Search
Close this search box.

Këshilli Investimeve Lajmet Kryesore, Janar – Mars 2023

SEKRETARIATI I KI MERR PJESË NË TAKIMIN BILATERAL SHQIPËRI-BE NË BRUKSEL MBI SHQYRTIMIN ANALITIK TË KAPITULLIT TË PARË TË GRUPIT, “THEMELORËT”

16 janar 2023

Gjatë takimeve dypalëshe të zhvilluara në Bruksel në janar 2023, Sekretariati u ftua të prezantojë platformën e dialogut privat-publik në Shqipëri, Këshillin e Investimeve (KI), si një praktikë e mirë për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet palëve dhe nxitjen e konsultimit publik gjatë procesit të vendimmarrjes. Sekretariati informoi pjesëmarrësit mbi misionin e KI, kuadrin ligjor, fushat e ndërhyrjes dhe metodologjinë e punës (si p.sh. përcaktimi i axhendës, struktura dhe rotacioni i anëtarëve të KI, anketimi sistematik i biznesit dhe monitorimi i rekomandimeve). Sekretariati theksoi se konsultimi i vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirja në platformë e të gjithë aktorëve, përfshirë atyre të shoqërisë civile, kanë qenë thelbësorë për suksesin e platformës dhe nxitjen e një dialogu influencues. Megjithatë, për të ruajtur suksesin e platformës, nevojitet një sinergji më e madhe në mesin e të gjithë aktorëve për të ndikuar në mënyrë cilësore në politikëbërje dhe rritjen e transparencës.

[PUBLIKIM I RI] VLERËSIM NGA ANËTARËT DHE BASHKËPUNËTORËT E KËSHILLIT TË INVESTIMEVE (2022)

18 janar 2023

Sekretariati publikoi raportin vjetor të vlerësimit, i cili bazohet në komentet e anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të KI në lidhje me punën dhe ndikimin e KI në klimën e investimeve në Shqipëri. Raporti nxjerr në pah një interes në rritje nga aktorët e biznesit për të marrë pjesë dhe për të kontribuar në platformë. Raporti shqyrton gjithashtu edhe ndikimin e KI në nxitjen e institucioneve publike për t'iu përgjigjur kërkesave të biznesit, përmirësimin e konsultimit, rritjen e ndërgjegjësimit dhe përmirësimin e kuadrit rregullator.

TRAJTIMI I SHQETËSIMEVE TË SIPËRMARRËSVE VENDAS TË NVM-ve MBI BURIMET ALTERNATIVE TË ENERGJISË PËRMES KONSULTIMIT

Janar 2023

Sekretariati përfundoi konsultimet (e iniciuara në dhjetor 2022) me përfaqësuesit e sektorit publik dhe privat në lidhje me sfidat me të cilat përballen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të) gjatë kalimit në burime alternative të energjisë. Nëpërmjet katër mbledhjeve fokus grup me 46 kompani, 15 intervistave individuale me përfaqësues të sektorit publik dhe privat, dhe një ankete me 75 biznese, Sekretariati mblodhi gjetje dhe rekomandime të vlefshme për këtë temë të rëndësishme me qëllim analizimin dhe përfshirjen në notën teknike përkatëse dhe prezantimin në mbledhjen e ardhshme të KI-së.

KËSHILLI INVESTIMEVE PARASHTRON REKOMANDIME PËR LEHTËSIMIN E KALIMIT TË NVM-ve NË BURIME ALTERNATIVE TË ENERGJISË

31 janar 2023

KI u mblodh për të diskutuar sfidat e NVM-ve gjatë kalimit në burime alternative të energjisë. Mbledhja u kryesua nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, me pjesëmarrjen e veçantë të Drejtorit të BERZH-it për Strategjitë dhe Delivrimin e Politikave, z. Christoph Denk. Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj tha se pavarësisht krizës globale, vendi ynë ka treguar qëndrueshmëri dhe fleksibilitet, ku qeveria ka marrë masat e duhura për të përballuar sfidat e reja. Tranzicioni i gjelbër dhe investimet në energjinë e rinovueshme në të gjitha nivelet e biznesit janë sfida dhe objektiva të përbashkëta dhe nevojitet një bashkëpunim më i fortë për iniciativa të përbashkëta në këtë drejtim. Gjatë diskutimit të hapur, përfaqësuesit e biznesit (Dhoma Ekonomike e Gruas, FIAA/Voltalia, Amcham, Dhoma e Tregtisë së Tiranës, Confindustria Albania, FIX Pro sh.p.k. dhe Lufra,) shprehën shqetësimet e tyre për sfidat aktuale të energjisë dhe parashtruan disa sugjerime.

