Bilanci i një dekade të KI, dialogu biznes-qeveri dhe sfidat drejt BE
- January 9, 2026
Për vite me radhë, Këshilli i Investimeve ka qenë në epiqendër të marrëdhënies qeveri-biznes duke synuar lehtësimin në komunikimin e problematikave dhe gjetjen e zgjidhjeve në funksion të një klime biznesi sa më të favorshme.
Në këtë intervistë, Diana Leka (Angoni), Drejtore e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, ndan një pasqyrë të qartë mbi këtë marrëdhënie, sfidat kryesore me të cilat përballet klima e të bërit biznes dhe progresin e reformave ndër vite.
Ajo analizon gjetjet kryesore nga anketat me biznesin, duke evidentuar problematikat strukturore, por edhe mundësitë që ofron procesi i integrimit europian.
Znj. Leka ndalet te roli i dialogut publik–privat dhe rëndësia e konsultimit efektiv për mirëzbatimin e politikave, si dhe këndvështrimi për pritshmëritë dhe prioritetet për vitin 2026 dhe dekadën e ardhshme.
Sapo kemi lënë pas vitin 2025, a mund të bëjmë një bilanc se cilat janë disa nga momentet kyçe në vite që i konsideroni ende të rëndësishme sa i takon marrëdhënies së biznesit dhe qeverisë dhe ju si pikë takimi me rekomandimet tuaja të vazhdueshme?
Në kuadrin e klimës së investimeve, debati fokusohet kryesisht në tre shtylla: sa i qëndrueshëm është mjedisi politik, rritja ekonomike dhe si funksionon qeverisja/institucionet, përfshirë mirëzbatimin e kuadrit ligjor/rregullator.
Këshilli i Investimeve është fokusuar kryesisht te shtylla e tretë, që më specifikisht për biznesin lidhet me sa e lehtë është të regjistrosh një biznes e të paguash taksat, sa e lehtë është për një investitor të huaj të investojë në vend, sa e sigurt është prona dhe sa e hapur është ekonomia lokale ndaj tregjeve globale, sa i lehtë është aksesi në kredi apo instrumente të tjerë financiarë, si funksionojnë gjykatat në drejtim të zgjidhjes së çështjeve të biznesit, si funksionon tregu i punës, cila është cilësia e infrastrukturës, rrjeteve të komunikimit IT dhe furnizimit me energji, të rinovueshme etj.
Sigurisht, një vend të rëndësishëm zë edhe cilësia e shërbimeve të arsimit apo shëndetësisë, si edhe sa ekonomia në përgjithësi, si edhe ligjet, mbështesin investimet që stimulojnë digjitalizimin dhe inovacionin.
Këto problematika janë diskutuar në tryezën e Këshillit, duke mundësuar një model ndryshe dialogu mes qeverisë/institucioneve dhe komunitetit të biznesit, ku argumentet kanë nxitur palët të dëgjojnë e të japin rekomandime. Më specifikisht do të veçoja:
- A) Përfshirja në kohë e biznesit në diskutimet për politikat e miradministrimit fiskal, që mbetet thelbësore për të siguruar mirëzbatimin e tyre.
Në vitet 2015–2018, në KI u prioritizuan e debatua çështje mbi ndërveprimin e biznesit me tatimet dhe doganat, informalitetin dhe rimbursimin e TVSH-së, ankimimin administrativ apo incentivat e investimeve, që në atë kohë përfaqësonin sfida jetike për biznesin.
Përtej progresit dhe disa ndryshimeve të rëndësishme (45 ndërhyrje ligjore dhe rregullatore), kjo problematikë ende mbetet për t’u adresuar në mënyrë më sistematike, qoftë nëpërmjet këshillit fiskal apo instrumenteve të tjera, përfshirë edhe Këshillin e Investimeve, veçanërisht në kuadrin e proceseve integruese.
