Sekretariati merr pjesë në tryezën e rrumbullakët: “zhvillimi ekonomik I shqipërisë: sfidat dhe mundësitë”
- 19 December, 2022
Tiranë, 15 shtator 2021 / Sekretariati i Këshillit të Investimeve mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë me temë “Zhvillimi Ekonomik i Shqipërisë: Sfidat dhe Mundësitë“. Tryeza kishte si qëllim diskutimin mbi sfidat kryesore të zhvillimit me të cilat përballet Shqipëria, të shkaktuara në veçanti nga ndryshimet klimatike, vështirësitë ekonomike që rrjedhin nga historia e vendit dhe, së fundmi, COVID-19.
Morën pjesë nga Mbretëria e Bashkuar Sir Suma Chakrabarti, Kryetar i Bordit të Institutit për Zhvillim Jashtë Vendit (ODI), znj. Sara Pantuliano, Kryetare Ekzekutive e ODI-së, si dhe Sh.T. Z. Alastair King-Smith, Ambasador i Britanisë në Shqipëri. Diskutimet u përqendruan në tranzicionin drejt zhvillimit të gjelbër, sa i lidhur është zhvillimi i Shqipërisë me zhvillimin dhe stabilitetin e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe si mund t’i ndihmojë Mbretëria e Bashkuar përpjekjet ndërkombëtare për të mbështetur Shqipërinë të shfrytëzojë mundësitë dhe potencialin e saj të zhvillimit.
Gjatë fjalës së saj, Drejtorja e Sekretariatit, znj. Diana Leka (Angoni) u ndal mbi prezantimin e misionit të Këshillit të Investimeve, i cili është i fokusuar në stimulimin e investimeve dhe debatin për përmirësimin e klimës së investimeve duke respektuar tre parimet: evidencën, integritetin e biznesit dhe gjithëpërfshirjen. Në lidhje me sfidat më kryesore të ekonomisë, në Këshillin e Investimeve janë analizuar dhe prioritizuar rekomandime me fokus formalizimin e ekonomisë, incentivat e investimeve, sfidat e investimeve në agro-përpunim dhe përmirësimi i aftësive në punë.
Bazuar në punën e Këshillit të Investimeve, mbeten prioritet për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit a) qëndrueshmëria dhe fokusi i politikave të tashmë iniciuara dhe institucioneve të ngritura si p.sh. në energji, b) shpejtësia e reagimit ndaj sfidave, p.sh. formalizimi i ekonomisë apo respektimi i të drejtës së pronës, c) zhvillimi i sektorëve prioritarë ku Mbretëria e Bashkuar mund të luajë një rol unik mund te jene edukimi, turizmi apo nënsektorë më specifik brenda shërbimeve. Shqipëria ofron avantazhe konkurruese në drejtim të gjuhëve të huaja dhe hapja e kampuseve të universiteteve me emër në vend, do të mund të ndihmonte në ngritjen e standartit të universiteteve ekzistuese.