Search
Close this search box.

Këshilli i Investimeve diskuton pengesat në aksesin në financim të agro-biznesit

Këshilli i Investimeve (KI) mbajti më 29 Shtator 2016 mbledhjen e tij të radhës drejtuar nga Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj. Milva Ekonomi, njëherësh edhe Kryetare e Këshillit. I pranishëm në takim ishte edhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Z. Edmond Panariti, si edhe një grup përfaqësuesish të shoqatave të agro-biznesit dhe donatorëve që asistojnë sektorin.
Në fjalimin e saj hapës, Ministrja Ekonomi nënvizoi masat e marra nga Qeveria në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit dhe nxitjes së investimeve private në vend duke përfshirë edhe agro-industrinë. Ajo shtoi se Këshilli i Investimeve mbetet një platformë shumë e mirë, duke mundësuar dialogun transparent, konstruktiv dhe të hapur me partnerët e biznesit. Gjithashtu, Ministrja Ekonomi informoi mbi përpjeket e Ministrisë së Ekonomisë për të ndërtuar një bazë të dhënash ku të gjitha pronat shtetërore dhe private do të vendosen në një faqe interneti të aksesueshme për këdo të interesuar për të investuar në Shqipëri. Ajo gjithashtu përmendi konceptin e investimit në agro-turizëm, si një fushë për t’u konsideruar në të ardhmen.
Në fjalën e tij, Ministri Panariti theksoi kujdesin e veçantë të Qeverisë për sektorin dhe përpjekjet e qeverisë në rritjen e kapaciteteve të sektorit për të rritur vlerën kombëtare të shtuar të produkteve bujqësore me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së tyre, të tilla si mbështetje për ngritjen e magazinave frigoriferike, pikat e grumbullimit, linjat e përpunimit, paketimit dhe kalibrimit sikurse edhe veprimtari të vazhdueshme në mbështetje të skemës së rimbursimit deri 20% të TVSH-së së fermerit.
Në mbledhje u prezantua një përmbledhje e gjetjeve fillestare të një analize financuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mbi boshllëqet në sektorin e agropërpunimit në Shqipëri. Qëllimi i studimit është evidentimi i pengesave dhe kufizimet e zhvillimit të sektorit për të informuar BERZH në vendimet e tij të ardhshme në ofrimin e asistencës teknike dhe aktiviteteve të mundshme.
Diskutimi nga anëtarët e Këshillit u orientua drejt mundësive konkrete për investime në zinxhirë të caktuar të vlerës në agro-industri, sikurse edhe pengesat dhe kufizimet për investime të tilla, me qëllim adresimin e tyre brenda kuadrit institucional, nëpërmjet veprimtarive të mëtejshme të Qeverisë në konsultim me komunitetin e biznesit.

Për materialet e Mbledhjes, kliko këtu.