Search
Close this search box.

‘Aksesi në Financim’ një nga problematikat kryesore të biznesit, Forumi IV Financiar

Më 23 qershor 2016 zhvilloi punimet Forumi IV Financiar, organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, nën kujdesin e veçantë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Gent Sejko. Këtë vit, diskutimet u fokusuan në çështjen e rigjallërimit të kreditimit, në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme.

Në forum morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të ndryshme si Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, banka kryesore që operojnë në Shqipëri, FMN dhe Banka Botërore, Banka Qendrore Evropiane (ECB), Autoriteti Bankar Evropian (EBA), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), etj. Në këtë Forum, u ftua edhe Sekretariati i Këshillit të Investimeve, përfaqësuar nga Drejtoresha Znj. Diana Leka.

Në prezantimin e saj, Znj. Diana Leka theksoi se, nga anketat dhe analizat  e zhvilluara nga Sekretariati, një nga problemet kryesore per biznesin mbetet aksesi ne financim. Kështu, në anketimin e organizuar nga Sekretariati i Këshillit të Investimeve (tetor-nëntor 2015) në kuadrin e Informalitetit në Ekonomi, me pjesëmarrjen e rreth 100 kompanive, ‘Aksesi në Financim’ rezultoi si problematika kryesore, ndjekur nga paketa fiskale dhe numri i taksave. Në përfundim, Znj. Leka ngriti për diskutim çështje  që lidhen me arsyet se përse kemi nje nivel jo te kenaqshëm të kredisë në Shqipëri.

Ky forum shërbeu si një platformë për të shkëmbyer ide dhe për të paraqitur qëndrime në lidhje me problemet e ndryshme që lidhen me sektorin bankar e financiar në vend.

Prezantimi i plotë në PPT i Znj. Diana Leka.