Search
Close this search box.

Biznesi I diasporës me projekte të reja investimi në koherencë me prioritetet e këshillit të investimeve

Tiranë, 24 mars 2022 / Sekretariati i Këshillit të Investimeve mori pjesë në Tryezën e Parnerëve organizuar nga Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare (ADBC). Gjatë takimit u prezantuan dy projekte ambicioze: “Fluturo me shqipen” dhe “Instrumenti financiar i Diasporës”. Qëllimi kryesor i projektit “Fluturo me shqipen” ka të bëjë me evidentimin dhe promovimin e produkteve “Made in Albania“, si dhe të mbështesë krijimin e një zinxhiri vlerash nga prodhimi deri në depërtimin në tregjet e huaja. Ndërsa projekti i dytë “Instrumenti Financiar i Diasporës” synon krijimin e logjistikës financiare për zhvillimin e investimeve të Diasporës Shqiptare në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë.

Në fjalën e saj, Drejtorja e Sekretariatit e Këshillit të Investimeve, znj. Diana Leka (Angoni), falenderoi ADBC (anëtare e përhershme  e KI prej vitit 2019) për frymën e sjellë në Këshillin e Investimeve, para dhe post Covid-19 me sugjerime përkatëse për opsionet e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, si edhe vlerësoi koherencën në advokimin e produkteve “Made in Albania”, diskutuar në Këshillin e Investimeve që në tetor 2019. Në kontekstin e stimulimit të investimeve në vend, znj. Leka solli në vëmendje avantazhet unike të vendit por edhe nevojën e bashkëpunimit në nivel kombëtar për problematika që lidhen me sfidat e sasisë dhe cilësisë së kapitalit njerëzor, një prioritet i ngritur në Këshillin e Investimeve që në vitin 2017.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve te nivelit të lartë, dhoma bilaterale, organizata partnere ndërkombëtare dhe rajonale, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe bizneseve. Pjesëmarrësit patën mundësinë për të diskutuar mbi kapacitetet e rrjetëzimit të sipërmarrjes së Diasporës në ndihmë të fuqizimit të Markës Shqiptare në tregje ndërkombëtare, Investimeve nga Diaspora si dhe mbi adresimin e sfidave për të ardhmen.