Search
Close this search box.

Diskutim Teknik: Koha për të reaguar dhe përshpejtuar në kohë procesin e inovacionit të biznesit

Mars 12, 2021
Kompanitë shqiptare – jo vetëm konsumatore por edhe prodhuese të inovacionit?!

Tiranë, 12 mars 2021 / Sekretariati i Këshillit të Investimeve, në bashkëpunim me INNVEST, organizuan një takim në nivelin teknik për të diskutuar sfidat kryesore të biznesit në drejtim të inovacionit. Aktiviteti tërhoqi vëmendjen e aktorëve të ndryshëm nga sektori publik dhe privat, si dhe akademia. Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i gjetjeve paraprake të identifikuara nga Sekretariati përmes metodologjisë së tij të punës, si dhe rekomandimet e mundshme të përgatitura në kontekstin e mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Investimeve me tematikë: “Inovacioni në  Sipërmarrje si një Sfidë për Rritjen e Konkurrencës”.

Pandemia e Covid-19 ka shkaktuar ndryshime të rrënjësore në ekonominë globale, duke detyruar ndërmarrjet në industri të ndryshme të inovojnë për të mbijetuar. Sfidat e reja të biznesit po dëshmojnë gjithashtu se si ky moment i trazuar mund t’i kthejë ato në mundësi biznesi, veçanërisht për platformat kryesore dixhitale. Për të identifikuar sfidat kryesore në kontekstin shqiptar, gjatë shkurt-mars, Sekretariati zhvilloi takime individuale me rreth 40 aktorë të interesuar (sektorë publik dhe privat, akademi, agjenci dhe partnerë për zhvillim, etj.), si dhe zhvilloi një anketë me 78 kompani.

Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit shprehën komentet e tyre mbi gjetjet paraprake të Sekretariatit. Në mbështetje, ata theksuan nevojën për prioritizimin e agjendës së inovacionit dhe sfidat aktuale nën këndvështrimin e biznesit, nevojën për një mekanizëm për të koordinuar të gjithë aktorët dhe për të shërbyer si një qendër për konsultimin dhe shpërndarjen e informacionit të duhur. U theksua nevoja për të përshpejtuar vendosjen e bashkëpunimit të qëndrueshëm midis institucioneve publike, universiteteve dhe biznesit, si dhe për të promovuar bashkëpunimin e biznesit me institucionet rajonale. Në këtë kontekst, pjesëmarrësit kërkuan një koordinim më të mirë rajonal, duke theksuar se promovimi i inovacionit duhet të shtrihet në të gjithë Shqipërinë (jo vetëm në kryeqytet).

Komentet dhe sugjerimet e ngritura do të pasqyrohen nga Sekretariati i KI në draftin përfundimtar të analizës që do t’u paraqitet anëtarëve të KI brenda javës së ardhshme. Analiza përfundimtare dhe e miratuar do të publikohet në faqen tonë të internetit në javët e ardhshme.