“Shkëmbimi i Eksperiencave dhe Aplikimi i Praktikave më të mira” – Konferencë për rolin dhe impaktin e Këshillave të Investimeve mbështetur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim
- 16 March, 2017
Londër, Britani e Madhe, 2-3 Mars 2017
Sekretariati i Këshillit të Investimeve merr pjesë në konferencën e radhës të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për Këshillat e Investimeve në Londër në datat 2 dhe 3 Mars 2017. Konferenca e BERZH në Londër kishte si synim të paraqiste arritjet e 2016 të Këshillit të Investimeve në vendet ku ato krijuar me mbështetjen e kësaj banke, dhe sfidat për 2017, por edhe për të diskutuar mënyrat për ta forcuar klimën e investimeve përmes dialogut efektiv publik-privat. BERZH ka krijuar Këshillat e parë të Investimeve në 2007 në vendet në tranzicion të hershëm si Armenia, Kirgistani, Taxhikistani dhe më vonë në vende si Moldavia, Shqipëria dhe Gjeorgjia.
Konferenca 2-ditore, filloi me seancën plenare me temën “Forcimi i Klimës së Investimeve nëpërmjet Dialogut Efektiv Publik-Privat.” Në këtë seancë, Presidenti i BERZH, Sir Suma Chakrabarti theksoi rëndësinë e punës së Këshillave të Investimeve dhe u shpreh se: “Dialogu publik-privat mund të marrë forma të ndryshme. Megjithatë, për të patur një impakt sistematik, një dialog i tillë ka nevojë për një platformë të ngritur dhe të besueshme. Kjo platformë duhet të jetë një forum me mbledhje të rregullta midis autoriteteve dhe komunitetit të biznesit, i tillë që bizneset të shprehin lirshëm shqetësimet e tyre dhe qeveria t’iu përgjigjet në mënyrë të besueshme.”
E ftuar në panel në seancën plenare ishte edhe Kryetarja e Këshillit të Investimeve në Shqipëri, Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj. Milva Ekonomi. Në fjalën e saj në këtë konferencë, Ministrja Ekonomi tha se BERZH ka një rol të rëndësishëm në Shqipëri, midis te tjerash edhe me mbështetjen që i jep Sekretariatit të Këshillit të Investimeve. Ministrja Ekonomi theksoi se sot sfida kryesore e vendit tonë, lidhet me tërheqjen e investimeve të huaja dhe Këshilli i Investimeve nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm me biznesin, ka ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit. “Këshilli i Investimeve ndihmon qeverinë në dialogun me biznesin, dëgjon, analizon dhe rekomandon zgjidhje për problemet e tyre. Por nga ana tjetër edhe qeveria mbështet punën e Këshillit të Investimeve duke i adresuar, ndjekur dhe zgjidhur shqetësimet e biznesit,” u shpreh Znj. Ekonomi në fjalën e saj.
Në seancat e tjera të konferencës u diskutua konkretisht mbi arritjet kryesore të Këshillave të Investimeve në vitin 2016 dhe prioritetet për 2017. Drejtoresha e Sekretariatit të Këshillit Shqiptar të Investimeve, Znj. Diana Leka në prezantimin e punës së KI-së në Shqipëri, ndër të tjera, u shpreh se “Këshilli i Investimeve në Shqipëri në konsultim të vazhdueshëm me biznesin ka ofruar rekomandime praktike, që prekin drejtpërsëdrejti marrëdhëniet e Qeverisë me Biznesin. Ndër to mund të përmendim, një pjesë të ndryshimeve të fundit të proçedurave tatimore, përmirësimin e informimit dhe transparencës me biznesin dhe zbatimin korrekt të Ligjit mbi Konsultimin Publik”.