Këshilli i Investimeve diskuton projekt Strategjinë Kombëtare të Industrisë dhe projekt Politikën për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme 2026–2030
- 30 June, 2026
Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi një mbledhje kushtuar konsultimit publik mbi projekt Strategjinë Kombëtare të Industrisë 2026–2030 dhe projekt Dokumentin e Politikës për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) 2026–2030. Takimi kishte si synim mbledhjen e komenteve dhe rekomandimeve nga sektori privat dhe palë të tjera të interesuara për përmirësimin e dy draft-dokumenteve strategjike, të cilat synojnë rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe avancimin e procesit të integrimit evropian. Në mbledhje morën pjesë anëtarë të KI-së, përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të biznesit, investitorëve të huaj, sistemit bankar dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij hapëse, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, z. Martin Kajo, theksoi se të dy dokumentet synojnë krijimin e një kuadri të ri politikash për forcimin e bazës prodhuese, rritjen e produktivitetit, eksporteve dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare. Ai nënvizoi se Strategjia mbështetet në një analizë të sfidave aktuale të sektorit prodhues dhe orienton zhvillimin e tij drejt tranzicionit të gjelbër dhe digjital, në përputhje me prioritetet e Bashkimit Evropian.
Përfaqësuesit e biznesit vlerësuan punën e bërë në hartimin e dokumenteve dhe rëndësinë e tyre për zhvillimin ekonomik të vendit. Njëkohësisht, ata paraqitën një sërë shqetësimesh dhe rekomandimesh, duke theksuar nevojën për një analizë më të thelluar të situatës aktuale të prodhimit vendas, me qëllim evidentimin e potencialeve reale të ekonomisë dhe orientimin e politikave mbështetëse. Gjithashtu, u rekomandua analizimi i kostove të biznesit në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian, optimizimi i përdorimit të burimeve vendase në kushtet e hapjes së tregut, si dhe hartimi i politikave industriale më të qarta, të mbështetura në analiza më të thelluara sektoriale dhe territoriale. Përfaqësuesit e biznesit kërkuan gjithashtu masa më konkrete dhe afatshkurtra për mbështetjen e investimeve prodhuese, inovacionit, eksporteve dhe tranzicionit të gjelbër, si dhe theksuan rëndësinë e forcimit të sigurisë juridike dhe fiskale, përmirësimit të infrastrukturës mbështetëse dhe përfshirjes më aktive të sektorit privat dhe diasporës në proceset e zhvillimit ekonomik.
Më tej, Sekretariati i KI-së vlerësoi rëndësinë dhe strukturën e dokumenteve, dhe paraqiti disa komente, duke theksuar nevojën për një pasqyrim më të plotë të procesit të konsultimit dhe të kontributeve të palëve të interesuara, thellimin e analizës sipas madhësisë së ndërmarrjeve, sektorëve dhe territorit, si dhe përcaktimin më të qartë të prioriteteve në raport me situatën aktuale të vendit, kostot e zbatimit dhe burimet e financimit.
Përfaqësuesit e partnerëve për zhvillim u shprehën se këto dokumente përbëjnë një nga standardet kyçe për përmbushjen e kërkesave të Kapitullit 20 “Ndërmarrjet dhe Politika Industriale”, duke nënvizuar se suksesi i tyre do të varet nga zbatimi efektiv përmes planeve të veprimit, buxheteve, treguesve të performancës dhe mekanizmave të monitorimit. Ata rekomanduan shmangien e mbivendosjeve ndërmjet strategjive, forcimin e përputhshmërisë me prioritetet industriale të Bashkimit Evropian dhe integrimin e reformave të lidhura me Ligjin e Unifikuar të Investimeve.
Në përfundim të mbledhjes, Sekretariati i Këshillit të Investimeve bëri të ditur se të gjitha komentet dhe rekomandimet e paraqitura gjatë konsultimit do të përmblidhen në një dokument zyrtar, i cili do t’i përcillet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe ekipit të ekspertëve, me synim reflektimin e tyre në versionin përfundimtar të Strategjisë Kombëtare të Industrisë dhe Dokumentit të Politikës për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.
***