SEKRETARIATI KONTRIBUON NË PLANIN KOMBËTAR TË QEVERISJES SË HAPUR (OGP) 2022-2023

Shkurt 2023

Me ftesë të Zyrës së Kryeministrit, Sekretariati u ftua të kontribuojë në finalizimin e angazhimeve të Planit Kombëtar për Partneritetin e Qeverisjes së Hapur (OGP) krahas aktorëve të tjerë—përfaqësues të shoqërisë civile. Angazhimet e sapoformuluara përbëhen nga dy komponentë kryesorë: (1) politikëbërje efektive bazuar në të dhëna, si planifikimi i legjislacionit, vlerësimi i ndikimit rregullator (VNR) dhe konsultimi publik; dhe (2) qeverisje demokratike, transparente dhe e përgjegjshme përmes instrumenteve të konsultimit publik.

Gjatë diskutimit, Sekretariati theksoi rëndësinë e konsultimit publik si një mjet rregullator kyç për përmirësimin e transparencës, efikasitetit dhe efektivitetit të rregullores, së bashku me instrumentet e tjera si VNR dhe alternativat rregullatore dhe specifikat e përmirësuara të llogaridhënies. Sekretariati avokoi gjithashtu edhe rekomandimet e miratuara më parë nga Këshilli i Investimeve në Mbledhjen XXVII, të cilat mund të ofrojnë një bazë të qëndrueshme për përmirësim thelbësor të procesit të njoftimit dhe konsultimit publik.


[PUBLIKIM I RI] NOTË TEKNIKE: SFIDAT E NVM-ve GJATË KALIMIT NË BURIME ALTERNATIVE TË ENERGJISË

22 shkurt 2023

Dokumenti thekson sfidat me të cilat përballen NVM-të në kalimin në burime alternative të energjisë dhe jep rekomandime për adresimin e tyre. Dokumenti bazohet në komentet e marra nga NVM-të dhe palët e tjera të interesuara përmes mbledhjeve teknike të fokus grupit, intervistave individuale dhe anketimit të Sekretariati. Raporti thekson nevojën për politika dhe iniciativa për të mbështetur NVM-të në kalimin drejt energjisë së rinovueshme dhe thekson rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe ofrimit të asistencës teknike për këto biznese. Dokumenti gjithashtu ofron rekomandime për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe rritjen e bashkëpunimit midis aktorëve publik dhe privat për të lehtësuar kalimin në burime alternative të energjisë.

AVOKIM MBI RËNDËSINË E TRAJTIMIT TË SFIDAVE TË TË RINJVE PËR TË HYRË NË TREGUN E PUNËS

27 shkurt 2023

Sekretariati kontribuoi në Tryezën e Rrumbullakët Rajonale të organizuar nga Rrjeti i Profesionistëve të Rinj (YPN) për të diskutuar mbi sfidat me të cilat përballen të rinjtë në tregun e punës. Gjatë aktivitetit, Sekretariati theksoi rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme të Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe Qeverisë në këtë drejtim, ndërsa theksoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve për të adresuar sfidat e aksesit në fuqinë punëtore dhe për të influencuar në formimin e politikave të duhura. Gjithashtu, u theksua bashkëpunimi i frytshëm i KI me YPN dhe FEUT për identifikimin e shqetësimeve dhe njohurive kryesore të të rinjve dhe për t'i bërë ata pjesëmarrës në dialogun publik-privat me qëllim mbështetjen e integrimit të profesionistëve të rinj në tregun e punës.

[PUBLIKIM I RI] RAPORTI I MONITORIMIT TË REKOMANDIMEVE 2022

31 mars 2023

Sekretariati publikoi Raportin vjetor të Monitorimit të Rekomandimeve të KI për vitin 2022. Raporti jep detaje mbi progresin e arritur gjatë vitit në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të Këshillit të Investimeve që lidhen me fusha të tilla si përmirësimi i mjedisit të biznesit, shteti i së drejtës dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike. Gjithashtu, raporti thekson se ka ende punë për t'u bërë në fusha të tilla si siguria ligjore mbi pronën dhe nxitja e investimeve në agropërpunim.

PUBLIKIME TË SEKRETARIATIT

PËRMENDJA E KËSHILLIT TË INVESTIMEVE NË MEDIAN TELEVIZIVE

RRETH KËSHILLIT TË INVESTIMEVE

Këshilli i Investimeve është një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur qeverisjen e mirë. Puna e Këshillit mbështetet nga Sekretariati, një organ i pavarur me profesionistë të përzgjedhur dhe kontraktuar nga BERZH për t’u angazhuar drejtpërsëdrejti me komunitetin e biznesit. Këshilli Investimeve mbështetet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, BERZH dhe Sekretariati Shtetëror Zvicerian për Çështjet Ekonomike (SECO).

Tour Albania albania tours real estate saranda Armani Stronger With You Parfum