- B) Për një mirëzbatim të ligjeve, ka shumë rëndësi angazhimi më serioz i palëve kundrejt procesit të konsultimit publik, si një instrument që lehtëson zbatimin në praktikë të ligjeve. Pandemia na mësoi që sfidat kombëtare mund të përballohen më mirë nëse palët privat–publik komunikojnë në mënyrën e duhur dhe me besim të ndërsjellë.
P.sh. qeveria ndërhyri me masa si shtyrja e pagesave të tatimeve, mbështetje financiare për pagat dhe garanci sovrane për kredi për bizneset, të cilat u dizajnuan duke marrë parasysh kërkesat dhe realitetin e bizneseve, ku KI ishte tashmë një strukturë e ngritur dhe që kontribuoi në proces.
Ndërkohë, subjektet ende evidentojnë se ka mjaft raste se koha për konsultim është shumë e shkurtër, përgjigjet institucionale të argumentuara mungojnë dhe një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve nuk merret parasysh, duke krijuar ndjesinë se ekziston ende një problem dëgjimi, si në nivel qendror edhe vendor.
Ndërkohë, edhe bizneset duhet të angazhohen e të advokojnë në mënyrë më të zgjuar, pasi vëllimi i ligjeve që prekin ekonominë në kuadrin e proceseve integruese është shumë i madh dhe kërkon vëmendje të madhe tani, jo më vonë, pasi të miratohen e të bëhen të detyrueshme.
Në rrugëtimin drejt integrimit europian, një bashkëpunim më transparent dhe më i qëndrueshëm midis sektorit publik dhe atij privat mbetet thelbësor për optimizimin e përfitimeve që ofron integrimi, veçanërisht mirëfunksionimi i tregut të brendshëm në drejtim të sigurisë dhe cilësisë dhe stimulimin e konkurrencës së ndershme.
- C) Formalizimi dhe prioritizimi i mbështetjes së biznesit të mesëm dhe të vogël, në kuadrin e përshpejtimit të futjes së vendit në BE.
Në këtë fazë, procesi udhëhiqet kryesisht nga institucionet, duke ofruar mundësi të shkëlqyera për investime nga një perspektivë afatgjatë.
Por në analizat e KI mbi sfidat e sipërmarrjes, mbi produktivitetin, inovacionin dhe harmonizimin me standardet e BE-së, na rezulton se nga një perspektivë lokale “win-win”, bizneset duhet të reflektojnë sa më parë dhe të organizohen e të advokojnë më tepër për të drejtat e tyre, ndërsa qeveria dhe donatorët duhet të reflektojnë mbi instrumente tranzitore.
Cilat janë sfidat që shihni për biznesin nga anketat tuaja dhe ku duhet të fokusohen më shumë (dije në burimet njerëzore, investime në teknologji dhe informacion, digjitalizimi)?
Puna e KI-së bazohet në perceptimet e anëtarëve të saj nga radhët e biznesit mbi sfidat që ata hasin gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre. Në këtë drejtim, anketat janë një nga mjetet që ne përdorim për të “zbuluar” çështjet kryesore që e shqetësojnë biznesin.
Kështu, bazuar në anketimin më të fundit mbi klimën e investimeve në vend, informaliteti mbetet një nga sfidat thelbësore dhe të rëndësishme në ekonominë shqiptare me të cilën biznesi përballet çdo ditë.
Që nga viti 2017 e deri më sot, perceptimi i informalitetit në vend mbetet i qëndrueshëm dhe i lartë: 7 nga 10 kompani deklarojnë se informaliteti është i pranishëm në treg. Ky stabilitet tregon se, pavarësisht ndërhyrjeve të viteve të fundit, informaliteti perceptohet ende si një fenomen i rrënjosur dhe i vazhdueshëm. Faktorët kryesorë nxitës të informalitetit identifikohen korrupsioni dhe konkurrenca e pandershme.
Gjithashtu, biznesi percepton se klima e të bërit biznes në Shqipëri sot ndikohet kryesisht nga tre elemente kritike: efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe mbrojtja e të drejtave të biznesit, niveli i korrupsionit dhe niveli i llogaridhënies/transparencës institucionale, si dhe cilësia dhe kostot e fuqisë punëtore.
