Sekretariati i Këshillit të Investimeve diskuton me eskpertë të fushës gjetjet paraprake mbi problematikat e rimbursimit të TVSH-së
- 7 November, 2016
Më 7 Nëntor 2016 në ambjentet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes (MZHETTS), Sekretariati i KI organizoi një takim teknik me ekspertë fiskalë dhe përfaqësues të bizneseve në kuadër të analizës së kryer për “Rimbursimin e TVSH-së” që do të prezantohet në mbledhjen e datës 23 Nëntor të Këshillit të Investimeve.
Të pranishëm në takim ishin ekspertë fiskalë, përfaqësues të institucioneve shqiptare si MZHETTS, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Shoqata të biznesit eksportues dhe fason, biznese të kontaktuara nga Sekretariati.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i gjetjeve paraprake mbi temën bazuar edhe në rezultatet e anketimit online të ndërmarrë nga Sekretariati si dhe vlerësimi i rekomandimeve të gjeneruara nga analiza. Disa nga problemet që u ngritën gjatë takimit ishin të lidhura kryesisht me rolin e kontrolleve dhe respektimin e afateve të rimbursimit të TVSH-së me synim rritjen e besimit të biznesit tek DPT. Njëkohësisht u theksua që për hir të dinamikës së ndryshimeve ligjore mbetet sfidë të edukuarit e bizneseve me plotësimin e detyrimeve të pajtueshmërisë. U bënë gjithashtu disa rekomandime nga specialistët mbi zbatimin e rimbursimit automatik të TVSH-së, rritja e bazës së tatimpagueseve individual si dhe një transparencë më e madhe në proçedurat e rimbursimit të TVSH-së.
Në takim u ra dakord që Sekretariati të reflektojë komentet në materialin e konsoliduar për t’u prezantuar në Mbledhjen e KI-së në datë 23 Nentor 2016 dhe të mbajë kontakte në vazhdim për të monitoruar zbatimin e rekomandimeve të analizës.