Këshilli i Investimeve diskuton standardet e cilësisë në turizëm dhe projektligjin e ri për investimet
- 11 November, 2026
Tiranë, 11 nëntor 2026 – Këshilli i Investimeve zhvilloi mbledhjen e radhës, të drejtuar nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, me fokus standardet e cilësisë në turizëm dhe projektligjin e ri për investimet në Shqipëri. Në diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, shoqatave të biznesit dhe sektorit privat.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi se zhvillimi i turizmit kërkon një qasje të koordinuar dhe politika konkrete për rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit dhe përmbushjen e standardeve evropiane. Ajo nënvizoi angazhimin e qeverisë për të mbështetur bizneset përmes instrumenteve të reja financiare, që synojnë nxitjen e investimeve dhe rritjen e konkurrueshmërisë, si dhe përmes thjeshtimit të procedurave administrative dhe forcimit të mekanizmave të klasifikimit, inspektimit dhe monitorimit, me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.
Në vijim, Sekretariati i Këshillit të Investimeve prezantoi analizën mbi gatishmërinë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), me fokus pritshmëritë dhe sfidat që lidhen me adoptimin dhe zbatimin e standardeve të cilësisë. Analiza trajtoi kostot financiare dhe kufizimet në kapacitetet teknike për përmbushjen e kërkesave të standardizimit, nivelin e ndërgjegjësimit, informimit dhe trajnimit, rolin e aktorëve përgjegjës për hartimin e politikave dhe rregullimin e sektorit, si dhe mbështetjen financiare për bizneset turistike.
Përfaqësuesit e biznesit nënvizuan se kostot e certifikimit dhe të përshtatjes së strukturave me kërkesat e reja kërkojnë instrumente financiare më të orientuara drejt nevojave të bizneseve të vogla, si dhe një sistem më efektiv të klasifikimit, inspektimit dhe monitorimit të strukturave akomoduese. Gjithashtu, u theksua se përmirësimi i cilësisë së turizmit nuk varet vetëm nga vetë bizneset, por edhe nga stabiliteti fiskal dhe cilësia e infrastrukturës publike, përfshirë menaxhimin e mbetjeve, furnizimin me ujë, transportin dhe sinjalistikën. Për këtë arsye, u nënvizua nevoja për koordinim më të ngushtë ndërmjet institucioneve qendrore e vendore dhe sektorit privat.
Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, znj. Marinela Prifti, u ndal te masat e parashikuara në kuadrin e ri ligjor për turizmin, duke theksuar rëndësinë e forcimit të standardeve të klasifikimit dhe mekanizmave të monitorimit të strukturave akomoduese. Ndër masat e propozuara, ajo përmendi përcaktimin paraprak të kategorisë së strukturave akomoduese që në fazën e aplikimit për leje ndërtimi, si dhe formalizimin e akomodimit afatshkurtër përmes regjistrimit në platformën e-Albania. Gjithashtu, bëri të ditur se po punohet për ngritjen e gjashtë organizatave të menaxhimit të destinacioneve turistike, me synim forcimin e koordinimit dhe përmirësimin e menaxhimit të ofertës turistike në nivel vendor.
Pjesa e dytë e mbledhjes iu kushtua prezantimit të projektligjit të unifikuar për investimet nga Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, z. Enkelejd Musabelliu. Përfaqësuesit e biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë mirëpritën nismën për krijimin e një kuadri më të unifikuar dhe të parashikueshëm për investitorët, por theksuan nevojën për më shumë qartësi lidhur me disa aspekte të zbatimit të tij. Këto përfshinin sigurinë juridike dhe parashikueshmërinë e kuadrit rregullator, numrin dhe përmbajtjen e akteve nënligjore që do të shoqërojnë ligjin, si dhe nevojën që këto akte të konsultohen paralelisht me projektligjin. Gjithashtu, u kërkua përcaktim më i qartë i kritereve, afateve dhe procedurave për shqyrtimin e investimeve të huaja, përfshirë garancitë procedurale për investitorët dhe mekanizmat e ankimit. Një tjetër çështje e theksuar ishte nevoja për një vlerësim të plotë të ndikimit rregullator, që të analizojë jo vetëm përfitimet e pritshme, por edhe kostot buxhetore dhe institucionale, kapacitetet e nevojshme për zbatimin e ligjit dhe ndikimin e tij në klimën e investimeve.
Në përgjigje të komenteve dhe sugjerimeve të paraqitura, Ministrja Ibrahimaj konfirmoi angazhimin për vijimin e procesit të konsultimit, duke bërë të ditur se ai nuk do të kufizohet në një tryezë të vetme, por do të shoqërohet edhe me takime më të fokusuara me ekspertë dhe përfaqësues të dhomave të tregtisë.
Mbledhja rikonfirmoi rolin e Këshillit të Investimeve si platformë për dialog të strukturuar ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, duke kontribuar në përfshirjen e perspektivës së biznesit në hartimin dhe përmirësimin e politikave dhe kuadrit rregullator që ndikojnë në konkurrueshmërinë, zhvillimin e biznesit dhe klimën e investimeve në Shqipëri.
Materialet e mbledhjes do të publikohen së shpejti në www.investment.com.al.