Një sistem gjyqësor i dobët dhe korrupsioni ulin besimin dhe sigurinë për biznesin, ndërsa sfidat me fuqinë punëtore dhe kostot e saj ndikojnë në produktivitet dhe konkurrueshmëri. Përmirësimi i këtyre elementeve është kritik për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të tërhequr investime të qëndrueshme.
Duke pasur parasysh pozicionin aktual të vendit tonë në rrugën drejt integrimit në BE, do të thosha që sfida kryesore për bizneset do të jetë aftësia për t’u përshtatur me rregullat dhe kërkesat e tregut europian, sidomos në drejtim të respektimit të standardeve në prodhim/shërbim.
Mendoj se sa më shpejt kompanitë ta kuptojnë këtë, aq më i lehtë do të jetë edhe kalimi drejt këtij tregu të madh e shumë konkurrues.
Investimet në teknologji, digjitalizim dhe burime njerëzore janë parakusht për të mundësuar rritjen e standardeve.
Nga anketimi ynë më i fundit doli se kompanitë shqiptare kanë pritshmëri shumë pozitive ndaj integrimit në BE, por u mungon informacioni i qartë në lidhje me këtë proces, dhe kjo mendoj se është një nga problematikat që meriton vëmendje të veçantë jo vetëm nga ana e institucioneve, por edhe nga dhomat dhe shoqatat e biznesit, të cilat duhet të fillojnë sa më shpejt procesin e informimit dhe trajnimit të kompanive, duke marrë parasysh edhe faktin që pjesa më e madhe e kompanive në vend janë NMVM.
Cilat janë disa nga aspektet ku administrata duhet të përmirësohet si refleksion i rekomandimeve që keni dhënë ju pas anketave të zhvilluara me biznesin?
Dua të ritheksoj se ndërveprimi i biznesit me institucionet ka qenë në vëmendjen tonë në mënyrë të qëndrueshme, me fokus administrimin fiskal dhe fiskalizimin, inspektimet, ankimimin administrativ, rimbursimin e TVSH-së, e-lejet, konsultimin publik etj.
Lufta ndaj korrupsionit, qëndrueshmëria institucionale dhe ligjore, llogaridhënia, transparenca dhe rritja e profesionalizmit, si dhe konsultimi efektiv i drafteve me biznesin, janë aspekte të cilat duhet të jenë në fokus të administratës qendrore dhe vendore.
Fushat në të cilat ju ndaleni me anketat tuaja janë nga më të ndryshmet dhe rekomandimet janë të shumta. Sa të ndërgjegjësuara/angazhuara janë sipërmarrjet apo institucionet për të reflektuar mbi këto propozime që synojnë përmirësimin e klimës së të bërit biznes?
Mendoj se situata ka ndryshuar në kahun pozitiv, pasi ne monitorojmë në vijimësi. Nga përditësimi i fundit në qershor 2025, evidentojmë përshpejtim të angazhimit të institucioneve dhe shoqatave të biznesit në tre drejtime:
- a) në lidhje me zgjidhjen e problematikave të aksesit në financë,
- b) inovacionit dhe digjitalizimit të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM-ve), si dhe
- c) operacionalizimit të Zonave të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (TEDA-ve). Këto ndërhyrje evidentojnë një reflektim të angazhimit institucional për të përshpejtuar reformat strukturore dhe për të konsoliduar klimën e biznesit sipas standardeve europiane dhe kërkesave të kapitujve negociues në fushat e zhvillimit ekonomik, konkurrencës dhe mjedisit të favorshëm për investime.
Cilët janë sektorët që kanë më shumë potencial/sfida sipas jush dhe cilat janë masat që duhet të merren nga të gjithë aktorët për të rritur përfitimin final të ekonomisë (kam këtu parasysh turizmin, energjinë, eksportet në tërësi dhe secili prej tyre ka ngërçet e veta me nevojën për investime apo nxitjen e arsimit profesional të profilizuar sipas nevojës etj.)?
