Investimeve. Ju falënderoj për prezencën në këtë mbledhje. Tashmë përbërja dhe funksionimi i këtij Këshilli janë konstituuar me kalimin e vendimit të Këshillit të Ministrave “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit të Investimeve”, në datën 8 prill 2015. Në 15 prill, në një event publik së bashku me Kryeministrin dhe drejtorin e BERZH, Alan Rousso, si dhe me prezencën e nderuar tuajën, në prezantuam krijimin e këtij Këshilli, i cili duke nisur nga sot do të mblidhet në mënyrë të rregullt, çdo tre muaj, për të diskutuar dhe konsultuar me partnerët tanë ndërkombëtare dhe me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, po ashtu, mbi tematikat të cilat përmes Sekretariatit i kemi dakordësuar me anëtarët e Këshillit.
Gjej rastin të falënderoj BERZH dhe qeverinë italiane, që bënë të mundur ngritjen e këtij Këshilli të Investimeve.
Para se të filloj me axhendën e ditës së sotme, dëshiroj të theksoj se ky është një model që ekziston në të gjitha demokracitë perëndimore, ku sipërmarrja bashkëbisedon me qeverinë, dhe besoj, jam i bindur që do t’i shërbejë transparencës dhe angazhimit serioz të qeverisë për të institucionalizuar dialogun dhe bashkëpunimin me sektorin privat, si faktor i rëndësishëm i mirëqeverisjes së vendit.
Këshilli Ekonomik Kombëtar është një shembull shumë i mirë. Ka gati dy vjet që funksionon dhe krijimi i Këshillit të Investimeve është një vlerë e shtuar në të gjithë atë platformë që ka ngritur qeveria në dialogun me sipërmarrjen në nivele të ndryshme, qoftë në nivele politikash, qoftë në nivele diskutimi teknik apo çështje specifike.
Jam i bindur se ky angazhim vjen në momentin dhe kohën e duhur, për shkak të reformave të rëndësishme strukturore të ndërmarra nga qeveria, të cilat kanë bërë që ekonomia shqiptare të jenë në një fazë të thellë transformimi, por njëkohësisht dhe oportunitetesh të mëdha.
Dua të ndaj me ju që ekonomia shqiptare ka marrë tashmë kthesën pozitive dhe megjithëse në “background” ka kriza kaq të papritura dhe të vështira siç janë ato të situatës në Greqi, ne me kënaqësi shohim që dhe në muajt e fundit konsumi ka një rritje të konsiderueshme prej 4.7 për qind dhe trendin e ka shumë pozitive.
Vetëm vende të reja pune janë krijuar 106,121 që nga momenti i fillimit të qeverisjes së qeverisë Rama.
Ka një rekord investimesh të huaja në tremujorin e parë të këtij viti rreth 258 milionë euro dhe sfida për të rritur investimet e huaja është e madhe, dhe të gjithë këto instrumente i shërbejnë po atij qëllimi.
Në të njëjtën kohë, një sfidë të madhe kemi kreditimin e ekonomisë. Siç besoj e dini, ka ta paktën 3 vite që kreditimi ka pasur një rritje shumë modeste dhe të pamjaftueshme. Besojmë se ajo që po bëjmë me strategjinë e kredive me probleme do ta lehtësojë ose do të promovojë rritjen e kreditimit në Shqipëri. Ne jemi të ndërgjegjshëm që sektori privat në Shqipëri kontribuon me 80 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe krijon 82 për qind të vendeve të punës, po i referohem raportit të Progresit të Bashkimit Europian të fundit të vitit 2014.
Me Këshillin e Investimeve synojmë të institucionalizojmë dialogun konstruktiv dhe transparent për përmirësimin e klimës së investimeve dhe rritjen e nivelit të konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe krijimin e vendeve të punës.
Gjithashtu, me kënaqësi ndaj me ju që ne jemi në një proces të vazhdueshëm bashkëpunimi me grupin e Bankës Botërore, dhe me Bankën Botërore, dhe me IFC, për përmirësimin e klimës së biznesit. Vitin e kaluar lajmi ka qenë shumë i mirë, edhe falë këtij bashkëpunimi, për përmirësimin në renditjen e “Doing Business”. Besojmë që edhe këtë vit, me punën jashtëzakonisht intensive dhe tejet të ngushtë me IFC, besoj që do të kemi qartësi dhe përmirësim në renditje.
Në të njëjtën kohë, po me kënaqësi ndaj me ju informacionin që, besoj për herë të parë në këto 20 vite, Banka Botërore do të ketë një projekt me qeverinë shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit. Për herë të parë do të kushtëzohet një mbështetje buxhetore me një sërë reformash të cilat shkojnë në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit dhe ky është një lajm jashtëzakonisht shumë i mirë.
Thënë këto, sot në mbledhjen e parë të Këshillit të Investimeve kemi propozuar dhe kemi zgjedhur që të trajtojmë reformën e deregulimit si një nga ato iniciativa që ne kemi ndërmarrë si ministri dhe si qeveri, për të përmirësuar klimën e biznesit. Më tej do të prezantojmë rregulloren e propozuar të Këshillit të Investimeve, për të institucionalizuar punën tonë dhe së fundmi do të miratojmë temat për axhendën e vitit 2015, pra të dy mbledhjeve të radhës, qoftë ajo besoj e 30 shtatorit, qoftë një në fund të vitit, pra para mbylljes së vitit 2015.
Faleminderit.