Investimet në sektorë si energjia e rinovueshme, turizmi, ndërtimi, logjistika apo rritja e përpunimit në vend të burimeve natyrore mund të konsiderohen sektorë me potencial për vendin.
Ndërkohë, sfida në konkurrueshmëri dhe zgjerim tregu do të hasë sektori prodhues dhe agro-përpunues, sepse me hapjen e vendit do të përballen më drejtpërdrejt me kërkesat e rrepta për standarde teknike dhe certifikime.
Këtu barrierat janë më të thelluara për shkak të fragmentimit, mungesës së pajisjeve moderne të kontrollit të cilësisë dhe vështirësisë për të përmbushur kërkesat e zinxhirëve të furnizimit europian.
Nga ana tjetër, p.sh. sektori i shërbimeve, veçanërisht TIK-u dhe shërbimet profesionale, kanë dinamikë më të lartë dhe akses më të lehtë në tregje ndërkombëtare, kryesisht falë barrierave më të ulëta teknike dhe natyrës së produkteve digjitale. Ndërsa sektori i turizmit do të përballet me sfida që lidhen me mungesën e standardeve në industrinë e hoteleve, bujtinave dhe shërbimeve të tjera, duke përfshirë certifikimin me yje.
Për të përmbushur këto standarde, bizneset duhet të bëjnë investime të konsiderueshme; për shembull, për përmirësimin e sigurisë nga zjarri, duhet të investojnë në sistemet e paralajmërimit dhe fikjes automatike, rrugët e evakuimit, si dhe në elemente të tjera të infrastrukturës, përfshirë pajisjet, mobilimin dhe pajisjet elektrike, për të garantuar përputhshmërinë me standardet e BE-së dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve turistike.
Ndaj ne, Këshilli i Investimeve, kemi sugjeruar krijimin e instrumenteve tranzitore, si p.sh. grante apo kredi të buta, për të mbështetur adaptimin e industrisë ndaj kërkesave të standardeve europiane.
Si e parashikoni vitin 2026 së pari për platformën tuaj, pra ku do të fokusoheni, dhe së dyti për biznesin dhe ekonominë në tërësi nga ajo që shihni?
Në fakt, ne sapo jemi vlerësuar me çmimin e vitit 2025 nga Dhoma e Tregtisë së Tiranës në lidhje me kontributin në drejtim të stimulimit të reformave rregullatore të klimës së investimeve në vend.
Ky sigurisht që është një vlerësim i veçantë, që na vë përpara detyra të mëdha për 2026.
Mendoj se dekada e re e aktivitetit të Këshillit të Investimeve do të jetë një bashkëpunim më i konsoliduar me komunitetin e biznesit dhe institucionet për të lehtësuar përshtatjen dhe integrimin në tregun e përbashkët europian.
Ne kemi evidentuar që mes komunitetit të biznesit, në veçanti NMVM-ve, ka mungesë informacioni në lidhje me këtë proces dhe ndikimin që do të ketë mbi aktivitetin e tyre; prandaj duhet të fillojë sa më shpejt një punë informuese dhe një fushatë ndërgjegjësimi për Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme në vend.
Në bashkëpunim me dhomat dhe shoqatat e biznesit, institucionet duhet të fillojnë ngritjen e grupeve të punës për të mundësuar informimin në kohë dhe në mënyrën e duhur.
Besoj se KI mbetet një hub serioz i dijeve dhe monitorimit të problematikave të biznesit në vend dhe sigurisht do të veprojë në një standard si një urë lidhëse mes tyre, duke shfrytëzuar edhe eksperiencën e krijuar në këto 10 vite aktivitet.
Revista Monitor, “Bilanci i një dekade të Këshillit të Investimeve: Dialogu biznes–qeveri dhe sfidat drejt BE-së,” 9 janar 2025. https://monitor.al/bilanci-i-nje-dekade-te-ki-dialogu-biznes-qeveri-dhe-sfidat-drejt-be-2/